UET merr notën 10 për cilësinë, vlerësohet maksimalisht nga Agjencia Britanike QAA! Rektori Tonin Gjuraj: Lidership i shkëlqyer

Sep 2, 2022 | 9:00
SHPËRNDAJE

tonin gjurajUET merr notën 10 për cilësinë

 Agjencia britanike QAA e vlerësoi Universitetin Europian të Tiranës, se i përmbushte të gjitha standardet e cilësisë të vendosura në zonën europiane të arsimit të lartë. Lidership i shkëlqyer, këshillim frytdhënës për studentët e ardhëm dhe bashkëpunim i fortë me grupet e interesit nga industria e biznesi, si edhe ofertë akademike që pasqyron kërkesat e tregut të punës për profesionistë të rinj. Rektori Tonin Gjuraj shpjegon pse UET zgjodhi t’i nënshtrohet shqyrtimit rigoroz ndërkombëtar dhe ambiciet për t’u shtrirë përtej tregut lokal të arsimit të lartë

Universiteti Europian i Tiranës i përmbush të dhjetë standardet e cilësisë të përcaktuara në Pjesën e Parë të Standardeve dhe Udhëzimeve për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Europiane të Arsimit të Lartë, e njohur ndryshe si ESG. Është ky konkluzioni i ekipit vlerësues të agjencisë britanike e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë, i cili kreu një proces të imtë shqyrtimi dhe vlerësimi në UET, gjatë këtij viti.  Ky vlerësim nga agjencia britanike QAA, u ofron institucioneve jashtë Britanisë së Madhe, mundësinë e një vlerësimi ndërkombëtar.

“Sapo kemi përfunduar procesin e vlerësimit ndërkombëtar institucional nga një agjenci britanike QAA, anëtare e ENQA-s,  që është rrjeti europian për sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë. Sipas ligjit shqiptar për arsimin e lartë , nëse një institucion i arsimit të  lartë dëshiron të realizojë një vlerësim institucional periodik, duhet ta bëjë me kushtin që agjencia të jetë anëtare e ENQA-s”, thotë rektori Tonin Gjuraj.

10 standarde europiane, të përmbushura plotësisht

Sipas raportit përfundimtar, i cili është botuar edhe në faqen zyrtare të QAA, Universiteti Europian i Tiranës i ka përmbushur plotësisht ato që njihen edhe si 10 ESG-të apo standardet dhe udhëzimet e përcaktuara më 2015-n, për zonën europiane të arsimit të lartë.

Ashtu siç e thekson edhe raporti i agjencisë së huaj, Universiteti Europian i Tiranës i është nënshtruar vazhdimisht proceseve vlerësuese të institucionit, si edhe të programeve studimore, duke e pasur cilësinë si një nga shtyllat kryesore të misionit të tij.

UET pat bashkëpunuar me agjencinë britanike QAA edhe në vitin 2016, që siç e saktëson rektori ishte komisionuar nga qeveria shqiptar për të kryer një proces të vlerësimit institucional të të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, publik dhe privat. “ Por standardet ishin ato të vendosura nga shteti shqiptar”, shton rektori. Standarde që edhe atë kohë UET i përmbushte plotësisht. Por kësaj here, ky universitet zgjodhi të ballafaqohej me standardet europiane.

Fushat, të cilave UET iu nënshtrua për vlerësim, sqaron më tej rektori janë ato që njihen ndryshe si dhjetë  standardet europiane të arsimit  të lartë.  “Ne vendosëm ta ndërmarrim këtë hap, edhe për të ruajtur traditën e mirë të bashkëpunimit me këtë agjenci të mirënjohur të vlerësimit të jashtëm, por pas  15 viteve ekzistencë, deshëm që të gjitha standardet dhe udhëzimet të jenë ato europiane. Siç dëshmohet nga raporti zyrtar, të dhjetë standardet janë përmbushur plotësisht pa asnjë kusht”, pohon rektori Tonin Gjuraj.

Pika apo standardi i parë, zbulon rektori, ka të bëjë me politikën e sigurimit të cilësisë. Me mënyrën sesi një institucion dizajnon dhe aprovon programet, më pas çështje që lidhen me mësimdhënien dhe mësimnxënien që kanë në qendër studentin dhe vlerësimin, me stafin mësimdhënës, pastaj vlerësohet mënyra e  menaxhimit të informacionit, informimi publik, progresi i studentit, njohja  e  programeve të studimit. Kalohet më tej te monitorimi i  vazhdueshëm dhe vlerësim periodik i programeve e në fund standardi i dhjetë me vlerësimin e jashtëm të cilësisë në mënyrë ciklike.

Vlerësime të tilla, nga agjenci me reputacion ndërkombëtar janë të rëndësishme për çdo universitet e veçanërisht për Universitetin Europian të Tiranës si një institucion relativisht i ri, në vitin e 16-të të ekzistencës. “Së pari është reputacionale, nga pikëpamja e imazhit. Por edhe nga ana praktike, ne kemi ballafaquar standardet tona me ato europiane  dhe ky raport evidenton të gjitha praktikat e mira të UET-it  në gjashtë vitet e fundit në raport me këto dhjetë fusha, pastaj ne do ta lexojmë midis rreshtave që ta përmirësojmë më tej punën, se në këtë raport ka edhe rekomandimet e veta, që është krejt normale”, thotë rektori.

 Pesë Praktika të Mira

Vlerësimi, i kryer nga një ekip prej ekspertësh senior, përfaqësues studentorë dhe vlerësues ndërkombëtarë të arsimit të lartë, nga një vend i dytë përveç Britanisë theksoi edhe pesë praktika të mira në UET.  Në këto praktika, agjencia britanike, vlerësoi udhëheqjen e fortë të ofruar nga Rektori dhe Zyra e Standardeve dhe Cilësisë, në përpjekjet për të ngulitur një kulturë cilësore në të gjithë universitetin.

Një tjetër pikë që vlerësohet është kuadri, sistemet dhe proceset e qëndrueshme të sigurimit të cilësisë, efektiviteti i tyre, zbatimi dhe angazhimi i stafit në të gjitha nivelet. Angazhimi aktiv dhe kontributi i gjerë nga grupet e jashtme të interesit në hartimin, ofrimin dhe monitorimin e programeve akademike, përmes Bordeve të Tregut të Punës  dhe jo vetëm.

Po ashtu, UET vlerësohet me notën 10, edhe në  ofrimin e këshillave dhe udhëzimeve të individualizuara për studentët e ardhshëm, të cilët bëjnë me dije preferencat dhe vendimmarrjen e tyre stafit akademik. Po një tjetër praktikë e mirë që lidhet me gamën e gjerë të informacionit të menaxhimit të mbledhur, analizuar dhe përdorur për të informuar praktika dhe vendimmarrje operacionale.

Ndërsa Agjencia britanike QAA bën vlerësimin, evidenton praktikat e mira dhe nxjerr rekomandime, tre janë rezultatet e mundshme për Vlerësimin Institucional. Në fund të procesit, një institucion ose i plotëson të gjitha standardet europiane të cilësisë, ose i plotëson ato për kushte specifike, ose nuk i plotëson standardet europiane për Vlerësim Institucional në një apo më shumë fusha. Universiteti Europian i Tiranës, sipas raportit të lëshuar nga agjencia britanike, i plotëson të gjitha standardet dhe asnjë kusht nuk iu vendos nga ekipi vlerësues.

Në mes të zgjedhjes së procesit të vlerësimit nga agjencia shqiptare apo një e huaj, e pavarur, Universiteti Europian i Tiranës zgjodhi një agjenci ndërkombëtare, duke synuar cilësinë dhe standardet e institucioneve të arsimit të lartë, në vendet e Bashkimit Europian.

Në vlerësim të vazhdueshëm

Nuk është hera e parë që UET i nënshtrohet proceseve të vlerësimit apo akreditimit nga agjenci të huaja. Rankimi i parë është kryer nga Agjencia Gjermane CHE, akreditimi i parë ishte ai i programeve të doktoratës nga APAAL, me çeljen e Shkollës Doktorale dhe ofrimin e diplomave të ciklit të tretë të studimit.

Vlerësime periodike institucionale janë mbajtur edhe më 2016-n, një proces i kryer nga

HEQAA , në bashkëpunime me QAA, që doli në përfundimin se UET i plotëson krejt standardet kombëtare të cilësisë. Më 2019-n, UET iu nënshtrua një vlerësimi gjysmë institucional për të shtrirë akreditimin e tij institucional te fakultetet e rinj të hapur më 2018-n.

Prej  2018-s, UET iu ofron studentëve përtej fakulteteve tradicionalë si ai i Drejtësisë, ai Ekonomik dhe i Shkencave Sociale, degë studimi të kërkuara në treg si inxhinieria informatike, arkitektura, artet, shkencat mjekësore teknike, në pesë fakultetet dhe 11 departamentet e tij, të pajisur gjithashtu me katër qendra kërkimore.

UET me sytë nga tregu ndërkombëtar i arsimit të lartë

Ky raport nuk është vetëm nga ata që i duhet universitetit për statistika.  Rektori thotë se ka aspekt praktik për studentët. Ata që e zgjedhin UET këtë vit akademik apo ata që kanë përfunduar ciklin bachelor, kanë  një garanci të vulosur se diploma i përket një universiteti që i përmbush  standardet europiane. Kjo  ua bën më të lehtë edhe lundrimin në  tregun universitar europian  për të vijuar më tej studimet, për ata që kërkojnë një përvojë jashtë vendit.

“Ndërkombëtarizimi nuk ka të bëjë vetëm me marrëveshjet dypalëshe me universitete të huaja. Jam i sigurt që çdo universitet i kam e qindra. Nuk do të thotë as  programet e përbashkët apo të dyfishtë. Do të thotë të ndërkombëtarizosh përmbajtjen e programeve të studimit. Është edhe çështje besueshmërie, përveçse reputacionale.

Pas 15 vitesh që operon në treg, UET ka hedhur sytë përtej tregut lokal të arsimit të lartë, drejt ndërkombëtarizimit. “Bazuar  te ky raport do të dimë të vijojmë kontaktet dhe punë me këtë komunitet akademik ndërkombëtar dhe me këtë agjenci apo të tjera, në mënyrë që standardet të barazohen me ato europiane dhe ndërkombëtare që kjo t’i lehtësojë studentët, për mobilitetin e tyre”, thotë rektori.

Rektori zbulon se Universiteti Europian i Tiranës ka nisur kontakt me disa agjenci të rëndësishme rekrutimesh përtej rajonit, “…që të jemi të përgatitur  në këtë vit akademik, por sidomos në pesë a gjashtë vitet e ardhshëm të kemi studentë ndërkombëtarë në UET”.   UET ofron aktualisht katër programe studimi në gjuhën angleze, të licencuara, tre prej tyre janë çelur vitin e kaluar, ndërsa PoSig të Salzburgut funksionon prej vitesh.

“Me një raport të tillë,  duke punuar fort me dimensionin e ndërkombëtarizimit  dhe së bashku me Zyrën e Projekteve, që ka bërë punë të shkëlqyer dhe,  duke rishikuar sipas rekomandimeve programet e studimit të cilën e kemi edhe politikë konstante,  do  të mund t’u krijojmë studentëve  një lehtësi të madhe,  por edhe të tërheqim studentë që vijnë  jo vetëm  nga rajoni apo Europa Juglindore, por edhe nga vende të tjera”.

Rektori Gjuraj zbulon se kanë nisur bisedime në Konferencën e Rektorëve me Ministrinë e Arsimit e të Sportit, por edhe ato të Brendshme dhe të Punëve të Jashtme, mbi lehtësimin e barrierave dhe të procedurave për studentët ndërkombëtarë.

Pas këtij vlerësimi institucional, ambicia e UET është të kalojë në vlerësim ndërkombëtar edhe disa programe studimi. Pas përvojave pozitive me agjencitë e pavarura ndërkombëtare, ky universitet vlerëson metodologjinë dhe objektivitetin  e punës me agjencinë britanike.

Puna imediate e departamenteve thotë rektori është ajo e përmirësimit të programeve në bashkëpunim me bordet e punës, për të pasqyruar jo vetëm kërkesat e tregut vendas të punës, por atij europian e më gjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura