
Kampionët e prodhimit të birrës shijojnë birrën “Korça”
Nën patronazhin e Lartësisë së Tij, bashkëshortit të Mbretë-reshës së Danimarkës, princit Henri, Konfederata Kulturore e Shoqatave të të Huajve në Danimarkë dhe Bashkia e Kopenhagës, organizuan Festivalin tradicional gala të Kuzhinave Kombëtare. Në këtë aktivitet, synimi i të cilit është forcimi i frymës së mirëkuptimit, miqësisë dhe respektit mes popujve, ftohen të marrin pjesë përfaqësitë diplomatike të akredituara në kryeqytetin danez për të paraqitur në stenda-tryeza të posaçme, gatime dhe pije tradicionale të vendeve nga të pesta kontinentet.
Veç anëtarëve të trupës diplomatike, një numër jashtëzakonisht i madh miqsh dhe të ftuarish nga familja dhe oborri mbretëror, institucionet daneze të nivelit qendror dhe lokal, biznesmenë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kanë rastin të mblidhen së bashku në hollin qendror të ndërtesës madhështore të Bashkisë së Kopenhagës dhe të provojnë nën tingujt e muzikës dhe pjesëve artistike të interpretuara nga artistë të ardhur nga e gjithë bota, shijen e tryezave të vendeve të ndryshme.
Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Danimarkës, ambasadori Arben Cici dhe miqtë shqiptarë ndihmuan në përgatitjen e një tryeze veçanërisht estetike, ofruan me këtë rast bashkë me mikpritjen e mirënjohur shqiptare edhe shijet cilësore të gatimeve e pijeve që përfshinin gjithë trevat shqiptare. Megjithëse dendësia në të gjithë sallën ishte mjaft e dukshme, binte menjëherë në sy prania veçanërisht e madhe e vizitorëve në tryezën e Shqipërisë. Ambasada dhe përgatitësit e tryezës shqiptare kishin treguar kujdes deri në detajet më të imta në paraqitjen e një tryeze sa më estetike dhe interesndjellëse. Ajo ishte konceptuar të transmetonte përtej kulturës dhe traditës së gatimit, shpirtin e pasur të shqiptarit, por sidomos, përmes paraqitjes dhe testimit të shijeve, t’u jepej mundësia vizitorëve të krijonin imazhin e një vendi të bukur në natyrë, shpirt e karakter që ishte në pritje të tyre si vizitorë të ardhshëm. Interes ngjallën në këtë stendë pijet shqiptare, marka e njohur në tregun shqiptar e birrës së famshme ”Korça”, ofruar me bujari nga presidenti i saj, z. Irfan Hysenbelliu.
Ushqimet tradicionale të përgatitura dhe të ekspozuara bujarisht në stendën e Shqipërisë nga biznesmeni Dhimitër Zaka dhe verërat e Rahovecit të ofruara nga biznesmeni Shkëlzen Murati morën përgëzimet dhe vlerësimet më të mira nga shijuesit vizitorë.
Vizitorët e shumtë danezë dhe të huaj shijuan dhe vlerësuan shijen e pijeve të tryezës shqiptare. Për të gjitha këto, tryeza-stendë dhe mikpritja bujare e Shqipërisë, merituan suksesin dhe interesimin e madh që u tregua nga miqtë dhe të ftuarit.
Statistikat tregojnë se Danimarka është një vend me një numër rekord punishtesh dhe fabrikash të prodhimit të birrës. Ajo mbetet një vend kryesues në nivel botëror i prodhimit të birrës. Në raport me sipërfaqen dhe numrin e popullsisë, vendi nordik ruan një emër të mirë në këtë industri dhe danezët vetë mbahen ndër popujt që dinë të prodhojnë e të shijojnë birrë cilësore dhe jo vetëm. Danezët duan jo thjesht një birrë konsumi, por një “birrë experience”. Birra “Korça” kaloi një test ekspertësh me pjesëmarrjen në këtë panair, duke treguar se e meriton preferencën e konfirmuar tashmë në treg.











