“E diell” hap sezonin, çifti Armend dhe Aida preferojnë femra me shumicë

Oct 1, 2011 | 13:34

“E diell” do të rikthehet këtë të diel, si një program argëtues e familjar, të cilin e udhëheqin pesë vajzat simpatike, Xhemi Shehu, Albana Osmani, Diellza Kolgeci, motrat Marina e Luana Vjollca. Përforcimi mashkullor vjen nga aktori Florian Agalliu dhe Adi Pojani i “Big Brother 2”. Gjithsesi, duket se çifti i autorëve kosovarë, Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku, ashtu si vitin e kaluar, kanë menduar të ruajnë të njëjtën mënyrë prezantimi, ku pjesa argëtuese e emisionit të prezantohet nga femrat, të cilat dominojnë në këtë program me orar të zgjatur. Duket se çifti i artistëve kosovarë në këtë eksperiencë për herë të dytë në realizimin e këtij programi, kanë menduar sërish ta kthejnë prezantimin në një moderim në grup me shumë femra, duke e parë si një ide funksionale për një program të tillë familjar, dedikuar një dite të gjatë pushimi. Do të shohim në këtë sezon shfaqjen në ekran të prezantueses Xhemi Shehu, e cila rikthehet në formë shumë të mirë pas lindjes së djalit të saj, Martin. Sipas autorëve Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku, programi “e Diell” do të vijë me risi dhe rubrika të reja. Tërësisht ndryshe nga sezoni i kaluar, spektakli nuk do të jetë vetëm në studio, por edhe jashtë saj, ku nuk mungojnë intervista në vende të çuditshme apo lojëra argëtuese me njerëz të thjeshtë”. Tashmë jemi kureshtarë të shohim detajet e formatit të realizuar nga çifti i autorëve, të cilët sezonin e kaluar e kishin konceptuar të dielën në “Top Channel” si një studio me shumë të ftuar nga Shqipëria e Kosova. Sezoni i ri i programit të të dielave në “Top Channel” nis dy javë më vonë se programi i ngjashëm në “Tv Klan”, “E Diela Shqiptare”, për faktin se të dielat e muajit shtator ishin të mbushura me transmetimin e “Formula 1″ në këtë ekran. Me largimin e Adi Krastës, si prezantues kryesor i programit, drejtuesit e TCh kërkuan ta zëvendësonin me një tjetër prezantues të njohur, siç ishte Alban Dudushi, por si përfundim nuk u ra dakord.

© Panorama.al

Te lidhura