Të zhdukurit gjatë komunizmit dhe dilemat e marrëveshjeve

Jun 9, 2018 | 15:37
SHPËRNDAJE

Jonila Godole*

Jonila godole shkrim

Marrëveshja e miratuar dy ditë më parë mes Këshillit të Ministrave dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) hap një kapitull të ri në përballjen tonë me të shkuarën. Marrëveshja ka të bëjë me kërkimin dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist dhe është një hap për t’u vlerësuar i një qeverie të majtë, e cila vazhdon të ketë lidhje politiko-morale me të kaluarën si paraardhëse të saj.

Megjithatë, kjo marrëveshje e mbajtur larg syve të publikut, ngre disa pikëpyetje lidhur me qëllimin dhe ecurinë e gjithë procesit në kompleksitetin e vet: E drejta e patjetërsueshme për të njohur fatin dhe vendndodhjen e familjarëve, e përfshirë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe e interpretuar në aktgjykimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut si e “drejta për hetim efektiv“, nënkupton hetimin e të gjitha rasteve individuale nga autoritetet tona. Sa mund të zbatohet kjo e drejtë në Shqipërinë e tranzicionit dhe veçanërisht nga një sistem gjyqësor „i kapur“? Përvoja botërore tregon se një proces i tillë mund të zgjasë për dekada të tëra, ndaj vullneti politik i autoriteteve është çelësi i suksesit. Ka qeveria shqiptare vullnet politik për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund? Dhe me vullnet poltik nuk nënkuptohet marketingu deklarativo-mediatik, por angazhimi dhe vënia në dispozicion e burimeve të nevojshme, kapaciteteve teknike dhe detyrimeve financiare që burojnë nga këto aktivitete.

Aktualisht thuhet se ICMP do të kërkojë kryesisht vend-varrimet në “Kazermën 313” pranë Dajtit (58 persona) dhe pranë ish-kampit të punës së detyruar në Ballsh (120 persona). Sigurisht është pozitive nëse do të identifikoheshin këto raste, por nuk është e qartë se si do të operohet me rastet e tjera, kur flitet për rreth 6 mijë të zhdukur gjithsej. Ç’do të ndodhë kur ky projekt pilot të mbarojë misionin e tij, pasi të gjejë 180 trupat e parë? Si do të veprohet për të gjetur vend-varrimet që nuk janë të listuara? Cila do të jetë forma e bashkëpunimit me ish-zyrtarë apo funksionarë që janë ende gjallë dhe që i njohin vend-varrimet fillestare dhe varret e zhvendosura? Nëse mendojmë pozitivisht, ky proces do të mundësojë dhjetra, qindra në rastin më të mirë mijëra identifikime. Por nëse për 8 vjet me radhë, nuk ka qenë e mundur të identifikohen eshtrat e 13 personave (zbuluar në 2010 në Dajt), kur pritet atëherë të mbarojë procesi i identifikimit të qindra e mijëra të tjerëve?

Kanë kaluar gati 30 vite nga rënia e diktaturës dhe kuptohet që një pjesë e mirë e përgjegjësve, të cilët kanë dijeni për vend-varrimet e të zhdukurve, nuk jetojnë më. Procesi i kërkimit të vendvarrimeve deri tani ka qenë gati inekzistent, dhe në ato pak raste kur ka ndodhur është marrë përsipër nga familjarët. A do të gjykohen për këto krime urdhëruesit e këtyre vrasjeve? A do të ketë masa konkrete për përgjegjësinë individuale dhe kolektive të atyre që urdhëruan dhe kryen krimet kundër njerëzimit? Pa kthimin e trupave të viktimave te familjarët dhe pa drejtësi nuk mund të ketë rehabilitim të plotë të viktimave. Pas kësaj, familjarët do të kishin të drejtën e memorializimit, ngritjes së monumenteve dhe vendosjen e pllakave përkujtimore për të afërmit e tyre në ato vende ku atyre iu kanë ndërprerë padrejtësisht jetën dekada më parë.

Një gjë është e qartë, me miratimin e Marrëveshjes, Qeveria Shqiptare nuk po i bën asnjë favor viktimave dhe familjeve të tyre – ajo thjesht po zbaton detyrimin ligjor kundrejt legjislacionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, edhe pse në mënyrë të pjesshme. Viktimat dhe familjarët e tyre nuk kanë nevojë për mëshirën e askujt, as të Qeverisë. Ato kanë nevojë për drejtësinë e munguar, dinjitetin e nëpërkëmbur dhe ne të gjithë kemi nevojë për garancinë e mospërsëritjes së atij regjimi. Sepse shoqëritë demokratike bazohen te parimet e respektimit të së drejtës, respektit të ndërsjelltë dhe ballafaqimit real me të kaluarën si parakusht për një demokraci të qëndrueshme dhe të zhvilluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura