Skuadra kampione e Italisë, Milan, ka fituar në një ndeshje që pak kishte shpresa se do ta kthente rezultatin. Si mysafir të skuadrës së Leçes, kuqezinjtë kanë kthyer disavantazhin prej 3-0 në 4-3, duke shënuar katër gola radhazi në pjesën e dytë. Leçe në pjesën e parë shënoi tri herë në portën e Abiatit me anë të Xhiakomacit, Odos me penallti dhe Grosmyler. Në pjesën e dytë Alegri nxori nga loja Robinjon dhe Ambrosinin, duke i zëvendësuar me Boateng dhe Akuailanin, që e ngjallën lojën e Milanit. Madje, Boateng shënoi tri herë radhazi në minutën e 49-të, 55-të dhe 63. Ndërsa Japes i dha fitoren në minutën e 83-të. Gjithsesi, kryesimin në Serie A e ka Udineze (fituan 3-0 me Novarën), me 2 pikë avantazh ndaj Juventusit. Sakaq, fitore e ngushtë për Interin, skuadër që nuk ka shkëlqyer aspak ndaj Kievos. Veronezët, nga ana tjetër, janë treguar të paaftë që t’i krijojnë probleme Hulio Sezarit përgjatë 90 minutave të takimit. Është Tiago Mota ai që ka realizuar golin e vetëm të sfidës në minutën e 34-t. Fitore ka sigluar edhe Roma. Verdhekuqtë mundën 1-0 Palermon, falë golit të Erik Lamelës. Argjentinasi mrekullon “Olimpiko”-n me një të majtë nga vija e zonës së rreptësisë, e cila përfundon brenda portës së Tzorvasit. Ndërsa ka përfunduar në barazim pa gola sfida mes Kaljarit dhe Napolit, rezultat ky që konfirmon krizën që ka përfshirë bardhekaltrit në kampionat, për shkak edhe të impenjimit në Ligën e Kampioneve. Në ndeshjet e tjera, Parma është munduar në shtëpi 1-2 nga Atalanta, ndërsa Siena ka fituar 2-0 ndaj Çezenës.
Hanover i Lalës mund Bajernin
Humbja e parë në transfertë, karton të kuq për Zherom Boateng dhe thyerja e serisë së Nojerit pas 771 minutash, kanë bërë që Bajerni gjigant të zbresë nga qielli i shtatë dhe të dalë me këmbë në tokë nga tapeti i “AWD-Arenës” i Hanoverit, duke u ndëshkuar me dy gola. Në fillim, sulmuesi Mohamed Abdelaue kaloi vendësit në avantazh, duke kthyer në gol një penallti. Sakaq, në minutën e 28-të, për shkak të një sherri, Bajerni mbeti me 10 lojtarë, pasi Boateng doli me të kuq. Në pjesën e dytë, bavarezët u ndëshkuan sërish me anë të Pander. Por do të vinte minuta e 63-të, që Bajerni të merrte frymë pas daljes me karton të kuq të kapitenit të Hanoverit, Sherundolo. Teksa mbetën në lojë 27 minuta, trajneri Hejnkes aktivizoi mesfushorin Alaba, duke i dhënë ekipit më shumë lojë ofensive. Por goli u vonua, ka qenë pikërisht austriaku Alaba që ndëshkon vendësit në minutën 83-të. Ndërsa në ndeshjen tjetër Shalke mundi Leverkusenin falë golit të Farfan (83’).
Hanover-Bajern 2-1
Shënues: Abdelaue 23’ (p), Pander 50’/ Alaba 83’
Kartonë të verdhë: Shulc, Pinto, Shmidebah, Zieler/ Riberi
Karton i kuq: Sherundolo 63’/ Boateng 28’
Hanover (4-4-2): Zieler, Sherundolo (Kahed 71’), Hagui, Pogatec, Shulc (Raush 46’), Shmidebah, Pinto, Shtindël, Pander, Abdelaue (Ja Konan 79’), Shlaudraf.
Trajner: Mirko Slomka
B.Mynih (4-2-3-1): Nojer, Rafinja (Alaba 68’), Boateng, Badshtuber (Petersen 87’), Lahm, Shvajnshtaiger, Gustavo, Myler, Kros, Riberi, Gomez (Oliç 84’).
Trajner: Jup Hejnkes
“Ngjallet” Arsenal, dopio Van Persi
Arsenal ka shënuar edhe një fitore të radhës. “Topçinjtë” e drejtuar nga Arsen Venger kësaj radhe mposhtën skuadrën e Stoke Siti me rezultatin 3-1. Ishte Zhervinjo ai që kaloi vendësit në epërsi me një gol të shënuar në minutën e 27-të të pjesës së parë. Por, Stoke kundërpërgjigjet shpejt me një gol të shënuar nga Piter Kauç në minutën e 34-t, duke ia bërë të vështirë sërish Arsenalit. Por pas shumë sulmesh, në fraksionin e dytë të lojës ishte holandezi, Robin van Persi ai që u dha fitoren vendësve, duke shënuar dy herë në minutat 73 dhe 82. Me këtë fitore, Arsenal ngjitet në vendin e shtatë me 15 pikë në 7 ndeshje.
“Skuqet” e mundet nga QPR-ja Çelsi
Çelsi i Londrës është mundur minimalisht në ndeshjen e djeshme, në fushën e debutuesve të QPR-së, duke iu larguar disi kreut të renditjes. Mjaftoi një gol i Helguson me penallti në minutën e 10-të të pjesës së parë, për t’u dhënë vendësve tri pikë. Sakaq, londinezët luajtën me nëntë lojtarë që nga minuta e 41-të e pjesës së parë, pasi në minutën e 34-t doli Bosingva me të kuq dhe më pas Drogba. Megjithatë, arbitri nuk u ndal me kaq, pasi nxori edhe nëntë kartonë të tjerë të verdhë, nga të cilët dy për vendësit dhe shtatë për blutë e Londrës.











