Në ditën e 51-të të protestës kundër qeverisë, një prej qytetarëve të pranishëm në shesh deklaroi se kërkesa e protestuesve nuk lidhet vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama, por me një ndryshim më të thellë të sistemit politik në vend.
Ai u shpreh se Rama erdhi në pushtet me një skuadër që sot është nën hetim dhe se vetë ai, është arkitekti dhe njeriu që ka organizuar gjithçka.
“Sot ne kërkojmë një gjë shumë të thjeshtë, largimin e një qeverie të korruptuar dhe një kryeministri të korruptuar. Kur u ngjit në pushtet premtoi se kishte një skuadër, por sot ajo skuadër është nën hetim. Ai është arkitekti dhe njeriu që ka organizuar gjithçka në këtë vend”, u shpreh protestuesi.
Protestuesi u ka kërkuar që deputetët t’i bashkohen vullnetit të qytetarëve për të arritur ndryshimin që ata kërkojnë prej 51 ditësh.
“I keni parë “përfaqësuesit e popullit”? Nuk mbajnë përgjegjësi, mbrojnë vjedhjen, plaçkitjen dhe shpopullimin e vendit… Ata deputetë që kanë mbetur, të na bashkohen dhe t’i vënë mandatet e tyre në pozicion të kësaj proteste”, tha ai.
Protestuesi: Sot ne kërkojmë një gjë shumë të thjeshtë, largimin e një qeverie të korruptuar dhe një kryeministri të korruptuar, që kur u ngjit në këtë shkallë, u ngjit me premtimin se kishte një skuadër, por fatkeqësisht skuadra e ka lënë dhe sot është e gjitha nën hetim. Çuditërisht, vetëm ky del i fajësuar nga gjithçka, por dihet që ky është arkitekti dhe njeriu që ka organizuar gjithçka në këtë vend.
Prandaj, për 51 ditë rresht këta njerëz kanë dalë me një vullnet shumë të lirë për një ndryshim themelor në Republikën e Shqipërisë. Çdo shqiptar duhet ta dijë, nga Shkodra deri në Sarandë, se këtu nuk bëhet fjalë për të ndryshuar thjesht dy njerëz. Bëhet fjalë për të ndryshuar një sistem, bëhet fjalë për një Shqipëri të re, një Kushtetutë të re. Na ka bashkuar të gjithëve thirrja: Rama në burg, Berisha në burg.
Ky është misioni ynë dhe ne nuk dorëzohemi deri në arritjen e një Shqipërie të lirë, për të gjithë njerëzit dhe jo një pronë private të një kryeministri të korruptuar dhe një parlamenti pa dinjitet. I keni parë “përfaqësuesit e popullit”? Nuk mbajnë përgjegjësi, mbrojnë vjedhjen, plaçkitjen dhe shpopullimin e vendit. Ju erdhi fundi.
Shqipëria e re nuk është thjesht një iluzion, por ajo që kemi kërkuar për 35 vite rresht. Të zgjedhim ne dhe jo më listat e tyre të kalbura. Ata deputetë që kanë mbetur, të na bashkohen dhe t’i vënë mandatet e tyre në pozicion të kësaj proteste, në mënyrë që në Shqipëri të krijohet një rend i ri demokratik, sepse ky është vullneti i njerëzve. Nuk duam thjesht të heqim një autokrat për të vënë një tjetër. Duam një ndryshim politik thelbësor.
© Panorama.al











