Mjekja zbulon në Panorama TV: Ja qyteti me rrezikshmëri më të lartë në Shqipëri për sëmundjet në gjak

May 8, 2023 | 10:44
SHPËRNDAJE

Mjekja hematologe, Ariana Dragoti ka treguar kush janë zonat me rrezikshmëri më të lartë për sëmundjet e gjakut.

E ftuar në “Panorama e Mëngjesit”, mjekja u shpreh se Lushnja është zona ku ka më shumë persona të prekur nga talasemia ose sëmundje të lindura të gjakut, dhe pas këtij qyteti renditet Fieri e Kavaja.

Sipas hematologes Dragoti, kjo për shkak se në këto qytete ka qenë e përhapur sëmundja e malaries.

“Lushnja futet në ato zona në të cilën ka një prekje të madhe të personave të cilët preken nga talasemia ose sëmundje të lindura të gjakut.

Kjo vjen për shkak se Lushnja, Fieri e Kavaja ka qenë zona të prekura nga malaria, si pasojë ka pasur persona të prekur nga talasemia.

Ne kemi jo vetëm talaseminë, por edhe sëmundje të tjera të gjakut. Me talasemi kemi afërsisht 90 pacientë, ku 20 prej tyre janë të mitur, janë të detyruar të paraqiten në spitalin tonë për të marrë gjak rregullisht. Kjo është e vetmja mënyrë që ata të mund të jetojnë njësoj si të tjerët.

Talasemia është një sëmundje e lindur, gjenetike e cila trashëgohet nga prindi tek fëmijët. Sa i përket zonës ku është më e përhapur lidhet me sëmundjen e malaries.

Nëse një çift dëshiron të bëjë fëmijë dhe janë të dy bartës të kësaj sëmundje, bartës të shëndetshëm, kanë genin e kësaj anemie, por nuk quhen të sëmurë, kanë 25%  shanse të lindin një fëmijë me talasemi.

Kur themi 25 % duket shifër e vogël, por bëhet fjalë për çdo shtatzëni.

Të gjithë personat që kanë dëshirë të bëhen prindër dhe jetojnë në këto zona të diagnostikohen para që të mund të pakësohen lindje të tilla. Me një analizë të thjeshtë gjaku, secili mund të marrë vesh a është bartës i kësaj sëmundje.

Nuk kam dëgjuar asnjë rast kur prindërit kanë qenë në dijeni të sëmundjes dhe kanë sjellë në jetë fëmijë, duke e ditur që kanë këtë sëmundje”, tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura