Zëvendësprokurori federal belg, leksion te “Luarasi”

Dec 15, 2016 | 7:00
SHPËRNDAJE

Ngjarjet e fundit terroriste në shumë vende të botës, veçanërisht në Europë, kanë shtruar nevojën e gjetjes së mekanizmave më efektivë për ta luftuar atë.

Edhe Shqipëria nuk është imune ndaj këtij fenomeni e, shpesh, edhe subjekt i ngjarjeve të tilla në Europë e më gjerë. Pikërisht në lidhje me këtë temë, kolegji universitar “Luarasi” priti dje në auditorët e tij zëvendësprokurorin e përgjithshëm të Belgjikës, Eric Bisschop.

15536654_1365542136813655_1874547538_o

Pas tri ditësh qëndrimi në Tiranë, numri dy i Prokurorisë belge gjeti kohën të referojë në universitetin më të mirë privat mbi vështirësitë që hasin autoritetet publike në menaxhimin e situatave të tilla. Bisschop bën thirrje për më shumë bashkëpunim në kushtet e një krize që po kalon gjithë shoqëria në përgjithësi.

“Që pas Luftës së Ftohtë, ne jemi në rrezik si shoqëri, pasi në çdo moment mund të ndodhë diçka e paparashikuar. Që pas sulmeve të këtij viti në Belgjikë, ne jemi në gjendje alarmi dhe bashkëpunojmë me të gjitha shtetet.

Bashkimi Europian gjithashtu investon miliona euro për investigime të tilla. Problemi është se terrorizmi është kompleks. Kemi të bëjmë me njerëz që për një moment marrin një armë dhe vrasin disa persona. Ne nuk mund të hyjmë në mendjen e tyre”.

Sipas Bisschop, shumica e atyre që kryejnë krime janë të huaj.

15556616_1365541966813672_1481163998_o

Për fat të keq, shqiptarët renditen të pestët në listën e popujve që paraqesin rrezikshmëri. Sa i takon luftës ndaj një tjetër fenomeni negativ, korrupsionit, interesi i veçantë i studentëve të “Luarasit” ishte nëse rritja e pagave mund të ndikojë në uljen e tij. Një çështje e tillë nuk kaloi pa batuta nga ana e zv. kryeprokurorit belg.

“Rroga ime është e lartë dhe e konsideroj veten një person të pakorruptueshëm. Por, në momentin që do të më ulet paga, do ta mendoja edhe një herë këtë. Nëse gjyqtarët dhe prokurorët nuk marrin paga për të bërë një jetë dinjitoze, gjithmonë do të jetë ky rrezik”.

Sipas tij, rritja e pagave, një ndër elementët e Reformës në Drejtësi, është ndër më pozitivet, pasi një gjyqtar nuk mund të paguhet njëlloj me një person të sapodiplomuar, duke e arsyetuar me faktin se një gjyqtar nuk mund të gjykojë me paanshmëri me barkun bosh. Sa u takon sanksioneve për ata që bëjnë krime, gjatë leksionit të hapur u fol për gjykimet e ndryshme.

Sipas Bisschop, për të njëjtën vepër penale, Shqipëria ka dënime shumë më të forta sesa shtete të tjera, si Belgjika. I pyetur mbi rastin e deputetit Frroku, që po shqyrtohet nga zyra e tij, ai refuzoi të përgjigjet për aq kohë sa çështja është në gjykim. Ajo çka përbën më shumë shqetësim në zbatimin e drejtësisë, kryesisht në vendet e ish-bllokut komunist, është fakti se Prokuroria shihet si dora e fortë e shtetit, si mjet i pushtetit ekzekutiv për të ushtruar presion apo imponuar diçka.

Eric Bisschop është emëruar në detyrën e zëvendësprokurorit të përgjithshëm të Belgjikës që prej vitit 2002 e vijon edhe sot. Leksionet e hapura te “Luarasi” me personalitete të spikatura në fushën e Drejtësisë dhe Ekonomisë janë kthyer tashmë në traditë. Në fund të aktivitetit, zv.prokurorit të përgjithshëm belg iu dorëzua edhe një certifikatë mirënjohjeje.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura