Zbardhen debatet për incidentet e përgjakura në korrik të ’90/ Byroistët i bëjnë gjyqin Muho Asllanit: Kavajës i ke dhënë pesë lekë fonde

Jul 26, 2022 | 22:46
SHPËRNDAJE

Heqja e një voze metalike të vendosur në mes të qytetit të Kavajës, sipër të cilës viheshin përditë lule të freskëta, është shqetësimi më i madh i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së në korrik 1990, menjëherë pas ngjarjeve në ambasadat e huaja.

Vijon nga numri i kaluar (LEXO KETU)

Në atë vend ishte vrarë nga forcat policore një protestues kundër Qeverisë dhe banorët, duke e kthyer në një ritual, përditë vendosnin lule.

ngjarja ne kavaje-Ramizi-sulmon-muho-asllanin

Por, sipas procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike të datës 14 korrik 1990, që gazeta “PANORAMA” po publikon në vazhdim, askush nuk guxon të prekë këtë vend ku vendosen lule, as policia, as forcat speciale, as komunistët. Të gjithë kanë frikë se në rast se do të tentojnë ta heqin këtë objekt, do të përballen me zemërimin e një komuniteti të tërë. Një histori e ngjashme me atë të ngritur në art nga shkrimtari spanjoll Vicente Blasko Ibanjez, me titull “Kasollja”.

Po kështu, pjesa e mëposhtme e transkriptuar e mbledhjes së Byrosë Politike ka edhe një tjetër shfaqje të pazakontë, ku në shënjestër të akuzave të krerëve më të lartë të pushtetit të kohës, kryesisht të Ramiz Alisë, vihet sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Durrësit, Muho Asllani. Asllani kryqëzohet në Byro sipas stilit të vjetër të Enver Hoxhës. Atë e “bombardojnë” me akuza pasi më parë është mësuar nga të gjithë se kanë vendosur për shkarkimin si ndëshkim për ngjarjet e Kavajës. Pra Muho Asllani në këtë mbledhje vjen krejt i çarmatosur dhe kokulur, ndërkohë që kolegët nuk i marrin në konsideratë justifikimet e tij.

Capture
Faksimile e njoftimit të hetuesisë për sekretarin e KQ, Foto Çami

…(Vijon nga numri i djeshëm)

…Shoku Hekuran Isai: Po atë natë, ish shefi i policisë së Kavajës, që tani punonte si përgjegjës në fabrikën e bukës, me dy punëtorë del nga puna për t’u kthyer në shtëpi. Sheh që po thyheshin xhamat dhe u thotë disave: “More çuna, pse i thyeni xhamat?”. Ata e kapin dhe e qëllojnë me thika gjashtë herë, i marrin revolen dhe ky pas dy ditësh vdes. Vetëm familja e ka varrosur me nja 10-20 kavajas. Pas kësaj u identifikuan në këtë ngjarje 26 persona që kanë qenë aktivë më 4 korrik dhe u arrestuan. Po punohej që të zbuloheshin të tjerët.

Gjyqi u bë pas dy ditësh, u dënuan dy veta, kurse të tjerët u këshilluan. Mbi 40 të tjerë gjithashtu nuk u thirrën fare, po u këshilluan. Për këtë ngjarje asnjë kuadër, asnjë komunist jo vetëm që nuk reagoi, por as informoi. Ata dënojnë thyerjen e xhamave, por askush nuk dënon parullat. Sa filloi rrëmuja, komunistët që ishin ngarkuar me detyra, se dihej që mund të ndodhte ngjarja, kanë ikur nëpër shtëpitë e tyre. Nga katër deri më 10 korrik erdhën të dhëna se do të kishte përsëri rrëmujë dhe demonstrata. Thuhej madje se në datë 15 korrik mund të organizohej demonstratë në Tiranë, në Shkodër dhe në Kavajë. Në datën 10 dërguam forcat për të marrë disa elementë që duheshin seleksionuar përpara ngjarjes. Këta në fakt u morën qetësisht. Kur shokët tanë shkuan në lagjen “Sulbegaj” për të marrë një njeri, filluan të gjuajnë me gurë, me hekura e me ç’të mundin. Tanët ishin gjashtë veta.

Capture
Faksimile e procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike

Atje doli një njeri me zinxhir me topuz hekuri në fund, goditi më te sambistin. Shtatë veta e vunë poshtë sambistin, atëherë ai ka nxjerrë revolen dhe ka gjuajtur. Një nga të turmës vritet. Thuhet që kanë gjuajtur dhe të tjerët nga ana tjetër, por ne nuk kemi të dhëna. E marrin trupin e personit të vrarë, e çojnë në shtëpi. Të nesërmen thyejnë xhamat e komitetit të Partisë, të komitetit ekzekutiv, djegin dy makina, midis tyre makinën e Agron Tafës, siç tha dhe shoku Ramiz, thyejnë xhamat e dyqaneve në pazar.

Një komuniste merr çarçafin me gjak të të vrarit dhe e bën si pllakatë me thirrje kundër nesh. Parullat që përmendët, shoku Ramiz, atë ditë janë hedhur. Kanë goditur dhe postën e policisë. Nga data 11 deri tani situata duket e qetë, nuk ka veprime agresive, por atje ku është vrarë personi, kanë vënë një fuçi e në të vendosin tufa me lule dhe në darkë ndezin qirinj. 1400 komunistët e Kavajës jo vetëm që nuk venë t’i heqin, po nuk afrohen, nuk kalojnë andej. Mbi 100 kuadro ka Kavaja, po asnjë njeri nuk afrohet.

Nga organizata e frontit gjithashtu nuk afrohet askush. Ka fjalë se do të ketë dhe trazira të tjera. Ka fjalë se kur të mbushë të 9-at i vdekuri, mund të bëjnë veprime agresive. Janë evidentuar me telekamera e mjete të tjera dhe 40 veta që janë tipikë. Pesë veta nga këta thuhet se janë më agresivët.

Shoku Ramiz Alia: Këta të pestë nuk janë arrestuar njëherë?

Shoku Hekuran Isai: Po, janë arrestuar, janë këshilluar dhe janë liruar.

Shoku Ramiz Alia: Po ata që u dënuan kush ishin?

Shoku Hekuran Isai: janë gjashtë të tjerë të dënuar në mars, kurse këta janë të ngjarjeve të fundit. Është një Edi Oçia që organizon fëmijët, është një Parashqevi Bushi, anëtare partie, ajo që mbajti çarçafin me gjak, një Mira Tereziu, Iktjon Suli. Shoku Ramiz Alia: Edhe gra? Shoku Hekuran Isai: Po, gra. Është edhe një shofer. Këta janë më tipikët, kurse 40 të tjerët vetëm që kanë brohoritur në turmë. Në datën 18 i bien të nëntat e të vdekurit. Në qoftë se arrijmë në rrugë partie që të zgjidhim, mendoj që situatën do ta stabilizojmë. Po të ndërhyhet me armë, me dhunë, atje do të ndeshemi me fëmijët. Para policisë 200-300 fëmijë 9-11 vjeç gjuanin me gurë, pas këtyre gratë inkurajonin djemtë.

Me porosinë tuaj atje kanë shkuar një grup veteranësh që po punojnë, kanë shkuar dhe në ndërmarrje, po fakti është që në këto mbledhje po venë pleqtë. Në tiranë ka plot kuadro nga Kavaja, që punojnë në Kryeministri, në dikastere e në institucione, të cilëve u dëgjohet fjala, janë me influencë, prandaj mendoj që këta duhet të shkojnë të punojnë siç kanë shkuar veteranët. Në rast se ne arrijmë që të heqim fuçinë me lule që është në mes të pazarit, të cilën nuk ka kurajë ta kapë një kavajas me dorë, se policinë ne nuk do ta fusim aty, në rast se ne do arrijmë që të vendosim qetësi jo me policë, kur të mbushen 9 ditët, mendoj se situatën do ta kapërcejmë. Them se këtë situatë mund ta kapërcejmë, po duhet një punë e thellë partie.

Shoku Ramiz Alia: Po për shkarkimet e shokëve që propozova, çmendim ke? Shoku Hekuran Isai: Jam dakord, shoku Ramiz, me këto ndryshime. Për në Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendosim dy djem të rinj, t’ia paraqesim kandidaturat Byrosë Politike. Zylyftari të shkojë sekretar partie në ndonjë degë të punëve të brendshme.

Shoku Ramiz Alia: Mirë, tani si mendoni?

Shoku Muho Asllani: Ngjarjet në Kavajë në përgjithësi kështu kanë ndodhur, siç tha shoku Hekuran. Unë kam vajtur gjithnjë në vendin e ngjarjes më 26 mars, më 4 korrik dhe më 10 korrik dhe i kam qetësuar situatat. Them i kam qetësuar se në përgjithësi komunistët dhe kuadrot kanë marrë pjesë në këto ngjarje shumë të shëmtuara për të qetësuar të rinjtë, po në përgjithësi dhe ata më kanë dëgjuar.

Shoku Ramiz Alia: Ç’domethënë të kanë dëgjuar? Shoku Muho Asllani: I kam shpërndarë njerëzit dhe më 26 mars dhe më 4 korrik.

Shoku Ramiz Alia: Shpërndarja është punë e policit. Të thuash “më kanë dëgjuar” është kur i bind njerëzit.

Shoku Muho Asllani: I kam ndaluar veprimet, ata janë larguar nga rrugët dhe rrugicat, të paktën aty ku isha unë, po për të bindur nuk janë bindur, se po t’i kisha bindur dhe po të kishte efektivitet puna ime nuk do të ndodhnin ngjarje njëra pas tjetrës. Shoku Ramiz Alia: Jo, se the që të kanë dëgjuar.

Shoku Muho Asllani: Në rastin konkret më kanë dëgjuar. Pas ngjarjeve kemi mbledhur sekretarët e organizatave – bazë të partisë dhe në kolektivat punonjëse me të deleguar nga rrethi, përgjithësisht kavajas që kanë pasur dhe kanë influencë, që kanë qenë apo janë kuadro. Dhe gjendja është qetësuar, flas për rastet e para, se përleshja me gurë ose me parulla, ka zgjatur reth 10,15, maksimumi 20 minuta pastaj janë kthyer në vendet e tyre. Analiza kemi bërë, por vetë fakti që kemi probleme armiqësore tregon se analizat nuk i kemi bërë siç duhet. Në këto analiza kanë marrë pjesë shokët e byrosë së Komitetit të partisë ose shokët e plenumit të rrethit.

Gjithashtu krahas analizave që kemi bërë, janë marrë masa që të mos ketë shqetësime, sidomos në furnizimin e tregut, në përmirësimin e kushteve jetësore dhe në zënien e njerëzve me punë. Gjatë 6-mujorit të parë në Kavajë janë futur në punë rreth 700 veta. Po atje janë edhe rreth 1800 të tjerë të pazënë me punë, po çështja është se këta njerëz nuk pranojnë të punojnë sidomos në sektorin e bujqësisë. Vitin e kaluar ngritëm serra tre hektarëshe në kooperativën bujqësore të qytetit të Kavajës, po as për të vjelë domatet nuk na venë qytetarët. Natyrisht prapë këtu duket puna jonë e dobët që nuk i kemi bindur ata për të punuar atje ku ka nevojë ndërmarrja dhe vetë ata. Edhe në ndërmarrjen bujqësore, që ka punë të lehta për t’u marrë me vreshtin dhe me pemë frutore, përsëri nuk shkojnë shumë për të punuar. Në një mbledhje në Uzinën e gozhdë-bulonave, ku mora pjesë dhe unë me shoqen Lenka, punëtorët ngritën probleme për rregullimin e rrugëve, për kanalizimet, për ujin e pijshëm, objektet kulturore, probleme që në përgjithësi janë zgjidhur.

Shoku Ramiz Alia: E di ti që Kavaja kërkon të shkëputet nga Durrësi?

Shoku Muho Asllani: E kanë ngritur këtë çështje kohët e fundit, po direkt nuk kanë bërë ndonjë propozim.

Shoku Ramiz Alia: Domethënë t’i nuk di gjë?

Shoku Muho Asllani: Jo, e di, këtë çështje e kanë ngritur dhe kuadro që punojnë në Kavajë dhe në Durrës.

Shoku Ramiz Alia: po nuk je interesuar pse e ngrenë? Shoku Muho Asllani: Ashtu ua ka marrë mendja.

Shoku Ramiz Alia: Jo kështu, në qoftë se ju i bëni analizat në këtë mënyrë, atëherë vaj halli! Ç’është kjo analizë?

Shoku Pali Miska: Atje është lënë tubacioni i ujit pesë vjet hapur.

Shoku Muho Asllani: Uji u ka vajtur, madje disa punime janë bërë duke ia hequr fondet Durrësit, Shijakut dhe Rrogozhinës, duke ua shkurtuar investimet atyre për të çuar ujin në Kavajë.

Shoku Ramiz Alia: Jo, Muho, nuk është kështu, përkundrazi, Kavaja është neglizhuar.

Shoku Muho Asllani: Punimet për bulevardin dhe kanalizimet kanë filluar më 1984.

Shoku Ramiz Alia: Dhe kanë vazhduar deri më 1990? Domethënë për gjashtë vjet të bëhet gjysmë kilometri rrugë? Ç’është kështu?

Shoku Muho Asllani: Po vetëm të mos harrojmë…

Shoku Ramiz Alia: Si “të mos harrojmë?” që ke bërë rrugën e madhe që nga kodra e Rrashbullit deri në Durrës? Këtë t’i mos e harro se është ndërtuar brenda dy vjetësh, madje brenda vitit.

Shoku Muho Asllani: Po gjatë tre vjetërve nuk ka pasur asnjë investim për t’u bërë te ujësjellësi i Kavajës.

Shoku Ramiz Alia: Po, sigurisht, kur fondet i merr Durrësi, si do të ketë për Kavajën?

Shoku Muho Asllani: Jo, ne nuk po i harrojmë, po e shtroj që jemi marrë me këto probleme, nuk i kemi lënë në mes të rrugës.

Shoku Ramiz Alia: Si kanë shkuar punimet gjashtë vjet?

Shoku Muho Asllani: Aq kanë shkuar dhe ende nuk kanë përfunduar.

Shoku Ramiz Alia: A nuk kanë për të përfunduar kur rrethi i ndan nga fondi i vet Kavajës pesë lekë fond në vit.

Shoku Muho Asllani: Për këto probleme ne kemi dërguar në Kavajë rreth 30 veta, nga Tirana, që e dërguat ju, ka ardhur vetëm Salë verdha. Gjithashtu kanë ardhur gjatë këtyre ditëve disa kavajas që punojnë në dikastere si Mehmet Kollçaku, i cili punon në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave, dikur ka qenë drejtor i fabrikës së letrës në Kavajë, Nazim Skuqi (Kandidat i KQ të Partisë, red.) dhe disa të tjerë. Dje kam thirrur disa kuadro që punojnë në universitet si pedagogë e specialistë, të cilët tani po punojnë jo vetëm në kolektivat punonjëse për të zgjidhur ndonjë problem, po sidomos në familje gjatë natës. Kjo ka dhënë efektivitetin e vet. 25 veta, kuadro nga Durrësi i kemi çuar nëpër njerëzit e familjeve të tyre, po dhe nëpër shokë shkollash që kanë qenë në rrethe të ndryshme me punë. Duket një farë përmirësimi. Ato që tha shoku Hekuran qëndrojnë, te njerëzit ka mjaft irritim. Ne jemi përpjekur që të qëndrojmë në krye të detyrës, të mos u shmangemi situatave. Çfarë masash kemi marrë? Në ndërmarrje çdo natë ka shërbim, është dyfishuar numri i rojeve operative.

Shoku Ramiz Alia: Sa punëtorë janë që nuk marrin rogën në fabrikën e qelqit?

Shoku Muho Asllani: Fabrika e Qelq-Xhamit ka kaluar në remont, është ndërprerë prodhimi i xhamit. Remonti do të vazhdojë gati tre muaj, prandaj në këtë fabrikë gjendja është normalizuar. Deri nga data 25 korrik do të ketë katangë, pastaj, në qoftë se do të ketë përsëri mangësi, atëherë do të paguhen me 80 përqindëshin. Këto janë dy ndërmarrjet ku kemi pasur shqetësime, ndërsa të tjerat në përgjithësi i kanë realizuar detyrat dhe si 6-mujor. Kemi pasur ndonjë të dhënë që ndonjëri mund të tentonte të merrte armë në depot e armatimit, që i kishim jashtë reparteve ushtarake, tani i kemi futur armët brenda reparteve ushtarake për të mos pasur shqetësim. Unë dhe shokët e mi jemi përpjekur ta kryejmë detyrën dhe t’i qëndrojmë mbi kokë kësaj situate, por, përderisa ndodhi kështu, nuk e kemi bërë mirë punën. Ju thatë që nuk më duan kavajasit.

Shoku Ramiz Alia: Kur hedhin të tilla parulla, domethënë as nuk të duan.

Shoku Muho Asllani: Të jemi realistë, shoku Ramiz, po kavajasit dhe tërë Shqipëria, ashtu si juve, në radhë të parë, po dhe shokët e tjerë i duan dhe unë nuk kam arritur në atë konkluzion për veten time që nuk më duan kavajasit. Këtë e them me ndërgjegje të plotë këtu në Byronë Politike, se si në Kavajë, si në Durrës dhe kuqo ku kam punuar jam përpjekur me të gjitha forcat, me të gjitha energjitë e mia.

Lista e të arrestuarve që tentuan futjen në ambasada

TIRANE- Më 26 korrik 1990, pak më shumë se tri javë nga ngjarjet, nga ambasadat e huaja në Tiranë, policia ka shmangur me dhunë një tjetër “pushtim” të këtyre përfaqësive të huaja nga njerëz të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Policia, që ka pasur dijeni për këtë zhvillim, ka bllokuar në kohë rrugët hyrëse për në Tiranë, sidomos stacionin e trenit, duke ndaluar dhe arrestuar të gjithë të rinjtë e të rejat që u janë dukur të dyshimtë. Kjo ngjarje pasqyrohet saktësisht në një dokument të ruajtur në Arkivin e Shtetit, që është një listë dërguar Sekretarit të KQ të PPSH-së Foto Çami nga Qemal Lame, Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe që mban datën 2 gusht 1990. Përmbajtja e fletës zyrtare shoqëruese thotë:

“Bashkëlidhur ju dërgojmë një listë të personave të ndaluar dhe të arrestuar për shkak se, më datën 26.07.1990 kanë dashur të hyjnë në ambasadat e huaja në Tiranë, si dhe për grumbullim të paligjshëm”. Lista me mbishkrimin “sekret” mban datën 1 gusht 1990 dhe pasqyron numrin e të ndaluarve e të arrestuarve për çdo rreth, ku më të shumtët, 148 janë nga Tirana, më tej 68 janë nga Vlora, po 68 nga Fieri, 59 nga Shkodra, 33 nga Lezha, 22 nga Elbasani, 28 nga Durrësi, 16 nga Lushnja, 28 nga Kruja, 17 nga Berati dhe 15 nga Korça. Nga këta më të shumtët e arrestuar, 64 të tillë, janë nga Tirana, 20 nga Vlora, 22 nga Fieri, 33 nga Shkodra 29 nga Lezha e me radhë. Bën habi rasti i Lezhës ku nga 33 të ndaluar gjithsej, 29 prej tyre janë arrestuar, pra janë futur në burg

(Vijon) Përgatiti materialin: Ferdinand Dervishi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura