Olsi Rama ka bërë sërish padi në SPAK ndaj kreut të Grupit të PD-së, Gazment Bardhi pasi Prokuroria e Posaçme rinisi hetimet për vëllain e kryeministrit për laboratorin e Xibrakës.
Padia e Olsi Ramës, vëllait të kreut të qeverisë Edi Rama, është depozituar në SPAK ditën e djeshme, datë 15 Maj. Ai ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme që ndaj Gazment Bardhit të nisë procedimi penal për kallëzim të rremë, lidhur me deklaratat e tij për çështjen e Xibrakës.
“Në cilësinë e kallëzuesit, unë Ols Rama, jam vënë në dijeni për një deklaratë publike të shfaqur në median online ndaj personit tim, të bërë nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kallëzuari Gazment Bardhi.
Për shkak se ky veprim i tij lidhet me deklarata të mëparshme ndaj meje të cilat, në vlerësimin tim, në tërësinë e tyre përmbajnë elementët e veprës penale të “Kallëzimit të rremë”, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, dhe më cenojnë pikësëpari mua si person duke më dhënë cilësinë e viktimës së veprës penale, bazuar në nenet 58 e 283 të Kodit të Procedurës Penale, paraqes këtë kallëzim penal me shkrim”, thuhet në dokumentin e depozituar.
Ndërsa shton: “Kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. 2. Marrjen e akteve të materialit të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024, të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal.”
SPAK mori vendimin për rinisjen e hetimeve për laboratorin e Xibrakës pas kërkesës së Gazment Bardhit.
“Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 – viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej, sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar.
SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 – viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të metejshme në SPAK”, tha njoftoi kreu i Grupit të PD-së.
Ndërkohë Gazment Bardhi është thirrur nga SPAK në lidhje me çështjen. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme rrëzoi padinë e parë të Olsi Ramës ndaj kreut të Grupit të PD, për “kallëzim të rremë” me arsyetimin se nuk provohej që Gazment Bardhi të ketë kryer një kallëzim ndaj tij.
“Nuk rezulton që nga ana e shtetasit Gazment Bardhi apo ndonjë përfaqësues i tij të jetë depozituar kallëzim penal pranë prokurorisë apo oficerit të policisë gjyqësore që të konsiderohet se është paraqitur kallëzim…” – thuhet në vendimin datës 17 prill të prokurorit Elvin Gokaj.
“Në këto kushte, përderisa nuk provohet se i kallëzuari e ka kryer faktin që është kallëzuar, atëherë nuk provohet as faji…”- arsyeton më tej prokurori.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al