
Zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit, që vë në dukje shkeljet procedurale që çuan në prishjen e dënimit me “burgim të përjetshëm” ndaj Aldo Bares, të akuzuarit si drejtuesi i bandës së Lushnjës. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda zbardhi vendimin e 3 tetorit, i cili rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë ndaj Bares dhe e ktheu dosjen për rigjykim. Vendimi i Apelit nxjerr në dritë shkeljet e rënda procedurale të konstatuara në gjykimin e parë. Sipas Apelit, shkeljet procedurale i kanë mohuar të pandehurit Bare të drejtën për të pasur një proces të drejtë dhe të paanshëm. Në arsyetimin e vendimit, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta, rastet e shkeljeve janë konstatuar në një seancë të zhvilluar në mungesë të të pandehurit Bare; në administrimin e disa akteve ekspertimi jashtë kushteve procedurale; në mossqarimin e pozitës së Gramoz Selmanit si i bashkëpandehur apo dëshmitar; si edhe në pyetjen në Ambasadën Shqiptare në Athinë të tre vëllezërve të Artur Dajës.
“Në gjykimin e saj, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda erdhi në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë duhet të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim, pasi nga gjykata janë lejuar shkelje procedurale që e bëjnë vendimin të cenueshëm dhe kanë cenuar të drejtat e të pandehurit për t’u mbrojtur në gjykim”, pohohet në vendim.
Më 3 tetor 2011, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi prishjen e vendimit të 28 shkurtit 2011 të Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda ndaj Aldo Bares, sipas të cilit, Bare dënohej me burgim të përjetshëm. Nga Shkalla e Parë, Bare u deklarua i fajshëm për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave edhe “krijim të organizatës kriminale” dhe “vrasje me paramendim”. Në vijim botohet arsyetimi i vendimit të Apelit rreth momenteve ku, sipas kësaj shkalle të Gjyqësorit, është shkelur procedura. Në seancën e datës 03.02.2010, gjykata ka vendosur ta vazhdojë gjykimin pa praninë e të pandehurit, megjithëse ai kishte kërkuar pjesëmarrjen e tij në këtë fazë të gjykimit. I pandehuri nuk është paraqitur në gjykim, pasi ka qenë i sëmurë, çka është konfirmuar dhe nga mjekja e burgut, por ajo ka bërë shënimin se i pandehuri mund të paraqitej në gjykim. Prokurori i seancës ka deklaruar: “Në kushtet në të cilat ndodhemi, kur i pandehuri ka dijeni për zhvillimin e seancës gjyqësore, por ai përjashton zhvillimin e procesit në prezencë të avokatit Vladimir Meçi, ne nuk mund të vazhdojmë procesin edhe në qoftë se do të deklarojmë mungesën në prani të këtij avokati. Pavarësisht këtyre kushteve, ne kemi deklarimin e të pandehurit që nuk na lejon të vazhdojmë procesin në prani të këtij avokati. Duhet ta shtyjmë seancën gjyqësore dhe të njoftohet i pandehuri Aldo Bare për seancën e ardhshme gjyqësore”. Gjykata, megjithëse ka pasur edhe kërkesë të prokurorit, ka vendosur deklarimin e mungesës së të pandehurit dhe ka vazhduar gjykimin në prani të avokatit Vladimir Meçi, megjithëse i pandehuri kishte kërkuar të mos vazhdonte gjykimi pa praninë e tij vetëm me avokatin Vladimir Meçi. Gjykata, pa arsyetuar pse e ka marrë këtë vendim kur i pandehuri kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij në një seancë tjetër për shkak të sëmundjes, ka vazhduar gjykimin.
ARMAND BAJRAMI











