“Cërrik 1997”, lirohen tre të akuzuarit

Jun 5, 2012 | 13:18
Banda e Cërrikut në gjyq

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda deklaroi dje të pafajshëm tre prej nëntë të dënuarve nga Shkalla e Parë si autorë të “masakrës së Cërrikut”, një prej të cilëve me burgim të përjetshëm. Sipas vendimit të Apelit, ngjarja e 23 majit 1997, ku 6 punonjës të Gardës u vranë dhe 16 u plagosën në një pritë të armatosur, ka vetëm gjashtë fajtorë. U mësua se prishja e vendimit të Shkallës së Parë për tre prej të pandehurve të dosjes dhe deklarimi i pafajshëm i tyre është argumentuar me mungesën e provave dhe fakteve. Në vendim, bashkangjitur pafajësisë, pesëshja gjykuese urdhëronte lirimin e menjëhershëm të të pandehurve të deklaruar jo fajtorë, nëse ata nuk mbaheshin të izoluar për llogari të ndonjë vepre tjetër penale. Vendimi i djeshëm ka qenë surprizë edhe për Ministrinë e Drejtësisë. Menjëherë pas shpalljes së tij urdhëroi nisjen e një inspektimi ndaj këtij vendimi.
VENDIMI
Të pandehurit, për të cilët Gjykata e Apelit e shumëzoi me zero vendimin e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda janë Meti Bozi, Llazar Bicja dhe Skënder Cani. Më “fatlumi” ndër ta ishte i pandehuri Meti Bozi, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm nga Krimet e Rënda në vendimin e shpallur më 20 dhjetor 2011. Për dy të pandehurit e tjerë të deklaruar të pafajshëm, Apeli prishi dënimet me 22 vjet burg për Llazar Bicjen dhe 21 vjet burg për Skënder Canin. E kontaktuar nga gazeta, mbrojtësja ligjore e të pandehurit Llazar Bicja, avokatja Jalldyz Kastrati, tha se Apeli bëri një filtrim të provave të paraqitura nga akuza. “Interpretim i thjeshtë i provave të paraqitura nga palët në Gjykatën e Apelit. U bë një filtrim i plotë i provave”, u shpreh avokatja. Tre të pandehurit e deklaruar të pafajshëm u shfaqën në portën kryesore të paraburgimit 313 vetëm pak orë pas shpalljes së vendimit, ku u pritën nga familjarë dhe të afërm të tyre. Të tre këta të pandehur kanë pretenduar pafajësi që në gjykimin e tyre në Shkallën e Parë.
Vendimi i Apelit la të pandryshuar masat e dënimit për gjashtë të pandehurit e tjerë të dosjes. Kështu, u la në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm për të pandehurit Roland Xhepexhiu dhe Arjan Toska. Për të pandehurit Alban Toska dhe Entel Gashi, gjykata vendosi nga 22 vjet burg. Për të pandehurin Tomorr Buzani, togat e zeza të Apelit lanë në fuqi dënimin me nga 23 vjet burg. I pandryshuar mbeti edhe dënimi ndaj Bujar Buzanit, i cili gëzon statusin e “të penduarit dhe bashkëpunëtorit të Drejtësisë”. Për shkak të këtij statusi dhe përfitimeve prej tij, përfundimisht ai u dënua me 8 vjet burg. U mësua se në fazën e paraqitjes së konkluzioneve të mbrojtjes, të gjithë të pandehurit pretenduan pafajësi para gjykatës, duke pretenduar se nuk kishin të bënin me ngjarjen për të cilën akuzoheshin.

Vendimet e gjykatave
– Meti Bozi
“burg përjetë” në Fakt, pafajësi në Apel
– Arjan Toska
“burg përjetë”
– Roland Xhepexhiu
“burg përjetë”
– Llazar Bicja
22 vjet burg në Fakt, pafajësi në Apel
– Alban Toska
22 vjet burg
– Entel Gashi
22 vjet burg
– Tomorr Buzani
23 vjet burg
– Skender Cani
21 vjet burg në Fakt, pafajësi në Apel
– Bujar Buzani
8 vjet

Nga prita e armatosur mbetën 6 të vrarë e 16 të plagosur

Tanku i djegur në Cërrik, 1997

Si u sulmua me artileri të rëndë autokolona e Gardës dhe Policisë
TIRANE – Ngjarja e njohur si “masakra e Cërrikut” ka ndodhur në qendër të kësaj qyteze mesditën e 23 majit 1997. Një autokolonë me forca të Gardës dhe Forca Speciale të Policisë ra në një pritë të armatosur në qendër të qytezës. Sipas Prokurorisë, të pandehurit në proces kishin organizuar pritën dhe parapërgatitur futjen e njerëzve të shtetit në qytet dhe goditjen e tyre me armë. Po sipas akuzës, më herët ata kishin përhapur panik duke pretenduar se “forcat e Policisë të ardhura nga Tirana kishin për qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave e grave të tyre”. Nga breshëria e plumbave mbi autokolonën me gardistë dhe punonjës policie u vranë punonjës të gardës dhe u plagosën 16 të tjerë. “Ka rezultuar e provuar se makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska, goditje e cila ka dëmtuar zinxhirin e blindit dhe serbratorin e tij, për pasojë ka marrë flakë, shkak ky që ka detyruar efektivët e Gardës të dalin prej blindit. Por, në momentin që zbresin në shesh ata janë gjendur përballë sulmit të pandërprerë me armë zjarri të llojeve të ndryshme nga ana e të pandehurve që kanë qenë të pozicionuar në tarracën e Kinemasë dhe të pallateve përreth sheshit të qytetit. Si pasojë e të shtënave, kanë marrë dëmtime 5 efektiva të Gardës së Republikës (Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Sali Martini dhe Petrit Ndoi), të cilët më pas kanë gjetur dhe vdekjen nga plagët e armëve të zjarrit, si dhe nga këto të shtëna janë plagosur 16 persona të tjerë, Gjergj Gjoka, Ded Margjoka, Ferd Hasa, Agim Biberi, Paulin (Vladimir) Ndoka, Petrit Nikolli, Luan (Leonard) Prenga, Fari Metaliaj, Petrit Gjika, Pashk Doda dhe Sokol Kuçi (efektiva të Policisë dhe të Gardës së Republikës). Kurse një efektiv tjetër, konkretisht Qemal Mehmeti, pas momentit të të shtënave që filluan në qendër të qytetit është munduar që të largohet në këmbë nga qyteti i Cërrikut, por në momentin që ka qenë në afërsi të lagjes Nr.1 duke u larguar, për në drejtim të vendit të quajtur “Ara e Garunjës” është qëlluar me armë zjarri nga një grup personash të armatosur, të cilët janë vënë në ndjekje të tij”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Ministria e Drejtësisë: Të inspektohet Gjykata

Eduard Halimi

TIRANE – Deklarimi i pafajshëm i tre prej të pandehurve të “masakrës së Cërrikut” vuri në lëvizje dje Ministrinë e Drejtësisë. Vetëm pak orë pas shpalljes së vendimit nga Apeli për Krimet e Rënda, Ministria e Drejtësisë urdhëroi inspektim të tij, çka pritet të pasohet me “zbarkimin” e inspektorëve të Ministrisë te Krimet e Rënda. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilave, ministri Eduard Halimi ka urdhëruar një inspektim urgjent të këtij vendimi. “Ministria e Drejtësisë do të kalojë në sitë të gjitha procedurat e ndjekura gjatë gjykimit të dosjes ndaj “bandës së Cërrikut” në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda”, tha një burim i Ministrisë. Inspektimet e këtij lloji nuk janë të panjohura. Kështu, Ministria e Drejtësisë urdhëroi inspektim pas shpalljes së vendimin ndaj Aldo Bares në Apelin e Gjykatës për Krimet e Rënda, në tetor të vitit 2011. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë urdhëroi një inspektim edhe pas vendimit përfundimtar ndaj Kostandin Xhuvanit, në nëntor të vitit të kaluar.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura