Ambasadorja gjermane, Carola Müller-Holtkemper, bën thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit sipas standardeve.Në një intervistë për “Panorama” ajo thotë se këto zgjedhje kanë natyrë lokale, por në Tiranë ato kanë efekt politik.
Cila është perspektiva e situatës aktuale politike në Shqipëri? Si ka ndikuar ajo në imazhin e këtij vendi në skenën ndërkombëtare?
Stanjacioni politik dhe polarizimi që prej zgjedhjeve të qershorit 2009 arritën kulmin me vdekjen e katër personave më 21 janar 2001. Ne shprehim keqardhjen tonë për humbjen e katër jetëve njerëzore – çdo viktimë është e tepërt. E rëndësishme tani është vetëm sqarimi i plotë i ngjarjeve dhe i sfondit të tyre. E në këtë kontekst, rol vendimtar luan një sistem drejtësie i pavarur, pasi në një shtet ligjor sundon ndarja e pushteteve. Por çdo krizë mbart në vetvete një shans: hapi tjetër i ardhshëm është zhvillimi në datën 8 maj i zgjedhjeve komunale korrekte dhe demokratike. Shqipëria do të mundë të dëshmojë në këtë mënyrë, që ajo vazhdon të gjendet në rrugën drejt integrimit në BE. Ndaj edhe unë e përshëndes faktin, që Partia Socialiste dorëzoi pranë Komisionit Zgjedhor në datën 8 mars, brenda afateve të parashikuara, dokumentacionin për regjistrimin e saj për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Një imazh negativ i Shqipërisë jashtë vendit ka efekte të drejtpërdrejta ekonomike mbi qytetarët shqiptarë: shkurtime të vendeve të punës apo mos-hapjen e tyre, nëse sipërmarrjet e huaja tërheqin investimet e planifikuara apo i anulojnë tërësisht ato, apo nëse turistët vendosin t’i kalojnë gjetkë pushimet e tyre. Pra, është në interes të të gjithë pjesëmarrësve ta zgjidhin këtë konflikt me mjete ligjore dhe demokratike.
Si i vlerësoni përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 majit?
Autoritetet kompetente shqiptare janë aktualisht në dialog të ngushtë me OSBE-ODIHR, lidhur me përgatitjet e zgjedhjeve lokale. Në këtë kontekst, është e qartë që përgjegjësia për organizimin dhe zhvillimin korrekt dhe demokratik të procesit zgjedhor bie mbi autoritetet shqiptare.
A mendoni se ka kohë që opozita të marrë garanci të tjera për zgjedhjet apo institucionet zgjedhore aktuale, mund të garantojnë një proces të lirë dhe të ndershëm?
E rëndësishme është, që zgjedhjet lokale të zhvillohen në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të Shqipërisë, në mënyrë që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin e zgjedhësve dhe të pranohet nga të gjitha palët. Zgjedhjet do të shoqërohen nga vëzhgues ndërkombëtarë nën kujdesin e OSBE; edhe Gjermania do të jetë pjesë e këtij procesi.
Opozita i ka konsideruar zgjedhjet lokale si referendum politik kundër qeverisë. Sa do të ndikojë kjo lloj fushate në klimën e marrëdhënieve mes opozitës dhe maxhorancës për zgjidhjen e ngërçit politik?
Në rastin e zgjedhjeve lokale, bëhet fjalë para së gjithash për tema lokale: cili prej kandidatëve ka konceptin më të mirë për zgjidhjen e sfidave lokale, sikurse janë çështjet e transportit, problemet e mjedisit dhe ato që kanë të bëjnë me menaxhimin e mbetjeve dhe kanalizimet. Përgjigjet e këtyre pyetjeve kanë një efekt të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të një komuniteti. Po, sigurisht, zgjedhja e kryebashkiakut të Tiranës, qytetit më të madh të Shqipërisë, njëkohësisht seli e qeverisë, ka në të njëjtën kohë edhe një efekt sinjalizues të rëndësishëm politik. Nëse gara elektorale do të rrjedhë në mënyrë transparente dhe të ndershme dhe zgjedhjet do të zhvillohen korrekte dhe demokratike, atëherë ky mund të jetë një kontribut i rëndësishëm në zgjidhjen e bllokadës së vazhdueshme politike.
A do të ndikojnë problemet aktuale të Shqipërisë në hyrjen e saj në BE?
Bllokada politike, e cila zgjat tanimë që prej më shumë se një viti e gjysmë, është njëra nga arsyet kryesore, që Komisioni i Bashkimit Europian në progres-raportin e tij të fundit nuk rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Progres-raporti i fundit i Komisionit të BE përmend dymbëdhjetë sektorë kyç, në të cilët BE pret të bëhen hapa konkretë përpara. Bëhet fjalë për sektorë qendrorë, sikurse janë funksionaliteti i Parlamentit, demokracia, shteti ligjor dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë. Me hartimin e plan-veprimit, i cili u përmbahet rekomandimeve të Komisionit të BE, qeveria shqiptare ka bërë ndërkohë një hap të rëndësishëm. Kjo rrugë duhet ndjekur me vendosmëri, pasi koha për arritjen e një progresi substancial është shumë e paktë. Gjithsesi këtu kërkohet, që edhe opozita të kontribuojë në mënyrë konstruktive, duke qenë se shumë prej rekomandimeve në raport mund të arrihen vetëm së bashku me votat e opozitës në Parlament. Dëshiroj të theksoj se zgjidhja e problemeve aktuale duhet të realizohet mbi bazën e Kushtetutës së Shqipërisë dhe legjislacionit shqiptar. Krahas kësaj, një rol të konsiderueshëm luan edhe kristalizimi i një kulture politike, e cila respekton kundërshtarin politik – edhe verbalisht – dhe që Parlamentin e sheh si vendin e zhvillimit të një dialogu politik konstruktiv. Kjo do të ishte shenjë e pjekurisë politike, që ne presim prej Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Cilat janë fushat kryesore të bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Gjermanisë?
Rëndësia e madhe, që Gjermania u kushton marrëdhënieve me Shqipërinë, tregohet edhe në angazhimin tonë të konsiderueshëm në sektorin e bashkëpunimit ekonomik. Që prej fillimit të marrëdhënieve tona të bashkëpunimit për zhvillim në vitin 1988, Gjermania ka vënë në dispozicion të Shqipërisë rreth 1 miliard euro, duke e pozicionuar kështu Shqipërinë si njërin prej vendeve me përqindjen më të lartë të ndihmës për frymë në kontekstin e bashkëpunimit tonë dypalësh ekonomik. Këtu shtohet edhe pjesëmarrja e Gjermanisë në vlerën e 1/5 së fondeve të Bashkimit Europian në mbështetje të Shqipërisë, si dhe pjesëmarrja jonë në projekte të Bankës Botërore, UNDP, EBRD etj. Në shumën e pothuaj 1 miliard eurove nuk janë përfshirë edhe forma të tjera mbështetjeje, sikurse janë bursat apo bashkëpunimi ushtarak. Nëse shikoni, që ne vetëm që prej vitit 2008, dhe vetëm në nivel dypalësh, pa llogaritur pra pjesëmarrjen tonë në asistencën e BE, kemi vënë në dispozicion të Shqipërisë më tepër se 200 mil. euro, atëherë është i qartë intensifikimi i angazhimit tonë. Objektivi ynë është që së bashku me qeverinë shqiptare dhe donatorët e tjerë ta bëjmë Shqipërinë sa më shpejt të aftë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. E, në funksion të kësaj, ne kemi përcaktuar si sektorë kyç atë të ujësjellës-kanalizimeve, furnizimin me energji elektrike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Krahas kësaj, në Shqipëri operojnë në mënyrë aktive firma gjermane, të cilat sjellin këtu përvojën e tyre dhe hapin vende pune.
Po bashkëpunimi në fushën kulturore? Si do ta përkufizonit atë?
Marrëdhëniet intensive mes Gjermanisë dhe Shqipërisë gjejnë shprehjen e tyre edhe në angazhimin tonë në fushën e kulturës. Në vitin 2010 u zhvillua për të katërtën herë radhazi “Tetori Gjerman” me moton “20 vjet në rrugëtim”. Me ekspozita, seminare, konferenca dhe shfaqje filmash ne kishim dëshirën të zgjonim interesin për të analizuar njëzet vitet e fundit, por edhe tendencën e zhvillimit të mëtejshëm të shoqërive tona. Në vitin 2011 do të organizojmë sërish një “Tetor Gjerman”, i cili këtë herë do të trajtojë një temë të rëndësishme të së ardhmes, pikërisht ndryshimet klimaterike dhe energjitë e rigjenerueshme. Po kështu, shpërndarë përgjatë gjithë vitit, në mënyrë të ngjashme me Tetorin Gjerman, vazhdojnë të organizohen koncerte, shfaqje teatrale dhe ekspozita. Një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet kulturore luajnë ndërmjetësit tanë në fushën e kulturës sikurse është Qendra e Gjermanishtes, DAAD (Programi Gjerman për Shkëmbimet Akademike), Enti Qendror për Arsimin Jashtë Vendit si dhe dy profesorët e Institutit Herder, të cilët janë të ngarkuar me nxitjen e mësimit të gjuhës gjermane, krijimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes shkollave të larta, ngritjen e seksionit bilingual, dhënien e bursave studimore, por natyrisht edhe me organizimin e aktiviteteve kulturore. Këtu është fjala për krijimin e një rrjeti pjesëmarrësish jo vetëm nga Shqipëria por nga mbarë rajoni, si dhe për orientimin e vëmendjes drejt iniciativash të spikatura në Shqipëria. Një shembull i bukur në këtë kontekst ishte prezantimi publik i një orkestre rinore harqesh në muajin shkurt, në ambientet e Ambasadës Gjermane.
Si po promovohet gjuha gjermane në Shqipëri?
Gjuha gjermane është gjuha amtare e më shumë se 100 milionë. njerëzve në Europë. Gjermanishtja është gjuha më e rëndësishme e biznesit në Europë, në mënyrë të veçantë në atë Lindore dhe Qendrore. Ndaj, njohuritë e gjuhës gjermane mund të përmirësojnë në mënyrë të vendimtare mundësitë në profesion dhe karrierë dhe e bëjnë udhëtimin në Europë shumë më të thjeshtë. Angazhimi ynë në nxitjen e gjuhës gjermane si gjuhë e huaj, mbështetet shumëfish: shumë konsulentë dhe mësues nga Gjermania japin mësim për dhe në gjuhën gjermane në Tiranë dhe qytete të tjera. Ata po luajnë një rol thelbësor në ngritjen e seksionit bilingual në një shkollë të mesme dhe disa shkolla nëntëvjeçare në Tiranë, projekt ky që ne e ndjekim në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit këtu. DAAD dhe dy profesorë të Institutit Herder mbështesin bashkëpunimin mes shkollave të larta gjermane dhe shqiptare, këshillojnë rreth mundësive të studimit dhe të përftimit të bursave për këtë qëllim në Gjermani, si dhe mbajnë leksione në fusha të ndryshme. Ne realizojmë çdo vit Olimpiadën e Gjuhës Gjermane, fituesit e së cilës mund të vizitojnë një kurs veror në Gjermani apo të marrin çmime të tjera interesante. Dhe natyrisht ka një kërkesë të fuqishme për ofertat e kurseve të gjuhës gjermane nga Qendra e Gjermanishtes.
RUDINA HOXHA











