Unë, vajza e dy ministrave, e persekutuar 35 vjet

Dec 18, 2011 | 12:15
SHPËRNDAJE

E bija e Naxhije Dumes dhe Nesti Kerenxhës rrëfen pjesën dramatike të jetës së saj. Si përfundoi familja nga zona e ish-Bllokut në kampin e internimit në Selenicë të Vlorës, dhe persekucioni gati 35-vjeçar

Teksa rreket të kujtojë të kaluarën e saj familjare, dramat që përjetuan të dy prindërit dhe dyert e persekutimit në të cilat shkeli kur ishte vetëm pesë vjeçe, Dita Kerenxha nuk e ka aspak të lehtë këtë pjesë. Në fakt, tingëllon e përligjur, për sa kohë që vuajtjet e gjata i ka përjetuar nën lëkurë. Prindërit e saj ishin dy personalitete zyrtare për kohën… E ëma, ministrja e parë femër e shtetit shqiptar, ndërsa i ati ministër i Brendshëm i pozicionuar në këtë post pas arrestimit e burgosjes së Koçi Xoxes. Por, menjëherë pas shkëlqimit, trokiti rënia e figurave të tyre. Akuzat e rënda të Enver Hoxhës do të përcaktonin përfundimisht dhe fatin e familjes Kerenxha. Kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe persekucioni shumëvjeçar vjen sot në vëmendjen e vajzës së tyre, Dita Kerenxha, e cila ka detaje interesante për të rrëfyer.

Nexhmije Hoxha para pak kohësh botoi librin me titull “Lufta jonë çlirimtare” dhe mes figurave të shquara që morën pjesë në lëvizjen komuniste deri në krijimin e Partisë Komuniste, përmenden edhe emrat e prindërve tuaj, Naxhije Dume dhe Nesti Kerenxha. Ç’përshtypje ju ka lënë ky botim?

Nuk e kam përfunduar të gjithë librin për të dalë në përfundime të caktuara, por kur mes rreshtave gjeta dhe emrat e prindërve të mi si dy emblema dhe figura të rëndësishme të Partisë Komuniste, për një moment ndjeva keqardhje… Prindërit e mi dhe e gjithë familja jonë e pësoi keq nga ai regjim i mbrapshtë. Vite të tëra nën presionin ideologjik, persekutim dhe internim shumëvjeçar, derisa prindërit e mi mbyllën sytë, të pavlerësuar nga asnjë pushtetar. Ndjeva keqardhje për pasojat që prindërit provuan nën lëkurë, ndonëse punuan në shërbim të shoqërisë dhe të vendit. Megjithatë, për sa kohë që emrat e prindërve janë dëshmi e historisë dhe Nexhmija i ka përmendur në librin e saj, është për t’u vlerësuar.

Mamaja juaj ka qenë shoqe e ngushtë me Nexhmije Hoxhën dhe për vite të tëra ato kanë studiuar në të njëjtin konvikt, apo jo?

Është e vërtetë. Mamaja më tregonte shpesh histori të jetës së saj, miqësi të ngushta të cilat dëshironte t’i ruante me fanatizëm. Miqësinë e nënës sime me Nexhmije Xhunglinin e përforcoi më shumë edhe fakti që ato studiuan në të njëjtën shkollë për cikël të ulët dhe më pas Pedagogjiken. Ishin të dyja konviktore në institutin femëror “Nëna Mbretëreshë”, në periudhën 1933-1941. Ndërsa, njohja e tyre kish nisur më herët me lindjen e lëvizjes komuniste, ku ime më ishte aktiviste për të vënë në jetë detyrat e partisë. Mamaja më tregonte shpesh herë me nostalgji se si ato të dyja bashkëpunonin për të shkruar në makinë shkrimi traktet e organizatës komuniste, se si i shpërndanin dorazi. Punonin së bashku për të studiuar ndonjë libër që vinte nga Rusia, ose ndonjë manifest komunist. Në këtë institut, mamaja ka pasur edhe shumë shoqe të tjera, si Liri Gega, Fiqirete Sanxhaktari, Liri Belishova, Margarita Tutulani etj. Kanë pasur një marrëdhënie tepër të ngushtë, por me kalimin e viteve idetë e tyre u përçanë, dhe pasojat nuk vonuan për familjen tonë.

Çfarë e “minoi” lidhjen e prindërve të tu me figurat qendrore të Partisë Komuniste, qoftë me Nexhmijen apo Enver Hoxhën?

Ime më ka pasur një memorie për t’u admiruar, dhe deri në moshën 83-vjeçare, kur ajo mbylli sytë, diskutonim shpesh për tema që i përkisnin të kaluarës. Për jetën e saj si ministre, për njohjen me babanë, për marrëdhëniet me Enverin e Nexhmijen, si dhe shumë personaliteteve të asaj kohe… Në vitin 1943, kur ajo ishte vetëm 23 vjeçe, mori pjesë në konferencën e parë të PKSH-së, dhe u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror të PPSHsë. Duke qenë aktive në lëvizjen komuniste, ajo u shënjestrua nga kuestura dhe gjithë kohës iu desh të punonte në ilegalitet. Por, në konferencën e parë të Tiranës, e zhvilluar në vitin 1948, nisën të gjitha goditjet e njëpasnjëshme për prindërit e mi. Idetë dhe pikëpamjet e tyre Enveri i cilësoi si kërcënuese, e kjo solli pasojat. Ime më, në deklaratën që kishte mbajtur, ishte shprehur për gabimet e plenumit të tetë të Komitetit Qendror, duke thënë se për zhvillimet mbanin përgjegjësi të gjithë. Kjo u etiketua si një shënjestër që piketonte të gjithë krerët dhe eprorët e Partisë Komuniste. Menjëherë pas kësaj konference, nisi persekutimi i gjithë familjes sonë.

Përse u akuzuan?

Tërësisht tjetër arsye u parashtrua nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, çka më pas çoi në “zhveshjen” nga të gjithë postet e mamasë dhe të babait. Sipas akuzave të tyre, ime më jepte mësime projugosllave dhe antisovjetike. Kjo ishte një akuzë e rëndë që e goditi menjëherë, e pasojat nuk vonuan. Menjëherë agjentët e Sigurimit të Shtetit u vunë në ndjekje këmba- këmbës të çdo lëvizjeje apo takimi që prindërit e mi zhvillonin, për të mbërritur tek arrestimi e tek persekutimi i tmerrshëm.

Por le të kthehemi më larg në kohë, si u bë ministre Arsimi?

Sot, kur e kujtoj me gjakftohtësi, dhe jo me mllefin e pasojave që përjetuam në lëkurë, e shoh si vlerësim dhe si arritje profesionale të mamasë. Ishte shumë e re në moshë kur mori postin e rëndësishëm të ministres së Arsimit. Puna e saj konsistonte në arritje konkrete të sistemit arsimor në vend, dhe përpara i dilnin detyra të mëdha. Lufta kundër analfabetizmit, kualifikimi profesional i mësuesve, literaturë, mjete didaktike dhe një vëmendje e veçantë nevojitej ndaj sistemit shkollor nëpër zonat rurale të vendit. Ime më u zgjodh në postin e ministres më 6 shkurt të vitit 1948, ndërsa prej dy vitesh ajo ishte deputete e Kuvendit Popullor. Emërimi i saj është bërë pasi Koçi Xoxe dhe Enver Hoxha e thërritën në zyrë për t’i komunikuar vendimin e Byrosë Politike, se ajo ishte emëruar në postin e ministres së Arsimit. Mamaja e kujtonte me shumë nostalgji dhe emocion këtë moment, sepse ishte një detyrë shumë e vështirë dhe plot përgjegjësi që i caktohej. Me gjithë formimin e saj profesional, dhe njohuritë që kishte, ishte barrë e rëndë, më shumë se prestigj të mbajturit e një posti zyrtar. Prej asaj dite ajo ishte në përgjim të vazhdueshëm të çdo lëvizjeje.

Gjithsesi, dhe ju keni pasur periudhën tuaj të “mjaltit”, si ishte jeta në Bllok?

Pas emërimit të mamasë në postin e ministres, ndërkohë që babai ishte zv/ministër i Mbrojtjes, ne jetuam për një periudhë të shkurtër në zonën e Bllokut. Ishte privilegj për atë kohë të jetoje në Bllokun e udhëheqjes, por ime më nuk e përjetoi mirë këtë vendim. Të jetoje e rrethuar nga truproja, dhe nga njerëz të pushtetit, të ishe e izoluar nga shtresat e tjera shoqërore ishte si një lloj survejimi i plotë që nuk të linte të merrje frymë lirisht. Dhe, në konferencën e parë të Tiranës, mamaja u atakua me Enverin për këtë detaj, duke shprehur pakënaqësi ndaj të jetuarit në Bllok, në një kohë që ata ishin njerëz që vinin nga populli. Kjo gjë nuk i pëlqeu Enver Hoxhës, duke e cilësuar si përpjekje për të qenë i lirë ndaj çdo ruajtjeje apo survejimi që ishte në detyrë të Partisë të bënte ndaj figurave që punonin për të. Ideja: dëshirë për sabotim të frymës komuniste.

Pas Naxhijes, ishte radha e Nestit, babait tuaj, që të zhvishej nga të gjitha detyrat e postet zyrtare…

Shumë keq e pësoi edhe im atë. Nesti ishte njohur me Enver Hoxhën në qytetin e Korçës, kur ky i fundit jepte mësim në Liceun Francez si pedagog i jashtëm. Më pas e forcuan lidhjen e tyre gjatë periudhës së Luftës e lëvizjes komuniste. Duke pasur interesa dhe ideale të përbashkëta, miqësia mes të dyve u forcua së tepërmi. Babai ka qenë ndër anëtarët e parë të PKSH-së që me themelimin e saj. Është angazhuar herët me lëvizjen komuniste dhe ka luftuar bashkë me grupin komunist të Korçës për çlirimin e vendit. Duke parë angazhimin e tij, e pasi u bë anëtar i PKSH-së, ai asokohe ishte bashkëveprues në të gjitha zhvillimet. Me unifikimin e Ministrisë së Brendshme, emërohet zv/ ministër i Brendshëm me epror Koçi Xoxen, ndërsa pas arrestimit dhe burgosjes së këtij të fundit, ai vendoset në postin e ministrit për periudhën kohore prej një viti. Pas kongresit të parë, ai u zhvesh nga detyrat zyrtare së bashku me mamanë, dhe përfundoi drejtor në minierën e Selenicës, e nëna mësuese e thjeshtë.

Ç’ndodhi më pas?

Jeta jonë nuk ishte më ajo e para. Me gjithë postet zyrtare, prindërit dhe familja ime kanë qenë gjithë kohës në ruajtje të vazhdueshme nga agjentët e Sigurimit. Nuk bënin dot asnjë veprim sipas kokës së tyre, sepse kjo cilësohej menjëherë si goditje kundër pushtetit popullor dhe interesave të tij. Prindërit kanë punuar pa u lodhur, dhe nuk e meritonin fundin që patën. Në vitet 51’-53’, Naxhija punoi si drejtoreshë e Muzeut Arkeologjik dhe Etnografik, e më pas në vitin 1956, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare. U duk se gjërat nisën të përmirësoheshin, por dora e hekurt e pushtetit nuk vonoi të binte sërish mbi prindërit e mi. Mamanë, me një urdhër që nuk dihet se nga erdhi, e degdisën në Cërrik, ku mbeti pa punë, e disa muaj më vonë përfundoi mësuese e thjeshtë fshati. Ndërsa, babait i vjen një letër në zyrë e firmosur nga Adil Çarçani, i cili i komunikon pozicionin e ri të punës në rafinerinë e naftës në Selenicë. Kujtoj shumë vuajtje dhe shumë mundime të prindërve, që u përplasën keqas me pushtetin. Vështirësitë e jetës së tyre nuk kishin të sosur. Persekutimi dhe internimi në Selenicë të Vlorës ishin pjesa tjetër e dhimbshme e jetës së tyre.

Ishit fare e vogël kur shkelët në Selenicë, ju kujtohet diçka rreth asaj kohe?

Në fillim na internuan në Mavrovë të Vlorës. Mbaj mend që atë ditë erdhën në shtëpi disa njerëz trupmëdhenj, të veshur me rroba të errëta dhe na morën në një makinë për të na çuar në fshatrat e Vlorës. Unë nisa të qaja, sepse isha fëmijë dhe nuk e kuptoja shumë situatën që po ndodhte. Në makinë na hipën mua me mamanë dhe dy vëllezërit. Babai prej një viti gjendej në hetuesinë e Tiranës, sepse merrej në pyetje çdo ditë nga njerëz të Sigurimit. Nesti u burgos për një vit, dhe më vonë u bashkua me ne në kampin e Selenicës. Fëmijëria ime kaloi në ato kushte të vështira nëpër fshatrat e Vlorës.

Si shkoi jeta në kamp, si u rritët?

Isha shumë e re kur u futa në punë. Punoja tokat me bel, hapja kanale vaditëse dhe ujitëse, shpeshherë edhe me dorë. Më kullonin duart gjak nga puna e lodhshme dhe e vështirë për një fëmijë ende të parritur si unë. Ishte një jetë tepër e kufizuar. Vetëm punonim, shihnim problemet tona familjare. Por, edhe atje ishim të gjurmuar e të persekutuar gjithë kohës. Babai një periudhë kohë u sëmur keq nga një dhëmballë, e cila iu infektua dhe infeksioni i rrezikonte shëndetin, por mjekët nuk e preknin me dorë. Ti je Nesti Kerenxha, i thoshin… Mamaja gjithashtu u sëmur rëndë dhe zuri shtratin për muaj me radhë, por nuk i siguronim dot ilaçe. Nuk na jepte njeri ilaçe dhe ajo lëngonte në shtrat për muaj të tërë. Kaluam 35 vite të mundimshme në persekutim.

Sa i ndjeni sot pasojat?

Jeta ime ka qenë tepër e vështirë. Unë dola nga persekutimi në prag të 40-tave. Sot kam krijuar familjen time, dhe plagët nuk më janë shëruar ende. Mamaja dhe babai, megjithëse ishin personalitete për kohën në të cilën jetuan, e pësuan keq nga ai regjim i egër, dhe mbyllën sytë të pavlerësuar nga askush. Ata dhanë aq shumë për këtë vend, dhe në fund morën “shuplakën” në fytyrë.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura