Të duash dhe të mbrosh monumentet e natyrës

Jul 10, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA EVA MËRTIRI Eva Mërtiri

Monumentet e natyrës sonë nuk janë të pakta. Ato përfshijnë peizazhe, ujëvara, kanione, mjedise tokësore dhe ujore, në të cilat jetojnë organizma të shumëllojshëm, drurë dhe grupe drurësh, gurë apo shkëmbinj karakteristikë… Me vlerat ekologjike të tyre bashkohen dhe vlerat shkencore, por edhe historike, duke qenë ndërkohë atraksione të fuqishme për turizmin. Ato hyjnë në zonat e mbrojtura, duke i specifikuar si gjeomonumente, biomonumente apo monumente ujore. Problemi është, sa i njohim dhe vlerësojmë këto dhurata të natyrës sonë – objekte të kësaj të fundit dhe hapësira që ngërthejnë multivlera. Ky ishte, mendoj, edhe synimi i simpoziumit shkencor, organizuar ditët e fundit, që bëri bashkë studiues të njohur nga Shqipëria dhe Kosova për impakt më të madh në njohjen e vlerave të gjithanshme të këtyre monumenteve, të respektimit të statusit të tyre. Ato i gjen në çdo rreth të vendit tonë, duke u vënë në mbrojtje si trashëgimi tepër e çmuar natyrore. Veç bukurisë së tyre, ato, sikurse është e njohur, vlerësohen dhe për vlerat shkencore.

Të marrim Tiranën: Shpella e Pëllumbasit, Shkalla e Tujanit, Tarraca detare e Dajtit, Karsti i Malit me Gropa, Gryka e Skoranës, Rrapi i Priskës etj., janë disa prej tyre. Vizitorët e shumtë e kërkojnë Tarracën detare të Dajtit, me dy kilometra gjatësi dhe me gjerësi tetëqind metra. Mijëra e mijëra vjet përpara, kur deti i zemëruar shkumëzonte në këta shkëmbinj, ka lënë për gjurmë këtë Tarracë. Livadhet, pyjet e ahut që e përshkojnë – një peizazh i mrekullueshëm. Ose Shkalla e Tujanit, mjedisi i së cilës tërheq alpinistët të ngjiten shpateve, por dhe të tjerë të eksplorojnë shpellat apo guvat karstike. Ky interes ka bërë që këtyre monumenteve natyrorë, turistë dhe vizitorë vendës, t’u kthehen herë pas here, duke u familjarizuar me to. Numri i turistëve dhe vizitorëve të tjerë në këto monumente flet shumë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, zonat e mbrojtura kanë tërhequr gjithnjë e më tepër një numër të madh të tyre. 4.5 milionë ishte ky numër vitin e kaluar, ndërkohë që vetëm gjatë këtij gjashtëmujori ai është dyfishuar. Në këta muaj vëren me kënaqësi rritjen e ndjeshme të turizmit natyror dhe për rrjedhojë një çlirim të prekshëm potencialesh të këtij turizmi. Duke veçuar disa nga këto monumente, si më përparësor kanë qenë Shpella e Shën Andout në Laç, Banjat e Bënjës, Rëra e Hedhur, Parqet Kombëtar, si Divjakë-Karavasta, Alpet e vendit, ai i Butrintit, habitatet e veçanta dhe të shumëllojta në Pyllin e Peshtanit në Tepelenë, të dushqeve, lofatave, frashërit, dafinës, ilqes, qarrit, përrallit, blirit e të tjera. Kështu mund të vazhdonim dhe më tej. T’i duash këto monumente është njëra anë, por jo gjithçka.

Ruajtja në radhë të parë dhe më tej propagandimi i tyre bëjnë që kujdesi të shtohet për to; sigurisht, jo duke mbetur në retorika, por konkretisht. Prandaj dhe Administrata Rajonale e këtyre Zonave në qarkun e Tiranës, pavarësisht rezultateve të deritanishme kërkon një përmirësim të vazhdueshëm të punës në këtë drejtim, për menaxhim sa më efektiv. Ka një punë në kontinuitet për njohjen në detaje të këtyre monumenteve përmes mjeteve të informacionit. Pa ia lënë spontaneitetit, po shfrytëzohen dhe më tej mediat vizive dhe ato të shkruara, jo vetëm në vend, por edhe jashtë vendit, duke shfrytëzuar për këtë të fundit kontaktet me të huajt, miqësitë e mundshme. Ruajtjes, mbrojtjes nga dëmtimet i peizazheve tokësor dhe ujor Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, që i shërben menaxhimit të këtij sistemi, së bashku me Administratat e Rajonale në vartësi të saj, tregojnë kujdes në bashkëveprimin e punës me organet e pushtetit vendor, që këto organe të jenë më koshiente ndaj tyre, për të mos e parë këtë si barrë të tepërt.

Nga ana tjetër, dëgjimi, vlerësimi i mendimeve, sugjerimeve të vlefshme të studiuesve të njohur dhe të apasionuar ndaj këtyre monumenteve dhe zonave të mbrojtura në përgjithësi do të ndihmojë këto organe në vlerësimin dhe rritjen e kujdesit ndaj tyre, që ato të mos dëmtohen apo të preken nga rreziqe të ndryshme. Qofshin këto nga dora e njeriut, por dhe për t’u paradalë fenomeneve të natyrës, si erozioneve etj. Pra, bashkëpunimi i ngushtë dhe konkret me komunitetet, mbështetja e tyre, duke u vlerësuar si dobi për zonën dhe mirëqenien e atyre vetë përmes të ardhurave në rrugë turistike, por dhe përfitimeve nga produktet natyrore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura