‘Xhuvani vrau në kapërcim të mbrojtjes’

Nov 25, 2011 | 9:04

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Tiranës për dënimin me 2 vjet burg të Kostandin Xhuvanit, i deklaruar fajtor për vrasjen e 26-vjeçarit Alfred Musabelliu në shkurt të këtij viti në kryeqytet. Xhuvani, djali i artistëve Gjergj e Luiza Xhuvani, kjo e fundit edhe deputete në Kuvendin e Shqipërisë, u deklarua i fajshëm pak ditë më parë për akuzën e “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Në të njëjtin vendim, të shpallur nga gjyqtari Gerd Hoxha, u dënua me 14 muaj burg edhe Albi Zela, për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Sipas vendimit, një debat i rëndomtë mes djemve të së njëjtës lagje, i nisur pas konsumimit të disa gotave alkool, ka qenë fillesa e pasuar me një zinxhir zënkash që përfundoi me një të vrarë dhe dy të dënuar me burg.

Referuar vendimit të Gjykatës, i pandehuri Kostandin Xhuvani ka qëlluar drejt Alfred Musabelliut, teksa kishte parë që ky i dyti i drejtoi një pistoletë dhe i tha që do ta vriste. Por, Xhuvani nuk e dinte që pistoleta e Musabelliut ishte lodër, një pistoletë imitim.
DËSHMIA E XHUVANIT
Në deklarimet që ka dhënë në polici pas vetëdorëzimit, Kostandin Xhuvani ka rrëfyer me pikë e me presje si kishte nisur konflikti mes tij dhe Alfred Musabelliut, nga një shpullë në fytyrë, pas një debati banal, e deri tek drejtimi i tytave të armëve njëri-tjetrit. Në vendimin e Gjykatë ndodhej i plotë deklarimi i Xhuvanit, i cili botohet me shkurtime në vijim. “Unë viktimën, shtetasin Alfred Musabelliu, e kisha shok qysh prej një viti dhe me të jam njohur në lagje, pasi ishim që të dy banorë të një lagjeje. Me viktimën Alfred Musabelliu jam konfliktuar në ambientet e shkollës “Labinoti”, dy muaj para se të ndodhte ngjarja. Sherri midis nesh ka filluar për motive të dobëta. Mbaj mend se ditën që jam konflikttuar me viktimën, isha duke pirë në lokalin e shtetasit Xhevat K., së bashku me dy shokët e mi, njëri vëllai i viktimës, shtetasi R. Musabelliu dhe shtetasi Erlad S. Mbasi pimë disa gota raki, dolëm nga lokali dhe u bashkuam me shokë të tjerë të lagjes dhe konkretisht me viktimën, shtetasin Alfred Musabelliu, Elton A., Andi G., Albi Zela dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve nuk i kujtoj për momentin. Në kohën që u bashkuam me të tjerët, shtetasi Elton A. dhe Erlad S. filluan të konfliktoheshin me fjalë me njëri-tjetrin. Në këtë kohë, ndërhynë në debat shtetasi Alfred Musabelliu në ndihmë të Eltonit, të cilin e kishte shok të ngushtë dhe ndërkohe futem edhe unë në debat për t’i ardhur në ndihmë Erald S.. Atë natë thjesht debatuam me fjale me njëri-tjetrin, por pa u konfliktuar dhe ofenduar me fjalë. Të nesërmen vjen personalisht për të më takuar shtetasi Alfred Musabelliu. Unë isha te shkolla “Labinoti”, së bashku me dy shokët e mi, Albi Zelen dhe Donald Y. Si erdhi, m’u drejtua me fjalët: “Meqenëse mbrëmë ishe i pirë, hajde të flasim sot, kush je ti që më ngre zërin mua” dhe pa mbaruar fjalët më qëlloi me shpullë. Në këtë kohë ndërhyri Albi me Donaldin për ta qetësuar Alfredin dhe më pas folëm qetësisht dhe arritëm të pajtoheshim me njëri-tjetrin. Një ditë më pas, me sa mësova nga shoku im Albi Zela, shtetasi Erald S. ditën që kishte dhe ditëlindjen e tij ishte duke pirë me shoqërinë tonë, në të cilën isha dhe unë, por u largova më pas. Në ambientet e shkollës ku ata ishin duke pirë, kishte shkuar shtetasi Alfred Musabelliu, së bashku me Elton A. dhe në kohen që kishte shkuar Erald S. i kishte thëne përse bëre sherr me Kostandinin, në thjesht debat bëmë. Në këtë kohë, Alfredi siç ishte me shishen e alkoolit në dorë, e godet Eraldin në kokë. Në këtë kohë futet Elton A. në ndihmë të Alfredit, ndërsa Albi Zela në ndihmë të Eraldit. Mbasi ishin konfliktuar për një kohë të shkurtër, 5-10 sekonda, me ndihmën e personave të tjerë ndahen dhe largohen nga shkolla”, citohej deklarimi i Xhuvanit në vendimin e Gjykatës. Po sipas deklarimeve të tij, në vijim shokët e Kostandin Xhuvanit ishin sulmuar disa herë nga viktima Hysenbelliu dhe shokët e tij në forma të ndryshme, duke i qëlluar automjetin me gurë, apo duke goditur me sende të forta Donald Y. Por, sipas Xuvanit, vendimin për të blerë një pistoletë ai e kishte marrë, pasi një fëmijë i lagjes i kishte thënë se me porosi të Alfed Musabelliut kishte shkuar në banesën e tij për ta thirrur për llogari të tyre. “U shqetësuam për këtë fakt, pasi si unë dhe Albi e dinim që Alfredi me Pjerinin mbajnë armë zjarri pistoletë me vete dhe se si Fredi dhe Pjerini kanë qenë të dënuar më parë, njëri për drogë dhe tjetri për pengmarrje. Duke ditur rrezikshmërinë e tyre, pasi siç deklarova dhe më lart kanë qenë shokët tanë dhe i njihja nga afër se kush ishin, u detyrova të blija një armë zjarri pistolete kundrejt vlerës 500 euro, tek një person i quajtur Beni, gjeneralitetet e sakta të të cilit unë nuk i di, por di që rri diku te Brryli dhe nëse e shikoj, jam në gjendje të bëj njohjen fizike të tij. Armen e bleva me qëllim që të mbrohesha”, ka rrëfyer Kostandin Xhuvani. Për ditën e ngjarjes, momentin e parë të përballjes me viktimën Xhuvani, e ka shpjeguar: “Futet në oborr shtetasi Alfred Musabelliu dhe Pjerin P., ku Alfredi ne dore mbante një pistolete, të cilën fillimisht ma drejtoj mua duke me sharë ‘o të q… nënën, motrën dhe robt e shtëpisë’ dhe më tha ‘mos lëviz nga vendi se do të vras’. Nuk reagova fare nga fjalët që më tha Alfredi dhe qëndrova në vend pa lëvizur. Më pas, Alfredi u fut në banjë, i vuri pistoletën në kokë Albit, e shau me fjalë fyese dhe i tha se ti do të vish me ne tani. Ndërkohë ndërhyra unë, duke i thënë çfarë bën kështu o Fred, nuk shkon ky muhabet, ne jemi shokë”. Ndërsa momentin që ka qëlluar mbi Musabellin e sqaron: “Në përleshje e sipër në kohën që unë po mundohesha t’i merrja armën nga dora Alfredit, rrëshqitëm të dy në banjë dhe ramë në dysheme sipër bidesë. Në kohën që ramë në dysheme, Alfredi shprehu fjalët ‘më theve dorën o të q… robt’dhe u ngrit me shpejtësi në këmbë dhe mbasi u ngrit, mbushi pistoletën që mbante ende në dorë dhe ma drejtoi atë mua. Në këtë çast për t’u mbrojtur dhe i tmerruar nga reagimi i Alfredit, nxora nga brezi pistoletën që kisha blerë ditë më parë, e mbusha atë dhe qëllova njëherë në drejtim te tij, ku si pasojë Alfredi ra në dysheme brenda në banjë”. “Theksoj se ndihem totalisht i penduar për çfarë kam kryer, dija që Alfredi me Pjerinin ishin të rrezikshëm dhe mbanin armë me vete, por nuk e dija që arma e Alfredit nuk ishte e vërtetë. Ngjarja ka ndodhur në kohë shumë të shkurtër dhe duke parë presionin që po bënte Alfredi kunderjtë meje dhe Albit dhe në momentin që ai e mbushi atë, më detyroi që edhe unë si kundërpërgjigje për t’u mbrojtur ndaj sulmit të qëlloj ndaj tij. Kam qëlluar vetëm njëherë me pistoletë në drejtim të Alfredit ditën e ngjarjes, kisha gjithsej pesë fishekë, katër nga të cilët po ua dorëzoj së bashku me pistoletën”, ka përmbyllur Xhuvani deklarimin e tij. Sipas vendimit, pas këqyrjes së kufomës së Musabellit kishte rezultuar “vetëm një plagë hyrëse dhe dalëse me drejtim nga para-mbrapa, nga lartë-poshtë, me vrimë hyrje poshtë syrit të majtë dhe dalje në pjesën e pasme të qafës në krahun e djathtë”.
GJYKATA
Nga shqyrtimi gjyqësor i akteve të ndodhura në fashikullin për gjykim rezulton se ngjarja ka ndodhur në këto rrethana: Viktima, shtetasi Alfred Musabelli, më datë 12.02.2011, rreth orës 07:00, së bashku me dy shokët e tij, shtetasit Andi G. dhe Pjerin P., me automjetin e Andit kanë shkuar në banesën e shtetasit Albi Zela, për t’u sqaruar në lidhje me një konflikt që kishin pasur më parë me njëri-tjetrin, me kërkesën e Alfredit. Si kanë shkuar tek banesa e Alfredit, kanë zbritur nga makina Alfredi dhe Pjerini, ndërsa Andi ka qëndruar në makinë dhe ka pritur në rrugën qorre që ndodhet në krahun e majtë të banesës së Albit. Alfredi me Pjerinin pasi kanë zbritur nga automjeti, janë futur në banesën e shtetasit Albi Zela, për shkak se porta kryesore e banesës ka qenë gjysmë e hapur. Brenda banesës ndodhej i pandehuri Albi Zela, i cili në atë kohë ka qenë në banjë, duke larë dhëmbët. Ndërsa, i pandehuri Kostandin Xhuvani sapo ka dalë nga banesa e Albi Zelës, duke pritur këtë të fundit, për të shkuar më pas me makinën e Albit në Elbasan, ku dhe do të jepte një provim.
Ndërkohë në banesë është futur viktima Alfred Musabelliu dhe shtetasi Pjerin Prenga. Viktima Alfred Musabelliu mbante në dorë një pistoletë, të cilën ia ka drejtuar në fillim Kostandinit duke i thënë: “Mos lëviz se do të q..robt, do të vras” dhe më pas është futur në banjë, ku ka qenë duke larë dhëmbët i pandehuri Albi Zela. Viktima menjëherë ia ka vënë pistoletën në kokë Albit dhe i është drejtuar me fjalët se ti do të vish me ne. Në këtë çast, Kostandini, i cili po debatonte me shtetasit Pjerin P. dhe Andi G., është shkëputur prej tyre dhe ka ndërhyrë, duke i thënë “O Fred jemi shokë, çfarë bën”. Viktima Alfred Musabelliu i ka thënë përsëri të pandehurit Kostandin Xhuvani: “Rri urtë se të vrava dhe ty”. Në këtë çast Kostandini, i cili ndodhej në distancë të afërt me Alfredin i ka kapur dorën, duke ia ngritur atë lart. Për pasojë, viktima Alfred Musabelliu dhe i pandehuri Kostandin janë përleshur me njëri-tjetrin dhe në sherr e sipër kanë rënë në dyshemenë e banjës (rrethana të provuara edhe me akt-ekspertimin mjekoligjor, ku konstatohen hematoma në dorën e viktimës). Në këtë kohë, Alfredi është shprehur se “më theve krahun o të q… robt” dhe është ngritur me shpejtësi në këmbë dhe menjëherë ka mbushur pistoletën, që kishte ende në dorë dhe ia ka drejtuar Kostandinit (rrethana e provuar me procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku është gjetur dhe sekuestruar një fishek kalibër 8mm blank, imitues zhurmash). Në këtë çast, pasi ka parë veprimin e viktimës Alfred Musabelliu edhe i pandehuri Kostandin Xhuvani ka nxjerrë nga brezi armën e zjarrit pistoletë, të cilën kishte disa ditë që e kishte blerë dhe e mbante me vete, pa lejen e organeve kompetente, e ka mbushur atë dhe ka qëlluar një herë në drejtim të Alfredit, duke e lënë të vdekur në vend. Nga aktet e administruara rezultoi se i pandehuri Kostandin Xhuvani e mbante këtë armë nga frika, pasi ka qenë në konflikt të ashpër me viktimën Alfred Musabelliu dhe shokët e tij, të njohur si persona me precedentë penalë dhe të dënuar, konflikt i cili sipas dëshmitarëve ka degjeneruar edhe në përplasje me armë, ngjarje të cilat nuk janë denoncuar në polici, (rrethanë e provuar me procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku është gjetur vetëm një gëzhojë, si dhe kufomës dhe akt-ekspertimin mjekoligjor, ku përcaktohet se kufoma ka vetëm një vrimë hyrje e dalje). Më pas, i pandehuri Kostandin Xhuvani ka marrë pistoletën e tij edhe atë të viktimës, ka shkuar në shtëpi, ku ka pastruar fashuar dorën, të cilën e ka dëmtuar në përleshje me Alfredin (rrethana të provuara me procesverbalin e këqyrjes së banesës së shtetasit Gjergji Xhuvani, sekuestrimin e rrobave me njolla gjaku dhe akt-ekspertimin biologjik krahasues, ku rezulton se gjaku i gjetur në rroba është i të pandehurit Xhuvani). Më pas, i pandehuri ka marrë lekë dhe pas është larguar nga shtëpia. Ka marrë në telefon shtetasin Ermal Gj., të cilit i ka kërkuar makinën pa i thënë se për çfarë i duhej dhe çfarë kishte bërë, dhe është larguar fillimisht në Farkë. Kur ka arritur në këtë fshat, i pandehuri Xhuvani ka braktisur makinën dhe më pas është strehuar në një shpellë në Priskë. Ditën tjetër në mëngjes, i pandehuri Xhuvani ka konstatuar se pistoleta e viktimës Alfred Musabelliu ishte imituese zhurmash, e ka hedhur në lumin e Priskës. Më pas ka zbritur në qytet dhe me makina të linjës është larguar nga Tirana, duke u strehuar në një banesë të braktisur në qytetin e Fierit. Më pas, më datë 23.05.2011 është vetëdorëzuar në polici, së bashku me armën e krimit, ku ka dhënë edhe shpjegimet e parashtruara edhe më sipër në këtë vendim. I pandehuri ka qenë bashkëpunues me organet e ndjekjes penale dhe ka shprehur pendimin e tij të thellë për ngjarjen e ndodhur. Por, sikundër theksuam edhe më sipër, ky i pandehur pretendon se ka qenë në kushte e mbrojtjes së nevojshme, e parashikuar nga neni 19 i KP dhe për pasojë, është i pafajshëm për vrasjen e shtetasit Alfred Musabelliu. Sikundër rezultoi e provuar nga tërësia e veprimeve hetimore dhe akteve proceduriale të cituara më lart, Gjykata arrin në përfundimin se sulmi ndaj shtetasit Kostandin Xhuvani ka qenë i padrejtë, ka qenë real, i vërtetë dhe i çastit. Por, karakteri i mbrojtjes së realizuar nga i pandehuri Kostandin Xhuvani ka qenë pak më i lartë se karakteri i sulmit të ndërmarrë nga viktima Alfred Musabelliu ndaj tij. Gjykata arrin në këtë përfundim nisur nga fakti i provuar se mjeti i përdorur nga viktima Alfred Musabelliu, pistoletë imituese zhurmash, nuk është në proporcion të drejte me mjetin e përdorur nga autori Kostandin Xhuvani, armë zjarri. Në këto kushte, rezulton se vepra penale e konsumuar nga shtetasi Kostandin Xhuvani është kryer në kushtet e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dhe jo në kushtet e kësaj mbrojtjeje, të parashikuar nga neni 19/1 i KP.

© Panorama.al

Te lidhura