Tensione në Komisionin për “TIMS”, deputetja e PS-së largohet nga salla! Salianji: Le të ikin! Të kërcejnë, të bëjnë ç’të duan!

Jul 10, 2024 | 10:57
SHPËRNDAJE

Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për Sistemin Tims është ndërprerë për 5 minuta pas tensioneve mes deputeve të opozitës dhe maxhorancës.

Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti ka kërkuar fjalën, por kryetari i Komisionit, Ervin Salianji është shprehur se radhën e kishte ligjvënësi i opozitës, Lefter Gështenja.

“E kam kërkuar unë fjalën, e kam për procedurë”, tha deputetja socialiste, ndërsa Salianji iu drejtua: “Kur ta drejtoni ju! Gështenja e ka fjalën”.

Pasi nuk iu dha fjala në Komision, Gjylameti është larguar nga salla ku zhvillohet Komisioni ndërsa mbledhja u ndërpre për 5 minuta me kërkesë të nënkryetarit Toni Gogu.

Pjesë nga debati:

Salianji: E ka kërkuar Gështenja fjalën për procedurë, nuk e përcaktojnë dot.

Gjylameti: E kam kërkuar unë fjalën, e kam për procedurë

Salianji: Kur ta drejtoni ju. Gështenja e ka fjalën

Gjylameti ngrihet dhe largohet nga salla

Saliannji: Le të iki, mbledhja vazhdon pa asnjë problem, Le të kërcejnë, të bëjnë çfarë të duan

Gjylameti: Nuk flitet kështu, së paku është një gjë që ka të bëjë me etikën. Keni nëna, vajza dhe motra

Gështenja: Vendimi i Kushtetueses ka qenë një shuplakë për ju.

Toni Gogu ngrihet nga karrigia t’i largohet nga salla

Salianji: Kështu do t’iu çojmë edhe nga karriget e qeverisë. Ikini, nesër në protestë prap kështu do të çoheni.

Salianji: Ikni, nuk mbyllet mbledhja vazhdon.

Gështenja: Nëse keni objektiv të prishni mbledhjen, kjo është tjetër gjë

Salianji: Këtë punë kanë këta janë të shqetësuar nga mali me paligjshmëritë. Pushimi nuk merret me dhunë në këtë Komision, ta harroni

Gogu: 5 minuta pushim

Salianji: Kur ta kërkoni sipas ligjit. Bëjeni kërkesën

Gogu: 5 minuta pushim, e kërkojmë që mbledhja të vijë në rendin që meriton, 5 minuta pushim

Salianji: Ka kërkuar 5 minuta pushim, kur bëhet kërkesa për pushim jepet menjëherë. Shpresoj të mos rrini prap nëpër tualete siç e keni bërë në të kaluarën. Mbledhja vazhdon.

Jeni vetë ofendimi nga koka tek këmbët, fiks pas 5 minutash rinis mbledhja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura