VIDEO/ Ngrihet shtatorja e Azemit në Tropojë, Basha: Na ndriçon mendjet edhe sot

Oct 27, 2017 | 11:41

Kryedemokrati Lulzim Basha e ka quajtur nje dite te madhe per Tropojen dhe vendin, diten e sotme, kur ne qytetin e tij, ngrihet sot shtatorja e heroit te demokracise, Azem Hajdarit.

Ne fjalen e mbajtur ne kete ceremoni, pasi pershendetjes nga ana e kryetarit te bashkise se Tropojes, Basha ka cmuar vepren e pavdekshme te Azem Hajdarit per demokracine shqiptare.

 basha

“Kam ardhur me gëzim dhe dëshirë të madhe në këtë festë të bukur, kthimin e Azem Hajdarit në Tropojën e tij të shtrenjtë. Këto male janë plot me heroizëm dhe lavdi. Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojës dhe ju jeni krenar për birin tuaj. Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdarit i detyrohemi shumë për çka bëri për lirinë e gjithëve  ne”- tha Basha gjate fjales se tij.

Sipas tij, kjo qe ngrihet sot eshte vetëm njëra prej përmendoreve që ngrihen për të. “Në fakt përmendoren më të madhe, Azem Hajdari e ka në mendjet dhe zemrat tona. Ai vazhdon të na ndriçojë rrugën. Në mendjen dhe zemrat time, të mbarë rinisë shqiptare, kujtimi i Azem Hajdarit na shërben të kujtojmë se liria është gjëja më e çmuar në jetë. Tropoja sot është shumë e bukur me përmendoren e Azem Hajdarit”- tha Basha.

Berisha

“Azem Hajdari  do të kthehej e do të shndërrohej në legjendën e vërtetë”, tha ish-kryeministri Berisha në fjalën e tij.

Ai theksoi se ‘Azemi do të ngrihej si luan mbi mitrolozët,përballë autoblindave, përballë një diktature më të rëndat e Evropës, do të brohoriste. Do të shkallmonte dyert e mbyllura të lirisë dhe dinjitetit për shqiptarët, që shqiptarët të ngrihen kudo si njerëz me besim dhe krenarë!’

Azem Hajdari jeton e do të jetojë përjetë në ëndrrën më të bukur të çdo qytetari të kësaj toke që do të ndihet i barabartë, me dinjitet, kokëlartë, ndaj dhe sot ai është një apel, një frymëzim pasi pas 27 vitesh nuk mund të mohohet se një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë.

Velloja e narkotikëve që ka bërë që shqiptarëvt të mos vendosin dot për fatin e tyre, që emri i tyre të mos shkëlqejë në mes të kombeve të tjera. Por ne jemi këtu sot të frymëzuar nga Azem hajdari për t’u ndarë nga çdo e keqe, për të ecur të sigurtë drejt hapësirave që meritojmë. Shqipëria europiane është ëndrra jonë. Të luftojmë ta bëjmë realitet sa më shpejt

22855641_10214586361718541_929169302_n 22883169_10214586361758542_197520693_n 22883452_10214586361798543_427984483_n monika ne tropoje

Fjala e plote e Bashes 

Shumë të dashur qytetare dhe qytetarë të Tropojës,

Miq, të afërm, familjarë të Azem Hajdarit,

Të dashur Fatmira, Rudina, Kiri dhe Azem,

I nderuar z.kryetar i Bashkisë,

I nderuar Dr.Berisha,

Të nderuar deputetë dhe personalitete të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës,

Shkelqësi ambasadorë, anëtarë të trupit diplomatik, bashkëqytetarë të Azem Hajdarit,

Zonja dhe zotërinj,

Kam ardhur me gëzim dhe dëshirë të madhe në këtë festë të bukur, në këtë ditë solemne të rikthimit të përjetshëm të Azem Hajdarit, në vendlindjen e tij të dashur, në Tropojën e tij të shtrenjtë.

Këto male, e di janë plot me heroizëm dhe lavdi shqiptare që shkon thellë në histori. Azem Hajdari është heroi më i ri, është një maje e lartë e këtij panteoni të historisë e kombit tonë. Ai është  udhëheqësi i Lëvizjes Studentore demokratike dhe intelektuale të Dhjetorit 1990.

Tropojës i takon nderi t’i ketë dhënë kësaj lëvizje historike që hapi epokën e demokracisë europiane në Shqipëri edhe liderin e Studentëve të Dhjetorit, Azem Hajdarin, edhe liderin historik të demokracisë shqiptare Sali Berishën.

Azem Hajdari e shënoi hapjen e epokës së re të demokracisë shqiptare, e shënoi që nga çasti kur në emër të studentëve që u ngritën bashkë me të dhe me thirrjen e tij kundër diktaturës komuniste kërkoi vendosjen e pluralizmit politik në Shqipërinë e telave me gjemba e deri kur armiqtë e lirisë e goditën pabesisht, për ta ndarë në mes të një rruge të gjatë betejash, arritjesh, sfidash dhe sakrificash nga gjiri ynë. Beteja, sakrifica dhe sfida për të ruajtur busullën dhe kursin perëndimor të demokracisë së brishtë shqiptare.

Azem Hajdari është nga brumi i atyre heronjve që me kalimin e kohës e tresin brenda emrit të tyre çdo epitet që mund të thuhet për ta.

Azemi është uragani, është tribuni, është guximi, është trimëria, është frymëzimi, është liria, është shqiptaria.

Emri i tij është personifikimi i këtyre vlerave që mishërojnë dhe lartësojnë njeriun, shqiptarin, atdhetarin.

Si bir i familjes ku i lind dhe i krahinës ku u rrit, Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojë dhe ju jeni krenarë për birin tuaj. Si udhëheqës politik Azem Hajdari i përket Partisë Demokratike të Shqipërisë, themelues dhe kryetari i parë i së cilës ishte. Demokratët janë dhe do të jenë përherë mirënjohës dhe krenarë me prijësin e tyre të orëve të para, me tribunin e tyre të pavdekshëm. Si heroi i demokracisë Azemi i përket gjithë Shqipërisë, i përket gjithë kombit.

Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdari fiton përmasat e një figure politike të papërsëritshme, që afron, që bashkon, që frymëzon me shembullin dhe veprën e tij.

Shqiptarët i detyrohen shumë me mirënjohje dhe nderim për gjithçka bëri  e dha për lirinë e të gjithëve ne.

Duke i prirë betejës së madhe fisnike dhe heroike për lirinë e të gjithëve Azemi fitoi përjetësinë. Ky është fati i luftëtarëve të lirisë. Kjo përmendore që ngrihet sot në nderim të tij është vetëm njëra prej përmendoreve në mbarë vendin, në mbarë kombin.

Në fakt përmendoren më të madhe të Azemit e kemi e në zemrat dhe mendjet tona. Këtu në zemrat dhe mendjet tona Azem Hajdari vazhdon të  na ndriçojë rrugën. Këtu në mendjet dhe në zemrat tona Azemi na flet sikur të ishte i gjallë. Sepse këtu është dhe do të mbetet i gjallë përherë.

Në mendjen dhe në zemrën time, në mendjet dhe zemrat e mbarë rinisë shqiptare kujtimi i ndritur i Azem Hajdarit vjen me mesazhin e gjallë e frymëzues se Liria nuk është një dhuratë e përjetshme, se liria u përket atyre që e duan dhe e çmojnë si më të shtrenjtën gjë në jetë, se Liria shërbehet e duhet të shërbehet me përkushtim e sakrifica. Se liria fitohet e mbahet me beteja duke shkuar çdo ditë në luftë për të. Se liria është mision për drejtuesit politikë.

Ky është Azemi i pavdekshëm i mendjeve dhe zemrave.

Por sa  bukur ta shohim sot në një vepër arti, në një përmendore si kjo që u lartësua në qytetin e tij të lindjes. Kështu kthehen heronjtë. Do ta keni në mesin tuaj, do të zgjoheni e ngryseni me të, me bashkëqytetarin tuaj të përjetshëm.

Tropoja është sot më e bukur me përmendoren e Azem Hajdarit.

Mirënjohjen time për artistin Isa Baliaj.

Urime gjithë qytetarëve, e qytetarëve të Tropojës,

Zoti e bekoftë Tropojën e demokracisë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Ju faleminderit!​

© Panorama.al

Te lidhura