
“Me arsimin nuk mund të bëhet pazar. Është një nga shtyllat bazë të politikave qeveritare”. Këtë deklaratë bëri dje kreu i Senatit dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Ajo vjen një ditë pas publikimit të shkresës zyrtare, me anë të së cilës senati i kërkon Ministrisë së Arsimit detaje teknike, për skemën e re të financimit. “Arsimi nuk është funksion i tregut. Arsimi është funksion bazë i shtetit. Kush mendon për financat personale dhe të xhepit të vet, mund të japë interpretime të tjera. Kush mendon dhe gjykon për reformim financiar, institucional, progresiv le të lexojë një libër finance dhe të reagojë ashtu sikurse duhet të reagohet për këtë zhvillim, në këtë fazë që ka arsimi i lartë në Shqipëri. Ose të jetë reforma britanike e financimit, ose ajo gjermane apo franceze që kanë qenë të suksesshme. Në këtë format që është paraqitur, nuk e dimë se cili model është”, tha Kule. Senati ka kërkuar zyrtarisht të bëhet transparente mënyra si do të përfitojnë universitetet private nga kjo skemë, që në bazë të saj financon studentin, por që nuk është aplikuar në asnjë nga vendet perëndimore apo edhe shqiptare. Modeli që u është ofruar universiteteve, nuk është i duhuri, madje ai është vlerësuar me notën mbetëse 2 dhe 3 nga pedagogët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës. “N.q.s këtë do ta konsideroja si një detyrë kursi të paraqitur për ta vlerësuar një pedagog, unë pashë që gjithë komentet që kishin bërë pedagogët e Ekonomikut, nuk e kishin vlerësuar me notë pozitive. S’kishte marrë as notën 4, ishte midis 2 dhe 3-shit. Skema e pakuptueshme e ofruar ka nevojë që të bëhet e qartë dhe perëndimore”, tha Kule. Rektori i UT-së shprehet optimist ndaj qëndrimeve që do të mbajë Ministria e Arsimit, kundrejt propozimeve të bëra nga Universiteti i Tiranës. Drafti, edhe pse parashikon financimin e lekëve drejtpërdrejt te studenti, në të duhet të rishikohen modelet e shpërndarjes së bursave, të cilat shpërndahen në bazë të metodave të vjetruara.











