“Trishtuese, arrestimet politike të kundërshtarit”, Ish-ministri: Beleri si rasti i burgosjes së Berishës e Nanos, lipset ndjesëkërkim

Sep 11, 2023 | 14:07
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Genc Pollo, ish-ministër dhe deputet i PD-së, i konsideron trishtuese arrestimet e kundërshtarëve politikë në Shqipëri.

genc pollo fredi beleri

Ai i referohet rastit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, teksa risjell në vëmëndje edhe arrestimin e ish-Kryeministit Fatos Nano dhe Sali Berisha, për të cilët shprehet se lipset ndjesëkërkim.

Ish-deputeti demokrat thotë për gazetën “Panorama” se duhet të respektohet zgjedhja e himariotëve pasi sipas tij, po shkelen të drejtat e njeriut. Rezolutat evropiane Genc Pollo i konsideron një ndihmë për demokracinë, teksa i kujton PD-së de duhet ta përgatiste ajo rezolutën dhe protestën në Himarë jo të priste që të vinin kryebashkiakët nga Athina e Selaniku. Sa i përket qëndrimit të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për çështjen “Beleri”, Pollo shprehet se Kryeministri e ka një siklet të brendshëm e të jashtëm, ndërsa Bashës i kujton se ndonëse u formua në Holandë, merr anën e antivlerës evropiane.

Z. Pollo, ju e keni quajtur Fredi Belerin të burgosur politik dhe çështjes së tij i keni kushtuar dy artikuj në rubrikën “Opinion” të gazetës tonë. Pse ky angazhim?

Kam deklaruar në qershor gjatë një konference ndërkombëtare se me Belerin fatkeqësisht Shqipëria ka sërish një të burgosur politik. Dhe vazhdoj t’a deklaroj këtë ku të mundem. Po ju a shpjegoj pse: Shqipëria postkomuniste ka raste të trishtuara të burgosjes së kundërshtarit politik pa motive penale serioze. Fillimisht me Fatos Nanon, për rastin e të cilit duhet marrë përgjegjësi e lipset ndjesëkërkim duke i uruar edhe shëndoshje të shpejtë. Pastaj gjashtë ish ofiqarë të Partisë Demokratike (përfshi edhe ish-ministrat S. Zhulali, H. Shamata e B. Çela) në gusht 1998 me akuzën fantazmagorike të “krimeve kundër njerëzimit”. Pastaj, arrestimi 24-orësh i Sali Berishës në nëntor 2000 mbas protestave të tensionuara të opozitës. Edhe këtu vlen sa u tha për Nanon. Edi Ramës iu kursye një trajtim i tillë mbas 21 janarit 2011. Dhe në tërësi unë e kam konsideruar një zhvillim pozitiv që, veço dekadën e parë të demokracisë, Shqipëria e shek. 21 nuk shënoi arrestime e burgosje të tilla. Demokracia mund të ketë shfaqur sindroma të tjera, por të paktën për opozitën politike nuk janë përdorur prangat. Me arrestimin e Belerit jemi kthyer pas në vitet 90. Sepse sipas informacionit të besueshëm që unë kam, në fakt mjafton informacioni publik, Beleri u arrestua para zgjedhjeve që të mos mundte të dilte fitues. Meqë këtu qeveria dështoi, e mbajnë në burg në mënyrë që kryebashkiak në Himarë të mbetet apo të emërohet një lepe-peqe i Edi Ramës. Ky rast është në vetvete shumë i rëndë. Por është një precedent edhe më i rëndë: Kur Ramës i erren sytë për pronat e bregdetit e bën gjëra të tilla që nuk i ka bërë deri tashti. Po sikur nesër ai të ketë përballë nga opozita një kadidat për kryeminstër që rezulton fitues? Cfarë do t’a ndalë të aplikojë metodën Beleri?

Megjithatë, Kryeminstri Rama mohon të ketë gisht në arrestim dhe kritikon Greqinë për reagime ekstreme…

T’i marrim gjerat me radhë. Beleri është qytetar shqiptar dhe kandidat fitues i opozitës për Bashkinë Himarë. Çështja e tij është absolutisht çështje e demokracisë, shtetit ligjor dhe e të drejtave njeriut në Shqipëri. Prandaj lipsej që mitingun e protestës në Himarë t’a organzonte opozita dhe jo të priste që të vinin kryebashkiakët nga Athina e Selaniku. Në Greqi është e pëlqyeshme të flasësh pro Belerit, prandaj shumë politikanë atje nuk humbin rastin për t’u prononcuar. Edhe duke e tepruar ndonjëherë. I është dhënë pamja e një çështje bilaterale ndërshtërore dhe çështje e minoritetit grek në Shqipëri. Nuk është tamam kështu. Por, le t’i kthehemi thelbit e burimit të problemit: nëse Rama nuk do kishte arrestuar Belerin siç thamë më lart, a do i kishim këto pasoja? Kush ia dha shkakun zotit Zerva për të mbajtur fjalime në Himarë?

Beleri është edhe shtetas grek…

Po! Dhe në bazë të Konventës së Vjenës çdo shtet mund të interesohet kur u ndodh gjë qytetarëve të vet jashtë vendit. Shtetet serioze e bëjnë këtë. Italia nuk po ndalet derisa vrasësit e Giulio Regenit, një studjues i që u vra në Kairo me të dyshuar policë egjiptianë, të dalin para gjyqit. Së fundmi Irani arrestoi arbitrarisht një suedez që punonte në Komisionin Europian. BE e Suedia po rrisin presionin për masa e sanksione që shtetasi i tyre të dalë nga burgu. Shembuj të tillë ka pafund. Pra, nga kjo pikëpamje Greqia ushtron të drejtat e saj për të mbrojtur interesat e saj.

Dhe Rama thotë se po ndërhyjnë në mënyrë të paduhur e të padrejtë…

Rama vetë bëri ndërkohë gjysëm kthese. Por trumpetistët e zakonshëm të tij prej muajsh po japin alarmin se na piu gjakun greku i mallkuar. Me ta janë bashkuar edhe koshadhet e fjetura që zgjohen e aktivizohen në të tilla raste. Dhe kanë tentuar një klimë “moblizimi kombëtarist”. Me një farë suksesi sepse shoh dy-tre figura përgjithësisht të pavarura që fokusohen tek tensionet Tiranë-Athinë por jo tek shkaku imediat i tyre. Si personi që ngul sytë te gishti që tregon hënën por është i paaftë të shikojë vetë hënën. Ose duke perifrazuar shprehjen e kryeministrit William Pitt “Nacionalizmi është strofkulla e fundit e horrit” në “Nacionalizmi është stacioni i parë i budallait, dhe i naivit”.

Si i konsideroni akuzat ndaj Fredi Belerit se ka bërë deklarata nacionaliste greke?

Është e drejta e Belerit të distancohet prej tyre; siç edhe sqaroi se nuk ka folur për helenizim të Himarës siç pretendoi Rama. Ne e të tjerë nuk mund të mohojmë këtë të drejtë. Ashtu siç edhe lipset të kujtojmë se elektorati i Himarës duhej të zgjidhte midis njërit që me vepra kishte kontribuar në betonizimin e bregdetin e plaçkitjen e pronave e që do e vazhdonte këtë punë edhe katër vjet, dhe tjetrit të zotohej të pengonte betonizimin e plaçkitjes. Në fakt as ju e as unë nuk jemi votues himariotë e duhet të respektojmë zgjedhjen e tyre.

Por, ka zëra të mazhorancës sipas të cilëve Beleri është përzier me sulmin terrorist kundër njësisë ushtarake në Peshkëpi, Dropull…

Nëse është e vërtetë kjo do e ndryshonte kryekëput situatën. Por, për këtë mungon çdo provë; përveç mohimit nga të fajësuarit. Nëse veprohet pa bazë faktike jam i bindur që javën tjetër do të ketë zëra se Rama ka vrarë Hasan Prishtinën në Selanik, Greqi dhe Berisha Luigj Gurakuqin në Bari, Itali dhe prandaj i duhet hequr mandati secilit. Me vjen keq por kjo nuk shkon. Pastaj të jeni të sigurt, që edhe sikur opozita të kishte kandiduar xha Hetemin nga Kallarati, edhe atij do i gjenin material për t’a shpallur armik të popullit. Qeveria me trumpetistë e me koshadhet taktike ka resurse të pafundme në këtë drejtim.

A po merr Beleri mbështetjen e duhur nga opozita?

Zoti Berisha e zoti Meta kanë qenë të qartë e të prerë. Edhe pse një pjesë, mendoj e vogël, e bazës partiake të tyre mund të ketë patur moskuptime e janë nevojitur sqarime. Por, ata meritojnë respekt e lavdërim sepse kanë pranuar një kosto politike të caktuar për të mbrojtur parime dhe vlera kushtetuese dhe europiane.

Si e konsideroni qëndrimin e Lulzim Bashës në këtë rast, duket sikuar ka tjetër linjë?

Lulzim Basha me sa kam parë nuk është shprehur vetë por njerëzit rreth tij kanë tundur sloganin “Beleri në burg” tok me trumpetistët e koshadhet. Enveri gëzon nga bota matanë kur sheh trashëgimtarët ideologjikë të tij se si shumohen në brezat e rinj. Është interesante të krahasosh këto qëndrime. Berisha e Meta formimin universitar fillimisht e morën në Shqipërinë e Partisë së Punës, si dhe unë. Basha pati privilegjin e moshës dhe këtë formim e mori në Hollandë, një vend me traditë të shquar të së drejtës të ndikuar nga humanistë si Erazmi e Spinoza. Dhe ky i fundit merr qartazi anën e antivlerës europiane; duke qenë aq i zgjuar e shkolluar për të kuptuar se cfarë po bën. Pra mund të konkludosh se principialiteti nuk është dhe aq çështje formimi arsimor sesa çështje formimi karakterial.

…dhe çfarë e bën Bashën të tillë?

Druaj se ai është në trajektoren e shërbimit final ndaj Ramës. Uroj që të jem gabim por kështu më duket. Basha mund të kritikojë Ramën madje edhe opozitën për abuzim e korrupsion, por është i padëgjueshëm. Nuk thith vëmendje. Pra, nuk bën dot dëm. Kurse në çështjen Beleri kryeministri e ka një siklet të brendshëm e sidomos të jashtëm. Dhe këtu atij i nevojiten koshadhe shtesë.

Po reagimi ndërkombëtar për Belerin pse ka mbetur i kufizuar te Greqia?

Ka pasur një rezolutë të Parlamentit Evropian ku çështja “Beleri” shihet edhe në lidhje me grabitjet e qeverisë në bregdetin e Jonit. Së fundmi, edhe Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane…

Kjo e fundit e iniciuar nga Nea Demokratia greke

Rezoluta ishte shumë e mirë edhe pse në nevojë për ndonjë saktësim. Në fakt do të ishte detyrë e PD-së që të paraqiste një rezolutë të tillë. Por kjo nuk është e mundur sepse për shkak të komplikacion e të vulës së PD-së përkohësisht nuk eshtë e pranishme në këto forume. Fatkeqësisht.

Si e shikoni shqetësimin se Beleri do të ndikojë në census ku të deklarohen mbi 20% grekë dhe sipas një ligji të qeverisë Rama, Himara shpallet bashki me minoritet me të drejta dygjuhësie, flamuri etj.

Nuk jemi këtu për të hedhur fall, por për parë realitetin. Në vitin 2007, si ministër i Arsimit isha në Himarë dhe prita një përfaqësi të Qeparoit që kërkonte fonde shtesë për transportin e nxënësve të arsimit bazë. Numri i nxënësve në shkollën e Qeparoit kishte rënë nën normë dhe në këto rrethana minstria paguante transportin në shkollën fqinjë. Dikush në përfaqësi kundështonte: si mund t’a mbyllim shkollën shqipe të Qeparoit që gjyshërit tanë e patën hapur në vitet 1920 dhe nuk e mbyllën ndonjëherë deri sot. Numrat dolën më të fortë se nostalgjia romantike dhe Drejtoria Arsimore Vlorë i dha zgjidhje problemit.

Këtë vit në gusht, 16 vjet më vonë, vizitova për herë të parë Qeparoin fshat lart në mal, pashë godinën e shkollës gjysëm të rrënuar me oborrin që ndante me kishën. Xha Tasho që na mikpriti në shtëpi na tha se jashtë sezonit turistik në fshat kishte 29 vetë pothuaj të gjithë moshë e tretë. Dhe në fakt nga Palasa në Shën Vasil jetojnë diçka më shumë se një mijë frymë. Ky është problemi i madh demografik. Përkundrejt këtij mund të ngrenë flamurin grek, bullgar apo portugez. Por megjithë respektin do të jetë një beze me ngjyra. Po nuk pati njerëz. Dhe nuk kanë ndërmend të vijnë as bullgarët e as portugezët. Madje as grekët që po vuajnë nga emigrimi i profesionistëve në Europën Qendrore. Pra, simbolet pa njerëz janë pa vlerë.

Ka të drejtë Kryeministri kur thotë se ai po e zgjidh problemin e pronave në Himarë dhe se aludimet për abuzime janë gënjeshtra?.

Në vitin 2011 një nga detyrat e mia si Ministër Shteti ishte edhe kryesimi i Komisionit Qeveritar për Tokën. Me këtë cilësi miratuam në qeveri një udhëzim që formalizonte “tokën e babës” pra, toka që nuk ishin ndarë me ligjin 7501 sepse komuniteti vendor respektoi pronarët e vjetër. Ideja ishte që pushteti vendor përmes konsultimeve e dakordësisë mes e brenda familjeve trashëgimtare të formalizonte pronat me pronarë e kufij. Procesi eci, por ngadalë sepse nuk është kollaj kjo dakordësi tek ne. Mbas 2013 Qeveria Rama e centralizoi në Kadastër të drejtë për të njohur pronarin e ligjshëm. Gjithashtu miratoi ligjin për investorin strategjik që i jepte qeverisë të drejtën që t’i merrte pronën banorit të Himarës apo Borshit dhe t’ja jepte këtij investitori falas. Në thelb, vetëm ata pronarë që pranonin kushtet e biznesmenëve strategjikë të Ramës mund të nxirrnin certifikatën në Kadastër. Kushtet ishin dhënia e tokës për një kothere bukë. Zullumet që pasuan janë të njohura. Si dhe strategjikët që variojnë nga ministra te personazhe të “SkyCC”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura