U vetëvar me spango, 13-vjeçarit i gjendet loja e rrezikshme në telefon. Zbardhet dëshmia e prindërve. Çfarë është sfida “Blackout” në “Tik-Tok”

Nov 23, 2021 | 11:14
SHPËRNDAJE

Hetuesit nuk kanë më dyshime në lidhje me vetëvrasjen e 13-vjeçarit në fshatin Golem të Lushnjës. Sipas burimeve nga hetimi, fëmija Arjet Sulovari kishte disa kohë që ishte i përkushtuar maksimalisht lojërave në rrjetin social “Tik-Tok”.

Madje edhe nga adresa e tij publike janë parë video dhe pamje të një niveli ekstrem, çfarë i ka çuar hetuesit të mendojnë se ai ka pasur probleme varësie me rrjetet sociale, por jo vetëm kaq edhe probleme psikologjike që burojnë prej këtyre rrjeteve.

Një prej sfidave që ishte përfshirë minoreni ishte “Blackout”, e cila duket se është bërë shkak për aktin ekstrem të vetëflijimit. Në këtë rrjet transmetohen video dhe imazhe të errëta, ku një nga sfidat është arritja e gjendjes së të fikëtit.

DJALI I VETËVARUR ME TELEFON PËRBALLË

Ndërkohë familjarët e të afërmit e viktimës, i kanë treguar hetimit se veçanërisht muajin e fundit djali i tyre kishte krijuar varësi nga telefoni.

Ndonëse disa herë e kishin bërë problem në familje ai sërish nuk e kishte lëshuar telefonin nga dora. Familjarët nuk e dinin se çfarë bëhet me telefonin, por ishin të shqetësuar vetëm për faktin që kalonte gjithë kohën në telefon.

Prindërit e 13-vjeçarit u kanë deklaruar hetuesve që ditën e aktit ekstrem të vetëflijimit, përballë trupit të pajetë është gjetur telefoni celular, por ata nuk janë në gjendje të thonë nëse celulari kishte filmuar momentin.

Telefoni ka qenë me kod dhe Policia e ka marrë për të parë çfarë është regjistruar në të, ndërkohë që familjarët ende nuk dinë nëse ai e ka filmuar aktin e rëndë apo jo.

NGJARJA

Minoreni i dha fund jetës, duke u vetëvarur me një spango në dhomën e tij të gjumit. Ngjarja tragjike është regjistruar pasditen e së shtunës në fshatin Golem. Fëmija Arjet Sulovari u gjet i vetëvarur nga prindërit e tij, të cilët e dërguan me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ishte tepër vonë për të.

Pasi djali u zhduk papritur, prindërit e Sulovarit kanë bërë kërkime të shumta në lagjen ku ata jetojnë. Pasi e kanë thirrur disa herë, duke pyetur gjithashtu edhe fqinjët, ata kanë shqyer derën e dhomës pasi ajo ishte e mbyllur nga mbrapa.

Pas këtij momenti, ata janë përballur me skemën tragjike, duke zbuluar djalin e tyre të vetëvarur, ndërsa në tokë ishte e rrëzuar një karrige.

“Rreth orës 18:00, në Spitalin e Lushnjës është sjellë nga prindërit pa shenja jete, djali i tyre 13-vjeçar, banues në fshatin Golem, i cili dyshohet se është vetëvarur në banesë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj”, sqaroi shkurtimisht Policia. Duke u nisur nga dyshimet se 13-vjeçari mund të ketë qenë duke realizuar një sfidë për rrjetet sociale, hetuesit kanë këqyrur përmbajtjet që Arjet Sulovari shpërndante në profilin e tij në “Tik-Tok”, ku rezulton se ai ka shpërndarë video.

Në videot e shpërndara nga djali me një profil nën emrin “Djali i keq”, flitet për vetmi të thellë, ndërsa mungojnë fotot e tij. I mituri shkruante se “vetmi nuk do të thotë të jesh vetëm, por të kesh një zemër të vetmuar”, “jeta ime është mbushur me errësirë, prandaj unë rri në errësirë”.

Ndërkohë, në një tjetër video shkruante: “jetë pa lidhje, probleme pa zgjidhje, botë me shumë ngjyra, njerëz me dy fytyra”. Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e arsyeve që mund të kenë çuar të miturin drejt këtij akti fatal, mes dyshimeve nuk është përjashtuar edhe fakti që dyshojnë të gjithë, ai i regjistrimit të një videoje për në rrjetin social “Tik-Tok”.

Rreziku i sfidës “Blackout” në rrjetin e videove “Tik-Tok”

Shumica e sfidave të “Tik-Tok”-ut janë argëtuese dhe padëmshme, por sfida e fundit popullore “Blackout” ka regjistruar edhe fatalitete, megjithëse numri i saktë nuk dihet ende.

Autoritetet po paralajmërojnë njerëzit që të shmangin sfidën e “Blackout”, e cila, si sfida “Pass Out” e vitit 2020, mund të çojë në asfiksi. Loja kërkon që pjesëmarrësi të shkojë deri në atë gjendje derisa të humbasë vetëdijen dhe të zgjohet pak momente më vonë.

Vitin e kaluar, Sfida “Pass Out”, gjatë së cilës adoleshentët tundnin kokën nga njëra anë në tjetrën derisa humbën vetëdijen, gjithashtu dha rezultate të ngjashme të frikshme. Rastet e minorenëve nëpër botë që kanë humbur jetën nga kjo sfidë janë disa. Për shembull, një vajzë e vogël në Palermo u shpall e vdekur nga truri pasi pësoi arrest kardiak në përpjekje për të marrë pjesë në sfidën “Blackout”.

Trendi mund të shkaktojë të fikët, dëmtim të trurit dhe konvulsione edhe kur nuk është vdekjeprurëse, sipas ekspertëve. Ajo që po ndodh në të vërtetë në tru është mungesa e oksigjenit e ngjashme me atë kur dikush mbytet ose ka një arrest kardiak. “Tik-Tok”-u rekomandoi raportimin e çdo videoje “Blackout Challenge” të zbuluar në platformën e saj.

Sfidat, specialistja: Familjet nuk e kuptojnë rrezikun, refuzojnë ndihmën

Duket se familjet nuk e kuptojnë rrezikun e këtyre sfidave në rrjetet sociale dhe përveç se nuk arrijnë të ndihmojnë fëmijët e tyre, ata refuzojnë edhe ndihmën nga shërbimet sociale.

“Jo të gjithë prindërit e kanë kapacitetin për të kuptuar fëmijët e tyre dhe për të përballuar problemet që prek shoqëria sot. Ka raste që nuk pranojnë shërbimin mbështetës psikologjik për shkak të mentalitetit, nuk duan të ekspozohen te shërbimet sociale. Dhe kur ia ofrojnë shërbimin pranë banesës, e kanë problem që komuniteti rreth e përqark të shohë që po marrin këto lloj shërbimesh.

Megjithatë janë të paktat rastet e refuzimeve. E gjithë kjo histori na ka prekur të gjithëve, është një fenomen që po pëson rritje në shoqërinë tonë. Pandemia ka qenë një nga shkaqet kryesore të rritjes së këtyre fenomeneve sepse fëmijët kanë pasur akses ndaj telefonave celularë dhe internetit.

Prindi është i pari që duhet të rrisë vigjilencën për fëmijët se sa orë shpenzojnë me internet dhe nëpër rrjete sociale. Ku e akseson fëmija internetin? Me kë qëndron kur nuk është me prindin? Pra duhet të rrisë vigjilencën dhe të bisedojë me fëmijën e vet. Mendoj se prindi ka rolin kryesor pasi duhet t’i mbushë kohën fëmijës me aktivitete kulturore dhe sportive. Kur kjo nuk është e mundur, është mirë që prindi të kalojë orë cilësore me fëmijën duke biseduar sepse është ai i pari që mund të identifikojë një problem tek fëmija e vet. Ai dallon qartë se fëmija po ndryshon sjellje”, thotë specialistja Valbona Myzeqari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura