Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm sonte në mbrëmje në ndeshjen e fundit të kampionatit kombëtar 2019-2020 midis FK Tirana dhe ekipit të Bylisit të Ballshit, që u zhvillua në stadiumin “Arena Kombëtare” të kryeqytetit.
Presidenti Meta, i cili mbante veshur fanelën bardhë e blu të ekipit të F.K Tirana, pas përfundimit të ndeshjes, gjatë ceremonisë së organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit i dorëzoi kapitenit të nderit për sonte Erando Karabeci Kupën e 25-të zyrtare të kampionatit kombëtar të futbollit, të fituar me plot meritë nga ekipi bardheblu, pikërisht në 100-vjetorin historik të shpalljes së Tiranës si kryeqytet.
“URIME! TIRONA KAMPION! Emocione të jashtëzakonshme!”, shkruan Presidenti Meta.
Ne një reagim tjetër, Meta thotë se fitorja e Tiranes është plotësisht e merituar.
“Fitorja plotësisht e merituar e titullit KAMPION për TIRONËN BARDHË E BLU është kurora që i jep hijeshinë 100-vjetorit historik të shpalljes së Tiranës kryeqytet. Urime të gjithë lojtarëve dhe veçanërisht lojtarit të 12: tifozëve të mrekullueshëm. Në këtë ngjarje kaq të rëndësishme për kryeqytetin nuk mund të mos mbaja veshur fanelën bardhë e blu për të cilën gjenerata të tëra futbollistësh dhe tifozësh kanë dhënë gjithçka me shpirt e zemër duke përjetuar emocionet më të forta. Le të ndriçojë sot qielli i Tiranës me ngjyrat bardhë e blu!“, shkruan ai.
Tirana u shpall kampione pas 11 vjetësh.
© Panorama.al

















