Dikur ishin pjesë e auditorëve të Universitetit “Luarasi”, sot rikthehen me statusin e ish-studentit, për të ndarë mes tyre dhe pedagogëve përvojën e punës të fituar në këto vite. Përshëndetjet e përzemërta, bisedat plot mall, trokitja e gotave, ishin pjesë e një atmosfere të ngrohtë të krijuar në takimin e përvitshëm të rrjetit të studentëve Alumni Luarasi. Të pranishëm në mbrëmjen e organizuar në ambientet e Hotel Prestige, ishin edhe presidenti i “IHB Group” Irfan Hysenbelliu dhe zv. Presidentja, Fabiola Hysenbelliu.
Fjala e mirëseardhjes i takoi të “zotit të shtëpisë”, rektorit të Universitetit “Luarasi”, Irakli Koçollari. Me një krenari, që nuk ishte e vështirë të mos binte në sy, për arritjet e ish-të diplomuarve, Koçollari tha se pjesës më të madhe së tyre u ishin besuar poste kyçe në institucione të rëndësishme, jo vetëm publike por edhe private. “Na vjen mirë që një pjesë e madhe prej jush janë punësuar dhe japin kontribut duke filluar nga hierarkia më e lartë e shtetit tonë, në Kryeministri, ministri të ndryshme, siç janë Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë, në Ministrinë e Drejtësisë, në Prokurorinë e Përgjithshme, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në Gjykatën e Tiranës, por edhe në institucione të tjera shtetërore dhe private. Është kënaqësi e veçantë, me një pjesë prej jush kishim vite pa u parë. Më vjen mirë që jeni këtu sonte”, tha rektori i “Luarasit”. Rreth 100 ish-studentë të “Luarasit” iu përgjigjen ftesës për të ndarë eksperiencat e tyre të punës. Infrastruktura, stafi pedagogjik dhe kurrikula, sipas tyre e bënin këtë universitet të qëndronte në pararojë. Anila Dollani është një nga të diplomuarat, që i takon brezit të parë të studentëve që ia besuan studimet e larta “Luarasit”. “Vitet studentore që kam kaluar pranë “Luarasit” i konsideroj si mjaft të rëndësishme dhe të bukura. Nëse do të bëja një analizë, më lejoni të them se kjo vjen si rezultat i ndërthurjes së tre elementeve. Së pari, stafi akademik mjaft i kualifikuar, së dyti kurrikulat që përherë kanë qenë të përzgjedhura dhe të miratuara me shumë kujdes, njëkohësisht edhe infrastruktura, ajo që na ka bërë ne që sa herë futeshim në ambientet e universitetit të shkëputeshim nga realiteti, nga problemet që ne përballeshim përgjithësisht. E gjitha kjo bëri që secili prej nesh të kishte një udhë të shtruar për të patur vijimin e një karriere premtuese”, u shpreh mes emocionesh Anila. Ajo prej tetë vitesh punon në Ministrinë e Integrimit, dhe prej dy vitesh si pedagoge e jashtme. E konsideron si investimin e jetës atë te “Luarasi”, dhe thotë me plotë bindje se nëse sërish do të ishte përballë zgjedhjes, do të zgjidhte përsëri “Luarasin”. Nga themelimi i këtij universiteti, janë mbi 1200 studentë që i kanë besuar studimet e tyre “Luarasit”. Përgjatë zhvillimit të takimit, disa prej ish-studentëve të diplomuar, ndanë me kolegët e tyre përvojat e deritanishme në karrierë dhe jetë. Mes tyre Blerina Shkurti, Endri Shabani, Bojana Fatkoja, Ervin Sherifaj, Rael Qeleshi, Dritan Malaj, Arbër Kushe. Në përfundim të takimit, studentët u përcollën me ngrohtësi nga stafi akademik i SHLUJ Luarasi, me dëshirën që takimi i ardhshëm të mos jetë larg.
Ervin Sherifaj: Arritjet tona, meritë e stafit të “Luarasi”
“Nuk është vetëm infrastruktura, kurrikula e përzgjedhur që e bën Universitetin “Luarasi” elitar, por edhe stafi akademik i kualifikuar” shprehet kështu, Ervin Sherifaj, një ish-student i Universitetit Luarasi. Ai sot punon në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkohë ka edhe një përvojë të gjatë pune pranë Ministrisë së Ekonomisë. “Punoj në inspektimin e Gjyqësorit dhe Prokurorisë, në Ministrinë e Drejtësisë. Jam diplomuar në vitin 2010 dhe para Ministrisë së Drejtësisë kam punuar në Ministrinë e Ekonomisë. Në shkurt të vitit 2014, kam filluar punë te Drejtësia”, shprehet Ervni, i cili nuk ngurron të kujtojë edhe kohën e seminareve dhe leksioneve, për të cilat thotë se kanë qenë tejet të rregullta. Kontaktet e vendosura gjatë studimeve pranë “Luarasit” kanë shërbyer si ura edhe për ndërtimin e marrëdhënieve të para me tregun e punës. Emri i mirë i Universitetit, gjithashtu ka qenë gjithmonë një derë e hapur për të diplomuarit. Këtë gjë nuk na e thotë vetëm Ervini por edhe ish-studentët e tjerë të cilët ishin pjesëmarrës në takimin e përvitshëm të rrjetit të studentëve ALUMNI Luarasi. Arbër Kushe, një tjetër nga të diplomuarit e Luarasit, është i mendimit se frytet janë të mira kur kombinohet vullneti për të mësuar me Universitetin e duhur. Ai sot mban postin e kancelarit pranë Gjykatës së Apelit Tiranë dhe thënia e tij merr përmasat e një mesazhi për të gjithë ata të rinj që janë përballë një dileme. Arbëri shkon edhe më tej, duke e cilësuar Universitetin “Luarasi” si më seriozin dhe më cilësorin ndër universitet private në vendin tonë.
Anisa Bejko: Nëpërmjet “Luarsit”, ëndrra bëhet realitet
Për Anisën, Universiteti “Luarasi” është mundësia për realizmin e një ëndrre. Nuk e ka aspak të vështirë të gjejë fjalët se përse i ka besuar studimet e larta te “Luarasi” jo vetëm ato Bachelor por edhe Master. “Jam prej katër vitesh në Universitetin “Luarasi”. Vazhdoj studimet Master, kam edhe një vit. “Luarsi” ka stafin më të mirë pedagogjik, ambientet gjithashtu janë shumë të mira. Në universitetin tonë, pedagogët nuk janë bota, por janë afër nesh dhe kjo është shumë e rëndësishme për studentët jo vetëm për mua , por për të gjithë”, u shpreh Anisa, e cila nuk mund të mos përçonte edhe mesazhin për të rinjtë që së shpejti do të jenë në prag të vendimit për të zgjedhur se ku dhe për çfarë duan të studiojnë. “Çdo person që vazhdon një shkollë kam përshtypjen se ka një ëndërr “.
Dritan Malaj: Emri i mirë i universitetit i dha frytet
Dritani ka nisur studimet pranë “Luarasit”, në vitin 2008. Nuk ka bërë vetëm tre vitet e Bachelor-it aty, por edhe Master- in. Pasi mbaroi studimet filloi punë pranë Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar, dhe vit pas viti prej performancës së mirë ka marrë rritje në detyrë. “Emri i mirë i universitetit ka dhënë frytet e veta. Kam më shumë se tre vite që punoj tek Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar”, tha Dritani. Sipas tij, “Luarasi” është ndër më të mirët dhe këtë e tregoi edhe rankimi i bërë nga Ministria e Arsimit. “ ’Luarasi’ është një nga universitet më të mira. Kjo është dëshmuar edhe nga rankimi i bërë nga Ministria e Arsimit. Ka një staf të mrekullueshëm që ka qenë mbështetja jonë më e madhe”, tha më tej ai.