‘Bojkoti arriti qëllimin. Rama-Topi, i shoh bashkë’

Oct 14, 2011 | 11:17

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka deklaruar sot se përgjegjës për refuzimin e statusit të vendit kandidat në BE, është bojkoti i qëllimshëm i opozitës dhe liderit të saj, Edi Rama. Duke renditur arritjet e bëra në dy vite, ajo theksoi se pa miratim kanë mbetur vetëm ligjet që kërkojnë votat e opozitës, e sikur të ishte prej saj, shqiptarët sot e kësaj dite do të mbeteshin pa viza.

“Ka një problem, bojkoti, bojkoti. Bllokimi që ja ka arritur qëllimit, qe për herë të dytë Shqipëria nuk ka status dhe do e paguajnë këtë sjellje të panevojshme të papranueshme që ka koston e vet. Në 12 kriteret, janë ligji për Gjykatën Administrative që është prej 3 vitesh në kalendarin e kuvendit dhe opozita nuk pranon ta votojë. Çdo reformë që ka votat e mazhorancës ka kaluar. Heqja e vizave ishte vetëm me votat e mazhorancës se të varej prej opozitës do kishim ngelur. Ligji për reforma zgjedhore, po pres të ngrejmë grupin e punës. Heqjen e imunitetit”- tha Topalli, gjatë një konference për shtyp me deputetë të Bundestagut gjerman.

Ajo ka rikonfirmuar deklaratën e dhënë në intervistën më të fundit për kreun e shtetit, i pozicionuar majtas. “Sa i takon bllokazhit unë i kam parë bashkë gjatë gjithë kësaj kohe, z Topi dhe z Rama”- tha Topalli.

© Panorama.al

Te lidhura