Ulja e TVSH-së për turizmin, biznesi: Do të rrisim investimet

Apr 7, 2017 | 8:46
SHPËRNDAJE

Përfaqësues të biznesit dhe Shoqatës së Turizmit përshëndetën dje vendimin e qeverisë për uljen e TVSH-së për hotelet dhe bujtinat, nga 20 për qind në 6 për qind.

Kreu i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, dje në konferencën për shtyp
Kreu i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, dje në konferencën për shtyp

Presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, vlerësoi se ulja e taksës do të rrisë investimet dhe do të reduktojë informalitetin në sektorin e turizmit. Bregasi pohoi se me uljen e taksës, qeveria përmbush një nga kërkesat e hershme të sipërmarrjes, për të rritur cilësinë e shërbimit dhe për ta kthyer vendin në një atraksion turistik.

“Ulja e TVSH-së, përveçse është shumë e rëndësishme për ne sipërmarrësit, do të rrisë interesimin e investitorëve të huaj dhe të vendit për të investuar në resorte dhe struktura turistike. Me nivelin e taksave që ka qenë deri tani, nuk ka pasur asnjë interes për të investuar në fushën e hoteleri-turizmit. Edhe ne që kemi investuar, kemi qenë të çmendur, por mbase nga kjo ditë kthehemi edhe ne sipërmarrësit e turizmit në normalitet. Kjo masë e rëndësishme do të ulë shkallën e informalitetit në sektorin e turizmit dhe, pavarësisht se TVSH-ja u ul, të ardhurat do të jenë edhe më të mëdha. Në të gjitha argumentet që i kemi paraqitur qeverisë kur kemi kërkuar uljen e TVSHsë, ne kemi paraqitur edhe studime dhe shembuj konkretë, që niveli i të ardhurave të TVSH-së do të jetë më i lartë se të ardhurat që mblidhen aktualisht, për shkak të informalitetit të lartë që ka sektori i turizmit”, u shpreh Bregasi.

Presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, vlerësoi punën e qeverisë për të bindur Fondin Monetar Ndërkombëtar, që kundërshtoi ashpër në 2014- n uljen e taksës.

“Për ne sipërmarrësit ishte një eksperiencë e mirë edhe beteja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që u bind që performanca dhe infrastruktura tatimore është e gatshme të përballojë edhe me TVSH-në e diferencuar. Në këtë betejë që kemi bërë ne sipërmarrësit për uljen e TVSH-së, duhet thënë edhe një fjalë e mirë për ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, që ka tre vjet që përpiqet t’i mbushë mendjen FMN-së për uljen e TVSH-së. Në emër të “BiznesAlbania”, falënderoj qeverinë shqiptare për këtë vendim kaq të rëndësishëm dhe të pritshëm për sipërmarrësit privatë”, pohoi Bregasi.

Kreu i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi, tha se nga ulja e taksës do të përfitojnë 3900 hotele dhe bujtina në vend, me një kapacitet akomodues prej 63 mijë shtretërish. Kreu i Shoqatës së Turizmit pohoi se ulja e taksës pritet të ketë reflektim te çmimi dhe cilësia e shërbimit. Taksat e larta kanë frenuar investimet në industrinë turistike, pra investimet në sektorin e akomodimit nuk kanë qenë rentabël, dhe kjo reflektohet edhe në momentet e krizës së ndërtimit, ku asnjë biznesmen nuk investoi në turizëm, bëhet fjalë për hotele me standarde. Gjithashtu, ulja e taksës do të ndryshojë rrënjësisht raportin çmim-cilësi shërbimi, që klienti do të marrë. Po ashtu, ulja e TVSH-së është një hap i rëndësishëm në momentin kur industria po përgatitet për të kaluar fazën e vlerësimit të yjeve të hoteleve, çka kërkon kosto të mëdha, të cilat do të lehtësohen nga ulja e taksës”, u shpreh Topuzi.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura