Vetëvrasja e ish-policit, pasi i prenë dritat. Kishte 10 milion Lekë debi

Sep 10, 2015 | 7:50
SHPËRNDAJE

Një 50-vjeçar, ish-punonjës Policie, u vetëvra dje në Tiranë, pak orë pasi OSHEE i ndërpreu energjinë elektrike, të cilën viktima nuk kishte asnjë mundësi për ta paguar.

Arif Doda, baba i dy fëmijëve të mitur, i dha fund jetës, duke qëlluar veten me automatik në dhomën e fjetjes. Ngjarja ndodhi pas një gjendjeje të rënduar depresive, të shkaktuar nga debati me punonjësit e OSHEE. Vetëvrasja u regjistrua rreth orës 16:00, në banesën përdhese të familjes Doda, që ndodhet në zonën mes Sanatoriumit dhe vendit të njohur si depot e ujit, mbi Qytetin Studenti, në Tiranë. 

arif-d0da

Nuk kanë mjaftuar as dokumentet si ish-punonjës Policie, as ai i kempit, madje as dëshmia e të gjithë familjarëve të tij për varfërinë e tejskajshme që elektricistët t’i toleronin edhe për disa ditë. Vendimi i tyre të martën ishte i prerë, ose të paguheshin 70 mijë lekë të rinj, nga 100 mijë që ishte debia, ose familja prej 5 anëtarësh duhej të qëndronte në errësirë.

Ky vendim ka përkeqësuar gjendjen shëndetësore të 50-vjeçarit, i cili prej 15 vitesh kurohej me ilaçe kundër depresionit, gjë që e ka shtyrë të marrë vendimin fatal, atë të vetëvrasjes. Ka qenë e shoqja që e ka gjetur të përgjakur në dhomën e gjumit dhe menjëherë ka nisur të kërkojë ndihmë me zë të lartë. Disa banorë të zonës kanë nxituar që ta dërgojnë në spital me një automjet, por Doda ndërroi jetë pa pritur t’i jepej ndihma e parë.

VETEVRASJA

Askush nuk ndodhej në shtëpi në momentin kur ndodhi ngjarja, pasi Arif Doda kishte pritur pikërisht këtë moment për të vrarë veten. Është futur në dhomën e fjetjes, ku mbante të fshehur një automatik që prej vitit 1997. Ka nxjerrë nga sirtarët një tas të mbushur me graso për të pastruar armën që nuk ishte përdorur kurrë. Pasi është siguruar që automatiku funksiononte, ia ka drejtuar vetes në zemër dhe e ka shkrepur. E shoqja në atë moment ishte duke pjekur bukën në oborr, në një sobë me gaz, dy fëmijët po luanin me fëmijët e fqinjëve dhe nëna e tij e moshuar ishte për vizitë te disa të afërm.

Arif Doda
Arif Doda

Krisma e kallashnikovit ka tronditur zonën, që kryesisht është e populluar nga dibranë, ashtu siç është familja Doda, dhe kuksianë, të gjithë të vendosur prej vitesh në atë lagje. Familjarët e fqinjët kanë nxituar të dërgojnë në spital 50- vjeçarin, por ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Policia ka shkuar shumë vonë në vendin e ngjarjes, ka sekuestruar armën dhe disa prova të tjera të gjetura në dhomë. Ndërsa pas pyetjes paraprake të familjarëve të viktimës në shtëpi, të bashkëshorten e Dodës e kanë shoqëruar për t’i marrë një deklaratë në Komisariatin nr. 1. Motivi i ngjarjes përsëritet njësoj nga familjarët dhe fqinjët, si vetëvrasje nga varfëria ekstreme dhe pamundësia për të paguar dritat.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura