Turizmi malor i munguar i Shpatit Elbasan

Jun 21, 2024 | 7:55
SHPËRNDAJE

Hyqmet ZaneHYQMET ZANE

Në këtë stinë të nxehtë të verës, shumë e shumë qytetarëve u shkon mendja dhe kanë dëshirë të frekuentojnë turizmin e freskët malor, jo vetëm atë bregdetar. Arsyet shëndetësore të shumë shqiptarëve kanë si orientim pushimet në vende të freskëta malore. Elbasani e ka zonën e tij si turizmi malor zonën e Shpatit, ku Gjinari dhe Zavalina dhe në mes Bukaniku janë burim turistik nga Zoti, por të keqmenazhuar nga qeverisja e rilindjes.

8 vite si mësues në zonën e largët malore të Zavalinës, më shumë se sa vështirësitë e udhëtimit, më ka lënë një shije shumë të mirë për ambientin dhe mundësitë turistike të zonës së Shpatit dhe veçanërisht Gjinari dhe Zavalina. Nëse Zoti i krijoi kësaj zone resurse turistike, historikisht i dha edhe lavdinë e mosnënshtrimit ndaj të huajve që vinin si pushtues. Por, nëse e shohim këtë territor të bukur e të bekuar, me gjelbërim, nuk ka se si të mos shkojë mendja te fakti se përse këtë pasuri si dhuratë prej Zotit, dora e njeriut, por më shumë se ai dora e pushtetit e ka lënë në mëshirën e fatit? Si kas mundësi që një zonë e njohur për bukuri të rralla, të mos futet në hartën e turizmit kombëtar?

Pushtuesit nuk arritën dot ta nënshtronin këtë zonë të Shpatit dhe ajo ruajti identitetin e saj me krenari të ligjshme. Banorët e Shpatit që përbëhet nga fshatrat Gjinar, Zavalinë, Seltë, Valsh, Lleshan, Dëstilë, Pashtresh, Jeronisht dhe Kamiçan janë shpërblyer edhe nga Zoti për natyrën që u ka dhënë si dhuratë e madhe me bukuritë dhe reliev atraktiv, malor dhe me freski, sidomos në verë dhe në dimër me borë, rrethuar me pisha dhe ahe që e bëjnë Shpatin të pëlqyer.

Por gjendja e turizmit që do të duhej të ishte me nam dhe frekuentim masiv, të lë një shije keqardhje dhe fjala e parë që del “Po përse ndodh kështu me këto bukuri të mëdha turistike?”. Edhe në kohën e diktaturës në malin e Bukanikut kishte një kamp veror dhe dimëror, ashtu edhe si Fusha Qorrja apo më shumë akoma Liqeni i Zavalinës me bukuri të rrallë në një lartësi të madhe, por që gjelbërimi e ka rrethuar si një amfiteatër natyror.

Kush nuk do të donte të kishte një bujtinë siç janë bërë në Fushë-Kuqe siç njihet Gjinari qendër si një relaks veror. Ato ishin të krijuara në një kohë para 1990-ës, edhe pse jo me cilësi dhe dinjitoze, por gjithsesi kishte dhe u shërbenin qytetarëve. Nga fakti që e njoh mirë këtë zonë se vitet e mësuesisë më bënë edhe kurajoz dhe jam mrekulluar dhe kam mbetur i mahnitur nga ajo bukuri e natyrës që ka krijuar Zoti në një hapësirë të madhe, që do të duhej të ishin turizmi malor dhe kulturor më i rëndësishëm në Shqipërinë e Mesme.

Fotografimi i shumë ambienteve të tilla, që kanë edhe histori të hershme për rezistencën që i është bërë pushtuesve, do të duhej të ishte një relaks i vërtetë, që do të thithte turistë në çdo stinë të vitit dhe do të rriste të ardhurat ekonomike me shërbimet ndaj tyre. Çfarë nuk prodhon toka e fshatrat të Shpatit dhe ato janë bio dhe të preferueshme nga blerësit. Por nëse do të ishin turistë, do të kishte një ngritje të madhe dhe dëshirë për të shtuar prodhimet.

Fusha e Bukanikut qëndron si më e veçanta nga bukuritë dhe relaksi që të krijon, por mungon investimi, asnjë mundësi që të shkojnë turistë në këtë hapësirë të bukur. Liqeni i Zavalinës me hapësirë gjelbëruese dhe e rrethuar me pisha dhe me freski të madhe, në verë do të duhej të ishte një kamping i bukur, modern dhe me frekuencë të larët. Por rruga për të vajtur nga Bukaniku deri në Liqen të Zavalinës është me shumë zigzage dhe jo me mirëmbajtje dhe aq më shumë me rrezik nga mosmirëmbajtja nga rënia e gurëve dhe degëve të mëdha të pemëve pa masa mbrojtëse.

Fushë-Qorrja do të ishte vërtet një kamping që do ta kishin zili edhe Voskopoja dhe Dardha e Korçës për shkak të një rrethimi me gjelbërim masiv dhe me mundësi pushimi turistësh të mrekullueshëm. Por gjithçka mungon. Mungon se mungojnë investimet dhe më shumë akoma mungojnë projektet turistike.

E vetmja gjë që i bëhet kësaj zone është vjedhja mafioze e trupave drusorë sa një nga punonjësit e Zavalinës Vasil Bardhi shprehet se janë bërë masakra nga njerëz pa licencë, por që kanë mbështetje edhe policinë, edhe pushtetin, edhe deputetë të qeverisjes dhe mafiozët e këtyre punëve. Nëse duhet të mendonim se kjo zonë e Shpatit duhej të rilindte, ajo në fakt u fut në errësirë dhe banorët e saj e gjejnë të udhës të ikin se kostoja e jetesës së tyre rritet dhe nuk kanë asnjë mbështetje. Ku mungon turizmi malor dhe ai kulturor, kjo flet për mungesën e qeverisjes që e ka dënuar këtë zonë me mosqeverisje dhe pa investime, ku u dhitet pasuria dhe çdo gjë është kthyer në KÇK e kryeministrit.

Ish-kryebashkiaku i Elbasanit, i mirënjohuri Engjëll Dakli, edhe deputet, edhe ministër, edhe kryebashkiak, si një intelektual i vërtetë që ishte, shprehej shpesh në lidhje me punët “Kush do bën punën, kush nuk do vetëm thotë fjalë pa fund se punë nuk bën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura