
Një tjetër vlerësim shkon për skenarin e filmit “Falja e gjakut”. Pas çmimit për “Skenarin më të mirë” në Festivalin e Filmit në Çikago, i cili ndoqi “Ariun e argjendtë” të Berlinales, “Falja e gjakut” nderohet me Çmim Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, në Hamptons të Nju Jorkut. Ky festival nuk ka një çmim të dedikuar për skenarin, por juria nderon filmin me “Çmim Special” me motivacionin: “Për rrëfimin e shkëlqyer që e bën këtë eksperiencë specifike kulturore të ndihet thellësisht personale”. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Hamptons të Nju Jorkut është krijuar 19 vjet me parë, për të vlerësuar punën e kinemasë autore. Festivali i prezanton për herë të parë audiencës së brigjeve lindore të Amerikës një spektër unik filmash ndërkombëtarë, që sjellin vizione të reja dhe eksperienca të ndryshme globale. Pikërisht në këtë festival kanë pasur premierën lindore të Amerikës shumë filma fitues te çmimit “Oskar”, si: “Fjalimi i mbretit” apo “Mjellma e zezë”. “Jam i lumtur për çmimin dhe së pari dua të falënderoj ata njerëz që na besuan dhe ndanë me ne eksperiencat e tyre jetësore”, është shprehur regjisori Joshua Marston. “Jam i nderuar që prezantohemi në një mënyrë të tillë në “East Coast”, i cili ka ngulimin më të madh të shqiptarëve në Amerikë, por edhe të shumë kombeve të tjerë me të cilët ndajmë të njëjtat eksperienca. Nuk e fsheh dot lumturinë, që pas suksesit të filmit në Europë, pritemi në të njëjtën mënyrë dhe në Amerikë”, është shprehur bashkëskenaristi Andamion Murataj.











