
Shqipëria nuk ka se çfarë të humbë kundër Francës dhe Rumanisë. Pas humbjes me Luksemburgun është një utopi të mendosh tani se mund të lëmë dy skuadra pas në këto eliminatore. Kundër Francë të premten në mbrëmje për skuadrën e Kuzhesë do të jetë një mision thuajse i pamundur që të dalë e pamposhtur.
Jo vetëm sepse po luan kundër një skuadre të rangut botëror, as sepse po luan jashtë, por sepse ka shumë mungesa dhe vjen me një moral të dobët. E megjithatë, Elis Bakaj, një nga mesfushorët më premtues të Kombëtares sonë nuk i pëlqen të bëjë pesimistin, përkundrazi, ai mendon se Shqipëria duhet të luajë pa kurrfarë droje në “Parc de Princes” të Parisit dhe të sulmojë, pasi nuk ka asgjë për të humbur. Në konferencën e djeshme për shtyp, fantazisti që luan te skuadra e Dinamos së Bukureshtit, ka folur edhe për momentin e mirë që po kalon në Rumani.
Keni kohë që të prisni të luani nga fillimi me përfaqësuesen. A ndjeheni se ka ardhur momenti?
Unë jam lojtar dhe nuk më takon mua që ta bëj diçka të tillë. Është në dorën e trajnerit të bëjë zgjedhjet dhe në dorë të specialistëve për të dhënë mendimin. Gjithsesi, ne jemi të vetëdijshëm se çdo gjë është me cikël. Disa do e mbarojnë tani, më pas do na takojë neve ta mbyllim me futbollin. Por, ama për aq kohë sa do të na jepet mundësia të zbresim në fushë, duhet që ta justifikojmë veten.
Duhej patjetër që të mungonte Skela që ju të projektoheshit për të luajtur si titullar…?
Shikoni, unë e kam përsëritur shpesh se çdo lojtar ka dëshirë të luajë sa më shumë. Jam përpjekur të jap maksimumin në ato minuta që më janë besuar. Nëse do të më jepet mundësia që të luaj, edhe pse është një ndeshje shumë e fortë, do të jap më të mirën që të justifikoj veten.
Franca është një emër i madh, ju e konsideroni fat apo jo që të luani titullar përballë një skuadre të tillë?
Franca është një ekip shumë i fortë dhe ta imponon lojën. Ne jemi të ndërgjegjshëm se do ta përdorin ata topin më shumë dhe për ne lojtarët ofensivë do të jetë më e vështirë. Por, gjithsesi, është një kënaqësi shumë e madhe që të luash ndaj Francës dhe në “Stade de France”, ku çdo lojtar e ka ëndërr që të luajë.
A ka ardhur momenti për të ndryshuar këtë cikël?
Nuk më takon mua dhe nuk mund të them gjë për këtë. E vetmja gjë që mund të pranoj është se jam gati kur trajneri ta gjykojë të arsyeshme.
Nga shtypi rumun kemi mësuar se trajnerit i keni kërkuar të luani nga fillimi, a mund të na thoni diçka për këtë?
Po, i kam kërkuar më shumë minuta, pasi duke luajtur më shumë do të kem më shumë mundësi për ta shfaqur veten.
Si i keni marrëdhëniet me trajnerin?
Shumë të mira. Ai ka besim tek unë e më ka aktivizuar, edhe unë e kam justifikuar veten.
Shqipëria luajti mirë me Francën në pjesën e dytë. Mund të jetë kjo një pikënisje për të bërë surprizën e madhe?
Personalisht, mendoj se nuk duhet të luajmë në mbrojtje për motivin e thjeshtë se nuk kemi çfarë të humbasim. Në dy vjet kemi bërë vetëm një ndeshje të dobët, atë kundër Luksemburgut, dhe përderisa ne duam t’i marrim pikë Francës, përse të mos rrezikojmë? Sigurisht, Luksemburgu për ne ishte një ndeshje tragjike. E kemi vuajtur shumë, pasi jemi ne ata që kemi luajtur dhe përgjegjësia na bie ne, por nuk mund ta hedhim poshtë të tërë sezonin. Në Francë nuk duhet të shkojmë si inferiorë dhe as me kokën ulur. Nuk kemi presion, nuk kemi çfarë të humbasim.
Bulku: Luksemburgu fatal, por mjaft na kryqëzuat
Ervin Bulku nuk ishte titullar kundër Luksemburgut, por gjithsesi, ai i del në mbrojtje ekipit dhe kërkon që të mos kritikohet më ashpër, edhe pse humbja e fundit ishte fatale. “Kanë mbetur edhe dy ndeshje dhe nuk duhet të nxitohemi për të rritur tonet kritike ndaj kësaj Kombëtareje. Me përjashtim të humbjes me ekipin e Luksemburgut, nuk gjykoj se rezultatet e tjera duhet të befasojnë. Pasi të mbarojnë këto dy takime, atëherë është detyrë e federatës të zhvilloj analizën zyrtare, dhe mbi këtë bazë të vendosë pikat mbi “i”. Të gjykojë mbi ecurinë dhe vlerat e ekipit, por edhe të evidentojë të metat dhe dobësitë për të ruajtur prezantimin e arritjeve më të mira. Atmosfera në ekipin është e mirë dhe optimiste. Ashtu sikundër ne u mundëm me Luksemburgun, nuk ka pse të habisë kurrkënd që mund të bëhet ndonjë surprizë në Francë”, tha mesfushori dje në konferencë.
Sallaj: Franca, më emocionuese se Argjentina
Agonit Sallaj e pranon se ky është një rast i artë për të treguar se mund të bëhet pjesë e Kombëtares atëherë në një moshë fare të re. “E kam pritur me shumë entuziazëm kërkesën e trajnerit Kuzhe për të qenë pjesë i ekipit kombëtar të Shqipërisë. Është grumbullimi i parë në një ndeshje zyrtare me këtë Kombëtare dhe e trajtoj atë si nxitje për karrierën time sportive. Kam qenë i grumbulluar edhe kundër Argjentinës, por ajo ishte thjesht një miqësore. Unë jam 19 vjeç dhe prezenca këtu si përfaqësues i futbollit shqiptar më shton detyrimin për ta justifikuar atë. Ndeshjen e fundit me Luksemburgun nuk kam pasur rast ta ndjek, por jam i gatshëm të manifestoj në fushën e lojës cilësitë e mia më të mira. Kampionati zviceran është i fortë dhe interesant. Besoj se kënaqësia që ndjej me këtë rast është e vlefshme të trajtohet nga çdo lojtar i ri”, tha Sallaj.











