“Azilkërkuesit”, Veliaj: Po largohen më shumë njerëz nga komunat e PD. Reagon PD: Turp, po ikin nga mjerimi ku i keni zhytur

Apr 22, 2015 | 13:35
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ministri i Punëve dhe Çështjeve Sociale, Erion Veliaj pas mbledhjes së fundit të tij si pjesë e qeverisë, tha në një konferencë shtypi se dorëheqjen do t’ja komunikojë të mërkurën e javës që vjen kryeministrit Rama, për t’ju përkushtuar garës elektorale për Bashkinë Tiranë. Teksa njoftoi se ministria ka nënshkruar një marrëveshje me Kanadanë për njohjen e pensioneve të emigrantëve, përmes së cilës përfitojnë 20 mijë persona.

Veliaj në konferencë

“Kjo ishte mbledhja ime e fundit si anëtar i Këshillit të Ministrave. Ka qenë një privilegj që t’i shërbej Qeverisë time, Kryeministrit tim edhe vendit tim. Javën tjetër, të mërkurën tjetër, do të paraqes dorëheqjen. Por kam sot, në fakt, një lajm më të rëndësishëm sesa kjo. Lajmi i rëndësishëm është se sot, pas një negociate dy vjeçare,  një negociatë e cila filloi javën time të parë në detyrë si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ne përmbyllëm marrëveshjen së pensioneve me Kanadanë. Ka qenë një marrëveshje shumë e rëndësishme, një negociatë shumë e fortë, e cila zgjati dy vjet, me raunde negociatash në Shqipëri dhe në Kanada, për përfitimet e pensioneve për 20 mijë shqiptarë, 20 mijë qytetarë të Republikës së Shqipërisë që jetojnë dhe punojnë në Kanada”, tha Veliaj.

Ministri shtoi se “nga zero marrëveshje në tetë vjet, kemi pasur tetë marrëveshje në një vit. Përveç Turqisë, ne kemi bërë negociata, kemi përfunduar marrëveshje dhe ratifikuar në Parlament me disa prej tyre, me Belgjikën, Luksemburgun, Hungarinë, Çekinë, Rumaninë, Maqedoninë, sot me Kanadanë, ndërkohë që me Gjermaninë ka përfunduar si negociatë dhe më vjen mirë që Ministri ose Ministrja e radhës do të ketë mundësi të nënshkruajë me autoritetet gjermane marrëveshjen e transferimit të pensioneve. Ndërkohë që jemi në raundin e fundit të negociatave me Austrinë. Më vjen mirë që brenda këtij viti, pas Gjermanisë, do të jetë Austria vendi i radhës ku ne do të përmbyllim marrëveshjen e pensioneve. Më vjen mirë, gjithashtu, që kemi hapur negociatat me Italinë. Ka qenë një kapitull shumë i rëndësishëm, shumë i vështirë, por më vjen mirë që kemi filluar raundin e parë dhe besoj me dy raunde të tjera do të kemi një marrëveshje konkrete edhe me Italinë”, tha ai.

Veliaj sqaroi edhe disa detaje nga marrëveshja me Kanadanë: “Dua të sqaroj disa pika të kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja, në fakt, sigurisht që ndihmon 20 mijë shqiptarë që jetojnë në Kanada, por ata përfitojnë edhe nga marrëveshjet që Kanadaja ka me shtetet e tjera. Kjo do të thotë që në qoftë se një emigrant shqiptar ka jetuar në Itali dhe në Greqi, pastaj është transferuar në Kanada, atëherë edhe vitet e Italisë dhe Greqisë, që pavarësisht se nuk kanë marrëveshje me Shqipërinë, por e kanë me Kanadanë, do të kenë një mundësi ideale që të përfitojnë nga kjo marrëveshje dhe për të transferuar dhe vitet e pensionit edhe me Italinë dhe me Greqinë”.

Sipas Veliajt mbetet një sfidë për Ministrin ose Ministren e radhës marrëveshja me Greqinë. 

I pyetur mbi akuzat e opozitës për përgjegjësinë e tij mbi largimet masive të shqiptarëve nga vendi, Veliaj tha se çështja nuk duhet të politizohet.

“S’dua të politizohet. Të ndërtojmë të ardhmen në Shqipëri…Ky s’është moment për politikë, por për reflektim dhe punë…Është më atraktive për të jetuar në vende të zhvilluara, kjo është e ditur. Nuk dua të bëj politikë tani, por më rezulton që po largohen më shumë njerëz nga ato komuna që drejtohen nga PD-ja”, tha Veliaj, i cili njoftoi gjithashtu se pas dy vitesh negociatash, qeveria ka zyrtarizuar marrëveshjen për pensionet me Kanadanë”, tha Veliaj. 

Reagon PD: Shqiptarët po ikin se qeveria i ka zhytur në mjerim

Pas deklaratave të ministrit Veliaj, ka reaguar Partia Demokratike duke thënë se shqiptarët po ikin nga vendi sepse qeveria i ka zhytur në mjerim.

“E turpshme si një anëtar i këtij kabineti që u kujdes dy vjet për mirëqenien personale e ndan Shqipërinë në tonën dhe të tyre. Njerëzit po ikin se qeveritarë dhe zotëria në fjalë kujdesen vetëm për mirëqenien e tyre. Qytetarët i kanë zhytur në mjerim, papunësia është rritur, çmimet po ashtu. Këta kredhen nëpër ekrane me suksese imagjinare. Shqiptarët po marrin rrugët e botës ndërsa këta janë strukur në luksin e siguruar nga lekët e shqiptarëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura