“Gratë e Athinës në Parlament”

Oct 9, 2011 | 14:00

Burra- gra që tentojnë sërish të kthehen në burra. Ky është qëllimi i aktorëve të rinj të teatrit të Metropolit për të fituar Athinën. Aq duhet pastaj që të përmbysin gjithë ç’kishin thënë e ta kthejnë gjithë skenën në një orgji pa fre… “Gratë në Parlament” është shfaqja e parë që çel sezonin e ri të shfaqjeve në këtë teatër. “Demokracia e shumtë vret demokracinë”, nuk ka rëndësi se cila palë e ka pushtetin në dorë. Kushdo qoftë, do abuzojë me fuqinë e vet. E ku i dihet nëse pala më e shtypur, kur t’i “dalë fati” do të jetë edhe më e ashpër se ata që kanë qeverisur gjithnjë… Po fundja pse jo, aq sa ju ka duruar sot e gjithnjë shpina. E gjeni veten apo jo? Me situatë të ngjashme përballeni përditë. I dëgjoni përditë, i keni dëgjuar gjithnjë, çjerrjet e një jete më të mirë. Nga kushdo që ka ikur e ka ardhur. Do t’i dëgjoni pa dyshim prapë, gjithmonë. Do bindeni edhe më për këtë, pasi të shihni komedinë e Aristofanit, “Gratë në Parlament”. Janë sa e sa situatat komike të vëna në skenën e Teatrit të Metropolit nga aktorë të rinj, që sikur të mos mjaftonte, përballen për të parën herë me një shfaqe të antikitetit. Një pjese prej tyre i takon edhe më tepër se kaq: në antikitet, të veshur me tunika e të quajtur me emra grash. I tillë ishte roli i katër prej aktorëve të pjesës. Komedia diakronike për pushtetin dhe natyrën njerëzore shfaqet për herë të parë në Shqipëri nga një regjisore e re, Elma Doresi, dhe trupa e aktorëve e përbërë nga Devis Muka, Besmir Bitraku, Roland Saro, Endri Çela dhe Visjan Ukcenaj, të cilët përballen me sfidën e interpretimit të roleve të grave, ndërsa aktorët e tjerë që interpretojnë janë: Klodian Hoxha, Alban Musa, Lorenc Kaja, Genti Deçka dhe Shyqyri Çaushaj.
“Kjo shfaqje, e trajtuar si në teatrin e antikitetit, thënë ndryshe, në kohën kur personazhet femra interpretoheshin nga meshkujt i bashkëngjitet idesë se ka ardhur një moment që edhe teatri shqiptar i të rinjve me guximin, aftësinë dhe talentin e tyre, është i gatshëm të provojë këtë element të vjetër të teatrit antik grek. “Përzgjedhja e kësaj vepre nuk është e rastësishme, kam 6 vite që punoj me këtë tekst. Me ndihmën e informacioneve të marra nga Akademia e Arteve, diskutimeve të shumta, e ndihmës së Kiço Londos, shpresoj e besoj që rezultati i antikitetit i sjellë në kohën tonë do të jetë ashtu siç ne kemi dëshiruar t’jua përcjellim”, tregon regjisorja Doresi, që nga ana tjetër, e konsideron edhe si një sprovë të sajën këtë pjesë.
Sepse nuk është e lehtë të risjellësh në skenë një vepër të 2400 vjetëve më parë. Çështja thjeshtëzohet vetëm kur vjen puna te mesazhet që përcillen. Ato po që janë koherente, me gjithë teprimin që mund të kishte pjesa. Katër gratë – meshkuj me në krye Praksagorën, kanë si qëllim që të bindin burrat për të marrë ato përsipër qeverisjen e qytetit të Athinës. Për ta arritur këtë, ato duhet të shkojnë deri në Parlament e që të mbërrijnë deri atje, duhet të maskohen si burra. Argumenti më bindës i tyre është se femrat dinë të jenë më të rregullta e shumë më të përgjegjshme në marrjen e vendimeve. Për më tepër, kjo është diçka e re, e pa provuar më parë. Me të arritur këtë qëllim, gratë vendosin të bashkojnë të gjithë të ardhurat dhe pasuritë, kjo vlen edhe për raportet seksuale (sidomos për to): Gratë mund të shkojnë më kë të duan dhe të bëjnë fëmijë me cilindo që dëshirojnë dhe kështu çdokush mund të ketë një lidhje me cilindo, gratë e bukura dhe meshkujt jotërheqës do të kenë mundësinë të kenë përkrah më të bukurën, ose anasjelltas. Por, ky ligj do të sjellë absurditete dhe shumë situata paradoksale. E në gjithë ato zhurma orgjish, të qeshurat janë të paevitueshme. Sidomos kur ajo, gjeneralja, Praksagora, në fund shfaqet krejt ndryshe nga ç’u shfaq në fillim. Sërish nën rolin e një femre… Por nuk kemi ndëwrmend ta zbulojmë shfaqen deri në fund, sepse ndryshe çdo t’ju ngelet për të parë, ama kemi folur me protagonistin e veprës. Praksagorën, më të fuqishmen, më dhelparaken, ndër gratë e tjera të qytetit. Atë që i përfaqësoi në Parlament, ngriti zërin në emër të tyre, e në fund…
Si u përshtat Devis Muka me rrobat e një gruaje? Ç’mendime i duheshin të thurte në kokë për të menduar si një grua. Për të lëvizur e vepruar si ajo?

Devis Muka : “U bëra si shoqe me mikeshën time”
Përveç se aktor i ri, duhet edhe të jesh në rolin e një femre… Si ka qenë puna për ta realizuar këtë rol?
Procesi i parë i punës është të arrish të mendosh si një femër, gjatë ditës, që herët në mëngjes kur hap sytë, të kesh mendjen e saj. Nëse kjo gjë arrihet, lufta është e fituar. Nuk është i vështirë roli, është pikërisht kjo që sapo ju tregova. Ky ka qenë qëllimi i të gjithë aktorëve që do luanin rolin e femrës, dhe formula rezultoi e saktë.
Pse mendoni se gjithçka eci mirë?
Juria më e mirë në këtë rast është një femër, unë nuk mund ta di. Nëse rolet duartrokiten prej tyre, atëherë po, ia kemi dalë.
Ç’marrëdhënie keni pasur gjatë ditës me rolin?
Nuk kisha marrëdhënie të tjera, kisha vetëm marrëdhënie me rolin, gjatë gjithë ditës. Nëse nuk e bën këtë, nëse nuk jeton me pjesën, sidomos në këtë rast, nuk mund të shkosh shumë larg. Ajo bëhet aq pjesë e jotja, saqë edhe të duash t’i harrosh nuk mundesh, sepse intensiteti i veprës është shumë i fortë.
Ka funksionuar në këtë drejtim puna në grup, me aktorët e tjerë “femra”?
Ka qenë pozitive fryma e të gjithë ekipit, dhe kjo gjë padyshim që lehtëson gjithë procesin. Është edhe meritë e veprës që nuk të largon shumë nga realiteti, kështu ndihesh brenda shoqërisë.
Cilët kanë qenë njerëzit e së përditshmes që kanë ndihmuar apo qoftë edhe nuk janë ndier edhe aq mirë, nga mënyra tjetër e të qenit për shkak të rolit?
Doni të dilni te mikesha ime? Mendojmë të dyja njësoj (qesh). Jo përtej shakasë, puna është punë dhe padyshim vetëm mund të më ketë ndihmuar, nuk flitet për ankesa. Tek e fundit pse të ankohet, i është shtuar një shoqe më shumë.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura