Torres: S’kam asnjë problem me Drogbanë, mund të luaj edhe përkrah tij.
Sulmuesi spanjoll u kujton kundërshtarëve finalen “Euro 2008”
Fernando Torres ka zhvilluar një sezon me “dy fytyra”, nga inekzistent në fillim të tij, në një golashënues të rregullt gjatë muajve të fundit. Gjithsesi, bomberi spanjoll nuk ka arritur të fitojë duelin me Drogbanë për formacionin.
Këtë herë ai i kërkon trajnerit Di Mateo që t’i japë shansin për t’u aktivizuar që nga minuta e parë, pasi gjermanët janë “preja” e tij e preferuar, madje premton se do të shënojë gol. “Kam punuar shumë kohët e fundit dhe përmirësimin mendoj se e kam treguar edhe me golat e shënuar. Nuk dua ta kujtoj periudhën e vështirë, pasi me të vërtetë kam vuajtur shumë. Mendoj se ka qenë çështje vetëbesimi, dhe për një sulmues është diçka e ndërlikuar kur nuk arrin të shënojë në disa ndeshje radhazi. Sigurisht që Di Mateo më dha mundësinë për të fituar besimin e humbur, por edhe Vilas Boas u mundua shumë. Tashmë jam thuajse në 100% të formës sime. Nuk më vjen keq që s’kam luajtur titullar, pasi Drogba ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer. Për mua rëndësi ka ecuria pozitive e skuadrës dhe tashmë jemi në finalen e Champions-it. Gjithsesi, unë kam dhënë kontributin tim në ato minuta që kam pasur në dispozicion, siç ishte edhe goli kundër Barcelonës”, ka thënë Torres. Sakaq, sipas informacioneve edhe vetë trajneri Roberto Di Mateo ka shumë mëdyshje, nëse do luajë me Drogbanë në formacion apo me Torresin që nga minuta e parë. “Trajneri nuk e ka vendosur akoma, ose më saktë nuk ka dhënë ende ndonjë sinjal se kush do të luajë në formacion. Unë kam dëshirë të madhe që të jem në fushë që nga minuta e parë, pasi ndaj gjermanëve kam histori pozitive. Ata më kanë frikë kur më shikojnë, pasi në finalen “Euro 2008” Spanja i mundi me golin tim. Në atë kohë kanë qenë disa futbollistë që luajnë me Bajernin, tani dhe prania ime në fushë do t’i vërë nën presion. Kam gjithashtu një ndjesi se do të shënoj gol nëse luaj si titullar. Gjithsesi, këto janë vendime që i takojnë trajnerit dhe unë do e mirëpres, sido që të jetë. Me Drogbanë kemi luajtur disa herë që të dy dhe në fakt kemi bërë paraqitje shumë të mira. Nuk do ishte çudi nëse do luanin edhe në këtë finale”, ka përfunduar sulmuesi spanjoll.











