“Bomba që vrau Rizikun, u prodhua në Shqipëri”

May 17, 2012 | 15:01
Anwar Rizik, i vrarë në Tiranë

Një bombë e prodhuar në kushte artizanale në Shqipëri ka qenë ajo që i ka marrë jetën zv.drejtorit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, Anwar Rizik. Policia e Tiranës referoi dje në Prokurori gjithë materialet e mbledhura gjatë hetimit njëjavor në lidhje me atentatin e ndodhur pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku gjeti vdekjen shtetasi palestinez. Sipas ekspertimeve dhe procesverbalit të mbajtur nga Policia në vendin e ngjarjes, bomba ka qenë e prodhuar në kushte artizanale në Shqipëri dhe ishte vendosur në derën hyrëse të oborrit të banesës së Rizik, ku ishte lidhur me tel hekuri. “Nga materialet e gjetura në vendngjarje është krijuar ideja e një mekanizmi artizanal shpërthyes, një bombë e thjeshtë e montuar në Shqipëri”, thanë burimet nga hetimi. “Bomba ka qenë e vendosur madje në mënyrë të dukshme në lartësinë e belit të Anwar Rizik dhe me pak vëmendje ai mund ta konstatonte atë të montuar në portën e oborrit”, thanë hetuesit. Sipas tyre, për ngjarjen në fjalë deri tani policia ka marrë në pyetje mbi 100 persona, kryesisht banorë të Fushë- Krujës, të cilët kanë pasur konflikt me fabrikën e çimentos në këtë zonë, për shkak të pronësisë. “Pista kryesore e bazuar në disa të dhëna është konflikti me banorët e zonës, por është vështirë të përqendrohemi te persona konkretë, pasi janë të shumtë banorët që kanë pasur mosmarrëveshje me fabrikën. Këto mosmarrëveshje kanë zgjatur me vite”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, fakti që bomba e vendosur në portën e shtëpisë është prodhuar në Shqipëri, ka krijuar edhe më tepër dyshime se autorët e krimit janë banorë të Fushë-Krujës. Nga të dhënat hetimore mësohet se rreth dy javë para vrasjes me bombë, shtetasi palestinez Anwar Rizik, në cilësinë e përfaqësuesit të fabrikës së çimentos, kishte mbajtur një takim me banorët e Fushë-Krujës. Takimi ishte shoqëruar me tone të ashpra lidhur me ndërprerjen nga fabrika të pagesës, që jepej për banorët si detyrim për pronësinë e tokës dhe ndotjen që shkaktonte fabrika.
Kërcënimet
Anwar Rizik nuk ka pasur kërcënime direkte gjatë punës së tij në fabrikën e Fushë-Krujës, por zyrtarë të tjerë të kësaj fabrike kanë marrë kanosje. Në mars 2012, Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi dënimin e dhënë nga Gjykata e Krujës për shtetasin Fredjan Zalla, i cili akuzohet se i ka dërguar mesazhe kërcënuese menaxherit të fabrikës së Fushë-Krujës, shtetasit Artur Gaba. Fredjan Zalla ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 8 muaj burg nga data 10 qershor 2011 për dërgimin e mesazheve kërcënuese në adresë të menaxherit të fabrikës. Të njëjtën gjë sipas hetimeve ka bërë edhe Bashkim Zalla, një tjetër banor i zonës. Për shkak të konflikteve që ata kanë pasur me pronarët e fabrikës, menjëherë pas vrasjes së shtetasit Anwar Rizik në Tiranë, forcat speciale RENEA shoqëruar rreth 20 persona në Fushë-Krujë. Pasi u pyetën për 48 orë, ata u lanë të lirë pasi nuk kishte prova për mbajtjen e tyre në gjendje arresti. Dy banorë të tjerë të Fushë-Krujës janë arrestuar dhe njëri po hetohet për vendosje eksplozivi në rrugën dhe hekurudhën që lidh fabrikën e çimentos me pjesën tjetër të vendit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura