Tiago Mota përshëndet Bolonjën, pas takimit me presidentin: Do të jem krenar për ju

May 24, 2024 | 16:32
SHPËRNDAJE

Ajo që dihet prej ditësh nga dje është më në fund zyrtare, Tiago Mota nuk është më trajneri i Bolonjës. Më saktë nuk do të jetë më pas ndeshjes mbrëmjes së nesërme, në transfertë ndaj Xhenoas.

tiago mota

Këtë e ka bërë të ditur vetë klubi kuqeblu, pas bisedës së bërë dje siç ishte lajmëruar, e cila u zhvillua në “Casteldebole”. “Këtë mëngjes (dje), Tiago Mota i ka komunikuar klubit synimin e tij për të mos rinovuar kontratën me Bolonja FC 1909. Pasi ka vënë në dukje vendimin, klubi falënderon trajnerin për punën e jashtëzakonshme të bërë dhe i uron atij fat të mirë për pjesën tjetër të karrierës së tij”, shkruhej në komunikatën zyrtare për shtyp të klubit.

DORËZOHET SAPUTO – Pas mbledhjes, i dëshpëruar ka folur edhe presidenti i Bolonjës, Xhoi Saputo, i cili vendosi që të udhëtojë nga Kanadaja në Itali 10 ditë më parë, në të cilat është përpjekur që të bindë Tiago Motën të qëndrojë, por pa sukses. “Në këto dy vite kam njohur dhe punuar me një trajner të përgatitur dhe fitues, i cili i ka dhënë skuadrës një identitet të shkëlqyer loje. Objektivi për t’u kualifikuar në Champions i jep atij merita absolute, por edhe një grupi të shkëlqyer lojtarësh që janë aktualisht në Bolonja. Tani nuk kemi se çfarë mund të themi më përveç fjalëve të shkëlqyera dhe falënderimeve edhe për stafin e Tiagos, të cilëve gjithashtu i urojmë më të mirën”, përfundoi numri një i klubit.

FLET EDHE TIAGO – Italo-braziliani, pas takimit me presidentin dhe drejtuesit e tjerë nuk ka pranuar që të dalë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së sotme ndaj Xhenoas, ndonëse tani më shumë se kurrë Mota është gati që të pasojë Masimiliano Alegrin te Juventusi: “Faleminderit Bolonja, pasi më keni bërë një njeri krenar dhe të lumtur. Në këto dy vite së bashku kemi përjetuar një cikël rritjeje të madhe për të gjithë, për mua, për djemtë dhe gjithashtu për klubin.

Jam krenar që e lë Bolonjën në Champions, pa e tradhtuar kurrë. Filozofia jonë e lojës dhe pasioni i madh i tifozëve na shtynë dhe na motivuan në çdo moment dhe sigurisht që për të gjitha këto do të kem mall, por akoma më shumë do të jem mjaft krenar. Ishte një aventurë fantastike, ju përqafoj dhe falënderoj të gjithëve”, u shpreh shkurtimisht trajneri Mota, përpara se të linte qendrën stërvitore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura