Kryeministri Berisha u ndal dje në Elbasan, duke prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për Bashkinë e këtij qyteti, Durim Hushi. Duke e cilësuar atë si kryebashkiakun e Elbasanit, Berisha theksoi se në 2013-n, Tirana dhe Elbasani do të bashkohen nëpërmjet autostradës. “Vij te ju, për t’u dhënë fjalën në këtë shesh, se qeveria do të financojë çdo projekt që ju së bashku me Hushin do të hartoni gjatë kësaj fushate. Durim Hushi, në një moment rëndësie për vendin, ju faktoi se përpara se të ishte socialist dhe demokrat, ishte elbasanas, ishte shqiptar”, theksoi Berisha duke iu referuar votës që ka dhënë Hushi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Sipas Kryeministrit, gjatë mandatit që vjen, Elbasani do të ketë unazën dhe bypass-in e tij, do të ketë impiantin e përpunimit të mbetjeve, si dhe kampusin universitar ndër më të bukurit në Shqipëri. “Gjatë javëve që vijnë, së bashku me qytetarin tuaj të parë, do të presim shiritin e autostradës Tiranë-Elbasan, një investim prej 460 milionë dollarësh, autorstradë me 4 korsi dhe një tunel 4.2 km, 7 mbikalime, 4 nënkalime, shumë ura, një shpejtësi qarkullimi 120 km në orë dhe një gjatësi 31.7 km.”, theksoi Berisha.











