“S’lexon ZP-në, por libra te huaj! Të shkojë për riedukim”- Rebelimi i ‘mbretit të skenës’ kur i morën teserën dhe e përjashtuan nga Partia. Zbardhet dokumenti

Jul 5, 2022 | 15:25
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ I shënjuar për t’u goditur me nisjen e furtunës kundër ndikimeve liberale e moderniste pas Festivalit të 11 në RTSH, emri i Kujtim Spahivoglit do të përmendej drejtpërdrejt nga Enver Hoxha tri herë me radhë. 

Kujtim Spahivogli-dossier-Riedukim

Së pari, në takimin e sekretariatit të KQ në janar të vitit ‘73, pastaj në mbledhjen e aparatit të KQ në 15 mars të atij viti dhe së fundi në Plenumin IV, ku shefi i regjimit do ta njësonte me Fadil Paçramin, të shpallur tashmë element antiparti e armik i diktaturës së proletariatit. Pas kësaj goditjeje nga lart-poshtë do të niste sulmi tjetër i rrufeshëm, në celulën bazë të Partisë, siç praktikohej rëndom në raste të tilla.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Tashmë kjo e fundit e kishte lëndën e plotë dhe të qartë, nga çfarë ishte konsumuar në forumet e larta partiake. Mbetej vetëm një lloj solidarizimi klishe dhe votimi për t’i dhënë viktimës grushtin e fundit. Megjithatë, mbledhja e gushtit të vitit ’73, e organizatës së Partisë të Institutit të Arteve, ku Kujtimi militonte prej vitesh, guxoi disi dhe nuk shkoi te masa ekstreme, por e ndëshkoi me kalimin nga anëtar partie në kandidat, duke i lënë një mundësi “reflektimi”.

Po nuk mund ta vinte dorën në zemër Komiteti i Partisë i rajonit numër 2 që mbulonte institucionin. I mbledhur jo më larg se një ditë më vonë nga organizata bazë, ai operoi rrufeshëm: Kujtim Spahivogli përjashtohet nga partia dhe dërgohet për riedukim pranë klasës punëtore.

“Ky është pushkatim politik”, ka shqiptuar pas këtij vendimi i befasuar dramaturgu i shquar dhe aty për aty është përlotur në një dënesë torturuese. Në kujtimet e Razi Brahimit, sekretari i organizatës së Partisë që e ka shoqëruar sipas rregullit në këtë mbledhje, përveç revoltës së veçantë, janë pasqyruar dhe episode të tjera nga këto çaste të trishta.

Sidoqoftë, nga ky moment do fillonte tatëpjeta dramatike e Spahivoglit, që nuk do humbiste vetëm dokumentin e Partisë, por edhe profesionin, madje dhe qytetin e Tiranës. Gazeta “Panorama” publikon sot informacionin e mbledhjes së organizatës bazë të partisë së Institutit të Arteve dhe atë të Komitetit të Partisë të Rajonit Numër 2, që kanë pasur për rend dite dënimin e anëtarit të Partisë, Kujtim Spahivogli, për shfaqje liberale dhe ndikime moderniste borgjeze në krijimtari…

DOKUMENTI 1

Informacion i organizatës bazë të Partisë të Institutit të Arteve për dënimin e anëtarit të Partisë, Kujtim Spahivogli

Organizata e Partisë e Institutit të Lartë të Arteve, e mbledhur sot, më datën 20 gusht 1973, pasi mori në shqyrtim pikëpamjet dhe qëndrimet liberale të shokut Kujtim Spahivogli si pedagog e regjisor teatri, në prani të tij, vendosi kthimin e shokut Kujtim Spahivogli nga anëtar në kandidat partie për këto arsye:

1-Anëtari i Partisë Kujtim Spahivogli, i datëlindjes 30 qershor 1932, me arsim të lartë me gjendje shoqërore nëpunës, gjatë kohës së qëndrimit në Institutin e Arteve si pedagog e shef katedre është kritikuar shpesh në organizatën bazë të Partisë për mendjemadhësi dhe etje për lavdi për shkelje të disiplinës shtetërore në punë dhe për mospërfillje të mendimit të shokëve e të organizatës bazë të Partisë. Megjithëse disa herë ka bërë autokritikë, ai i ka përsëritur këto të meta deri ditët e fundit.

Kujtim Spahivogli riedukimi-1

I dënueshëm ka qenë qëndrimi i tij në një mbledhje të degës dramatike ku ai është përpjekur të ngrejë pedagogët e studentët kundër vendimit të organizatës së Partisë dhe konkluzioneve të ekipit të Komitetit Qendror për problemin e tij.

2-Ai ka pasur koncepte ideoartistike moderniste për teatrin që në shumë drejtime përputheshin me pikëpamjet e Fadil Paçramit, me të cilin ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë si regjisor i dramave të tij dhe e ka konsideruar si dramaturg të madh. Konceptet dhe qëndrimet e tij kanë dëmtuar teatrin dhe edukimin ideoartistik dhe etiko-moral të studentëve.

3=Ai ka pasur koncepte të gabuara ideologjike lidhur me luftën e klasave dhe trajtimin e kontradiktave antagoniste e jo antagoniste, të cilat janë shprehur si në krijimtari e në diskutimet artistike edhe në qëndrimet e tij konkrete ndaj njerëzve me përbërje të keqe politike dhe me qëndrime të dobëta morale, si dhe në acarimin e marrëdhënieve me komunistët edhe shokët që e kritikonin.

4-Autokritika e tij në mbledhjen e organizatës bazë të Partisë ishte e dobët me frymë të përgjithshme e deri në njëfarë mase me përpjekje për tu justifikuar, gjë që shpjegon që edhe pas kritikave që ka bërë shoku Enver Hoxha në Plenumin IV të KQ të Partisë ai nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për të reflektuar thellë për dobësitë e të metat e tij për pikëpamjet e qëndrimet shumë të gabuara që ka demonstruar.

5-Orgnizata bazë e Partisë vendosi me shumicë votash 12 pro dhe 7 kundër (këto 7 vota ishin për përjashtim nga Partia) që Kujtim Spahivogli të kthehet në kandidat partie, duke menduar t’i japë dhe një herë dorën, për t’u korrigjuar, duke punuar për riedukimin në gjirin e klasës punëtore.

Sekretari i organizatës bazë të partisë, Xhemil Simixhiu Tiranë, më 20 gusht 1973

DOKUMENTI 2

Vendim i Komitetit të Partisë të rajonit numër 2 Tiranë për përjashtimin nga Partia të sh. Kujtim Rrapush Spahivogli

Komiteti i Partisë në mbledhjen e tij të datës 21.9.1973 mbasi shqyrtoi vendimin e organizatës së Partisë të Institutit të Lartë të Arteve mbi kthimin në kandidat për anëtar partie të Kujtim Spahivoglit.

VËREJTI

Kujtim Rrapush Spahivogli lindur në qytetin e Lushnjës më 1932, është me origjinë shoqërore nëpunës dhe me gjendje shoqërore nëpunës. Ka arsim të lartë. Është anëtarë partie që nga viti 1947. Që nga viti 1956 ka punuar si aktor teatri, regjisor, pedagog dhe shef katedre. I është dhënë titulli shkencor Docent. Më datën 29 maj vitit 1973, organizata bazë e Partisë i ka dhënë masë vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit dhe të kalojë dy vjet në një rreth tjetër për riedukim për pikëpamje e qëndrime të padrejta për luftën kundër konservatorizmit dhe liberalizmit, ka absolutizuar nga pozita jo partishmërie luftën kundër elementëve që ai i quante të paaftë dhe aktorëve të vjetër dhe është përpjekur për të sjellë në Institut pedagog me politikë e moral të keq, për moskryerje mirë të detyrës, për moskryerje të punës prodhuese dhe për futjen e frymës së liberalizmit te studentët. Organizata bazë në mbledhjen e saj të datës 24 gusht 1973 mori në analizë pikëpamjet dhe qëndrimet liberale e moderniste të Kujtimit. Në vendimin e saj organizata thekson se: Kujtimi është kritikuar shpesh herë në organizatën e Partisë për qëndrime anarkiste e pikëpamje liberale për mendjemadhësi dhe etje për lavdi personale, për shkelje të disiplinës shtetërore dhe për mospërfillje të mendimit të shokëve. Disa herë ka bërë autokritikë, por përsëri i ka përsëritur gabimet. I dëmshëm ka qenë sidomos qëndrimi i tij në një mbledhje të degës dramatike ku u përpoq të ngrejë pedagogë dhe studentë kundër vendimit të organizatës bazë dhe konkluzioneve të ekipit të Komitetit Qendror të Partisë për problemet e tij.

Ka pasur koncepte ideoartistike moderniste për teatrin, që në shumë drejtime pajtoheshin me pikëpamjet e  Fadil Paçramit, me të cilin ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë si regjisor dhe e ka konsideruar si dramaturg të madh. Konceptet dhe qëndrimet e tij e kanë dëmtuar teatrin tonë dhe edukimin ideoartistik dhe etiko-moral të studentëve. Ai ka pasur koncepte të gabuara ideologjike për luftën e klasave dhe trajtimin të kontradiktave antagoniste dhe jo antagoniste, të cilat janë shprehur si në krijimtari edhe në diskutimet artistike dhe në qëndrimet e tij konkrete ndaj njerëzve me përbërje të keqe politike e me qëndrime të dobëta morale dhe në acarimin e marrëdhënieve me komunistët dhe shokët që e kritikonin.

Autokritika e tij në mbledhjen e organizatës bazë ishte e dobët me fraza të përgjithshme e deri në njëfarë mase me karakter justifikues, gjë që tregon që edhe pas kritikës së rreptë që iu bë nga shoku Enver në Plenumin IV të KQ ai nuk ka mundur të reflektojë thellë për dobësitë e të metat e tij dhe për pikëpamjet dhe qëndrimet e shumta të gabuara që ka pasur. Organizata bazë e partisë vendosi me shumicë votash 12 pro dhe 7 kundër, këta të shtatë ishin për përjashtimin nga Partia, që Kujtimi të kthehej në kandidat Partie, duke menduar që t’i jap dhe një herë dorën për t’u korrigjuar duke punuar për riedukim në gjirin e klasës punëtore. Kujtimi është kritikuar shpesh për pikëpamje borgjeze dhe mendjemadhësie.

Disa herë ka bërë autokritikë, po përsëri i ka përsëritur gabimet. Për pikëpamjet e tij moderniste dhe influencën te studentët, ai u shpreh se ‘mbaj përgjegjësi të rëndë dhe për anët negative që kanë marrë nga mua studentët që kam përgatitur’.

Gjithashtu, në Komitet doli që Kujtimi është i dhënë pas leximit të literaturës së huaj dhe shtypin tonë nuk e lexon. Ai nuk ishte i abonuar në gazetën “Zëri i Popullit”. Komiteti i Partisë konkludoi që fajet e shokut Kujtim janë shumë të rënda dhe në kundërshtim me vijën e Partisë, ai nuk ka reflektuar drejt në kritikat që i janë bërë vazhdimisht nga partia, vuan nga mendjemadhësia dhe i ka sjellë dëm edukimit të rinisë. Ai pikëpamjet moderniste i ka shfaqur me bindje të plotë dhe për këtë nuk bëri autokritikë të thellë, se organizata bazë në vendimin e saj është treguar e butë.

Mbi sa sipër, komiteti i Partisë vendosi:

Të mos pranojë vendimin e organizatës bazë në kthimin në kandidat për anëtar partie, por Kujtim Rrapush Spahivogli të përjashtohet nga Partia.

Sekretari i Komitetit të Partisë së Rajonit Nr. 2, Tomorr Shtuni

Skënder Spahivogli: “Tri përplasjet me Ramiz Alinë”

Skënder Spahivogli, vëllai i vetëm i Kujtimit, që ka ndërruar jetë para dy vitesh, ka qenë ushtarak dhe tërë karrierën e ka kaluar në Pashaliman, me detyrën kryeinxhinier i nëndetëseve. Mënyra si e ka përjetuar dramën e të vëllait, kolosit të dramaturgjisë shqiptare, ka qenë sa e veçantë, aq dhe tronditëse.

Kjo më së shumti për faktin se detyra specifike nuk i dha mundësinë t’i gjendej pranë në ato ditë të vështira jo vetëm atij, por edhe nënës që jetonte e vetme në Tiranë. Përveç sa ka hedhur në monografinë kushtuar të vëllait, botuar pak muaj para se të ndërronte jetë, në gjallje të tij, sa herë binte fjala për Kujtimin dhe dënimin e tij, Skënderi përmendte tri përplasjet me Ramiz Alinë. Përplasja e parë, kujtonte ai, ka qenë në vitin 1958 kur Kujtimi u kthye nga Moska i diplomuar dhe u paraqit te ministri i Arsimit, Ramiz Alia, për të filluar punë në Teatrin e Tiranës, por çuditërisht ky i fundit e adresoi në Korçë.

“Në Korçë nuk mundem,- iu përgjigj Kujtimi,- se kam nënën vetëm dhe të sëmurë”. “Në Korçë dhe pikë”, i kishte thënë Ramizi dhe i kishte treguar derën e zyrës. Përballja e dytë me Ramiz Alinë, tregonte i vëllai, ishte në verën e vitit ‘73 në një mbledhje në Teatrin Popullor. Ramiz Alia sa ishte futur në sallë, kërkoi të çohej në këmbë Kujtimi. “Pa na shpjego pak pse përgjëroheshe për dramat e Paçramit, ti regjisori i madh?”.

“Është e vërtetë që kam vënë në skenë dramat e tij,- ishte përgjigjur Kujtimi,- por kur kam pasur vërejtje, ia kam bërë”. “I ke bërë vërejtje në studio, po në Parti pse nuk i ke bëre vërejtje?”, i ishte hakërryer Ramizi dhe i kishte kërkuar që aty për aty t’i numëronte çfarë kishte për Paçramin. Tani nuk shkon, nuk është e moralshme pas shpine, kishte shtuar Kujtimi që e kishte ndezur dhe më keq revoltën e Ramizit.

Përballjen e tretë dhe të fundit Skënderi, i vëllai i Kujtimit, kujton atë në Lidhjen e Shkrimtarëve pas Plenumit IV. Dhe aty, sipas tij, ka rrjedhur i njëjti debat midis tyre. Ndodhte kjo, shprehej Skënderi, kur me Ramizin njiheshim familjarisht dhe kishim jetuar për shumë vjet në një rrugicë.

Mbledhja pasmesnate në Institut kur e përjashtuan nga Partia

Vllasova Musta, poetja dhe skenaristja e njohur, ka qenë bashkëshortja e Kujtimit. Ajo ishte ndër të parat që e kuptoi sulmin që nisi t’i bëhej fill pas goditjes së Fadil Paçramit. Pavarësisht se Kujtimi nuk më tregonte gjë, shprehet ajo në një rrëfim për “Panorama”, unë e kuptoja se diçka nuk shkonte.

E kuptoja në sjelljen dhe reagimin e tij, në humbjen e durimit dhe qetësisë që tregonte herë pas here. Hera e parë që më tha diçka, ose më saktë u detyrua të më rrëfehej, ishte dita kur e kryqëzuan në mbledhjen e organizatës bazë të Institutit.

Ato çaste i kam ngulitur thellë në kujtesë. Ishte një natë e nxehtë gushti. Kujtimi iku pasdite dhe më tha se do të shkonte në një mbledhje në Institut dhe do të kthehej shpejt. Kaluan disa orë dhe nuk po dukej.

Në ankth e sipër mora vajzën në karrocë (ajo atëherë ishte vetëm disa muajshe) dhe u nisa drejt e tek Instituti. Bënte një vapë e jashtëzakonshme, sa që dritaret e sallës ku bëhej mbledhja i kishin hapur plotësisht. Kjo bënte që gjithçka flitej brenda të dëgjohej jashtë.

Një moment kur në vesh me erdhi rebelimi i Kujtimit ndaj sulmit që i bëhej, shtanga në vend. Kishim pesë vjet të martuar dhe asnjëherë nuk e kisha parë në këtë gjendje. Kaluan orë të tëra me pyetje, përgjigje e debate të nxehta. Aty pasmesnate mbledhja u mbyll dhe ata filluan të dalin një nga një. Kujtimi u befasua kur më pa aty bashkë me vajzën e vogël në karrocë. Po ti,- m’u drejtua qortueshëm, – ç’bën këtu?

Nuk dija ç’t’i thosha, por aty për aty i fola me gjysmë zëri: Një parandjenjë e keqe nuk më la të qetë dhe erdha deri këtu. Akoma ti me parandjenja, më hodhi ai dorën mbi supe dhe ashtu në heshtje morëm rrugën për në shtëpi. Për Paçramin të sulmonin?, e pyeta unë një çast teksa po ecnim në krah të njëritjetrit. Më godisnin pse po heshtja për dramat e tij, ma ktheu ai.

Fadili tashmë është dënuar, ç’duhej tjetër prej teje, i thashë unë. Kjo, pra, ishte ajo që më revoltonte, ndërhyri Kujtimi pa ma lënë ta mbaroja fjalën. Se nuk është burrëri ta qëllosh tjetrin pas shpine, ca më tepër kur të tjerët e kanë gjymtuar krejt. Si shqiptoi kaq, mori karrocën e gocës dhe më tha të nxitonim. Në shtëpi pastaj më foli më shumë për rrjedhën e ngjarjeve që kishin filluar pas Plenumit IV dhe fjalës së Enverit aty.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU:  Nga mbret i skenës, në hekurkthyes në Fier/ Kush e solli Spahivoglin në Tiranë?! Nexhmije Hoxha: Kryeqytetin ta mbajmë të pastër nga këta armiq

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura