Si u shkarkua Muho Asllani dhe u emërua drejtor i fermës së Sukthit! Mbledhja e Byrosë, Ramizi kryqëzon Marash Hajatin e ZP për shkrimin e Ylli Popës

Jul 28, 2022 | 23:15
SHPËRNDAJE

Në këtë pjesë të fundit të transkriptimit të mbledhjes së Byrosë Politike, mbajtur më 14 korrik 1990, pas ngjarjeve në ambasadat e huaja dhe atyre në zhvillim e sipër në qytetin e Kavajës, vazhdon kryqëzimi i kuadrove më të lartë të PPSH-së të rretheve Tiranë e Durrës, të akuzuar për mefshtësi në menaxhimin e situatave.

Por më shumë bie në sy fakti se krerët e Byrosë e kanë shumë të vështirë të dërgojnë një njeri të zotin në Kavajë për të ndryshuar situatën. Në fund “dopio gjashta” i ngecet Pali Miskës. Në të njëjtën pjesë Ramiz Alia i “bën gjyqin” edhe kryeredaktorit të “Zërit të Popullit”, Marash Hajati, si cili, veç të tjerave, ka lejuar botimin e një shkrimi të Ylli Popës, ku sipas Alisë, nuk përmendej në asnjë rast Enver Hoxha, përkundër, aludohej me “kohën e humbur”.

74-4

…(Vijon nga numri i djeshëm) .

..Shoku Ramiz Alia: Nuk është ky problemi, mos i ngatërroni gjërat. Unë nuk thashë që nuk je përpjekur të kryesh detyrat, por “të përpiqesh” nuk do të thotë se të duan. Të duan kur ta dëgjojnë fjalën, kur kanë respekt. Fakt është se nga janari deri tani, u bënë gjashtë muaj të tërë, në Kavajë nuk është stabilizuar gjendja, komunistët nuk ndihen, njerëzit nuk dëgjojnë, atëherë si mund të mendoj e të them që e dëgjojnë sekretarin e parë?

Shoku Muho Asllani: populli do Partinë, jo individin dhe unë nuk e shtroj çështjen që më duan mua, ata duan Partinë me gjithë shpirt, duan Udhëheqjen.

Shoku Ramiz Alia: Tani do të bëjmë deklarata?

Shoku Muho Asllani: Duan në radhë të parë veprën e shokut Enver, juve dhe tërë shokët. Po kjo ka ardhur se armiku është tërbuar. Ne jemi përpjekur që me punën e Partisë ta mposhtim, po dhe vetë nuk i jemi shmangur. Unë kam shkuar atje sa herë që ka pasur ngjarje. Të na gjuajnë me gurë nuk kanë arritur, por të paktën, momentalisht janë stepur kur kanë parë sekretarin e parë. Po a na do armiku? Armiku nuk ka si të na dojë.

Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk flas për armikun.

Shoku Muho Asllani: Në qoftë se ata janë arrestuar dhe futur në burg radhën e parë, unë i kam vënë gjoksin, se më kanë ardhur familjet e tyre dhe njerëz të tjerë. Jam marrë konkretisht me këto që trajtoi shoku Hekuran, unë i kam çuar ta shikonin njeriun e vet kur ishte i ndaluar dhe me organizimin e gjyqeve jam marrë konkretisht. Po gjendja nuk ka arritur të qetësohet, kjo është e drejtë, i jam shumë borxhli Partisë, Kavajës dhe kudo ku kam punuar dhe nuk kanë ecur punët mirë. Po që të mos kenë respekt për sekretarin e parë të rrethit, nuk ka arritur deri atje as në organizatat e Partisë, me komunistët dhe me kuadrot, po dhe me vagabondët, keqbërësit, huliganët, që disa prej tyre janë armiq, se nuk i fus të tërë në një kallëp. Ata janë qetësuar kur u kemi vajtur ne. Unë po e them hapur, se po të mos kisha vajtur unë atë natë nga Durrësi, ishte ora 10 a 11, atje do të ndodhte ndonjë vepër e papëlqyer. Sambistët me gjithë policët ishin në mes të bulevardit, dy zëvendësministrat ishin te rajoni i policisë, komandonin me radio. Për këtë qëllim vajta në vendin e ngjarjes dhe u qetësuan.

Shoku Hekuran Isai: Sambistët, policët dhe të tjerë kanë qenë, rrëmujë ishte.

Shoku Muho Asllani: Po, mundet. Te vendi ku u vra ai i riu situata është qetësuar, mbrëmë kanë shkuar familjarët, i kanë hequr tullat dhe fuçinë që ishin vënë atje si dhe qirinjtë e ndezur. Unë nuk kam ndonjë kundërshtim me propozimin që bëhet, punës së Partisë t’i bëhet mirë. Unë jam ushtar besnik i Partisë, do të shkoj kudo që ta gjykojë Partia, Byroja Politike. Kështu na ka edukuar na ka rritur Partia. Nuk jam shmangur asnjëherë nga puna. Mendjen, ndërgjegjen, fizikun dhe tërë qenien time, i kam vënë në funksion të detyrës, ditën e natën, dhe nuk kam asnjë rast që t’u jem shmangur ngjarjeve: si aksionit pozitiv dhe këtyre ngjarjeve të hidhura. Nuk kam ndenjur në Durrës kur kanë ndodhur ngjarjet në Kavajë, kam vajtur në çdo rast, u kam dalë përpara edhe vagabondëve dhe keqbërësve. Jam përpjekur që ta kryej detyrën dhe në momente konkrete, gjë që i ka shërbyer punës së Partisë. Prandaj armiqtë dhe keqbërësit, në qoftë se kanë hedhur ndonjë parullë, që mua nuk ma kanë thënë, këtë ua kam thënë dhe një ditë tjetër, një gjë të tillë nuk ma kanë thënë as organet përkatëse, as e kam dëgjuar, i kanë hedhur parullat se nuk u plotësohen kërkesat.

Shoku Ramiz Alia: Armiku i hodhi ato parulla, nuk i hodhi populli.

Shoku Muho Asllani: Po ata, të cilëve nuk u plotësohen kërkesat? Ne të tërë nuk mund t’i çojmë të punojnë në flotën tregtare dhe në parkun e eksportit, se ka dhe kërkesa të tilla Kavaja. Për këto ka rregulla, ka ligje, të cilat jemi përpjekur t’i zbatojmë. Unë nuk kam kundërshtim me propozimin që bëhet se punës së Partisë i bëhet mirë.

Shoku Ramiz Alia: Nuk është ky problemi Muho. Kur themi që hidhen të tilla parulla, duhet të kuptoni se sa të acaruar dhe ç’terren gjejnë armiqtë që i hedhin. Nuk është puna pse është kjo parullë dhe fajin e ke ti ose Hekurani, ta zëmë. Po kur arrijnë të thonë parullën “Enver-Hitler”, do të thotë që ka një auditor që i dëgjon e që nuk reagon. Kjo nuk tregon forcën e punës në Partisë, nuk tregon për militantizëm të komunistëve. Në Kavajë ka 1400 komunistë po a u mbajt qëndrim ndaj tyre?

Shoku Muho Asllani: Janë bërë dhe përjashtime, shkarkime apo transferime.

Shoku Ramiz Alia: Parullat i ka përpunuar e nxitur armiku, për këtë të jemi të qartë, dhe ata që i thonë sigurisht të tillë janë, por kur të tjerët nuk reagojnë, domethënë nuk të kanë dëgjuar ty si sekretar i parë, nuk kanë dëgjuar fjalën tënde.

Shoku Muho Asllani: Nuk e kanë zbatuar.

Shoku Ramiz Alia: Domethënë nuk ka peshë fjala jote?

Shoku Muho Asllani: Unë e thashë që nuk është çështja ime, se unë si të gjithë komunistët e tjerë jam.

Shoku Ramiz Alia: Çështja jote nuk është po është çështja e çdo udhëheqësi të Partisë.

Shoku Muho Asllani: Ata janë qetësuar tani dhe nuk ka pasur më ngjarje të tilla. Unë nuk kam kundërshtim dhe propozimi juaj është me vend. Unë jam përpjekur të kryej detyrën, nuk i jam shmangur asaj, po të ketë, të paktën, ndonjë rast që i jam shmangur ndonjëherë detyrës, se nuk është vetëm Durrësi që kam punuar, por kam një jetë të tërë, një çerek shekulli që punoj herë në një rreth, herë në një tjetër, herë në një detyrë, herë në një tjetër. Po a kam pasur defekte në punë? Kam pasur, po për ndërgjegje e për punë nuk besoj të thotë njeri që jam shmangur ose jam fshehur. Ngjarjet që kanë ndodhur në Kavajë janë të rënda dhe më bie mua, në radhë të parë, përgjegjësia, se jam sekretar i parë i rrethit. Partisë iu krijua një shqetësim mjaft i madh. Sot atje po merren masa sipas porosisë suaj, shoku Ramiz.

Shoku Ramiz Alia: Unë ngarkova shokun Foto të shkonte në Kavajë e të merrte mendimin e komunistëve atje se kë donin ata të zgjidhnin si sekretar të parë të rajonit të Kavajës. Shoku Pirro Kondi: Mendimet që shprehët ju, shoku Ramiz, për Tiranën janë plotësisht të drejta. Ne u gjendëm në gjumë. Përgjegjësinë, në radhë ta parë, e mbaj unë për gjendjen e krijuar në organizatën e Tiranës. Në këtë kuptim, mënyra e punës, duke filluar nga unë, nga Komiteti i Partisë i rrethit e pastaj dhe rajonet dhe organizatat e Partisë, nuk i është përgjigjur kohës. Këtu e ndiej përgjegjësinë më të madhe. Për të punuar nuk kemi përtuar as ditën, as natën, po si i kemi punët…? …Lidhur me propozimet e tjera jam dakord me mendimin që u shpreh për Marash Hajatin, se ka përgjegjësi për gjendjen që lejoi në shtyp. Ai nuk u tregua në lartësinë e kryeredaktorit.

Shoku Ramiz Alia: Më fal, vetëm një sqarim të vogël. Për sa i përket botimit të njoftimit “Kërkohen krahë pune” për Zvicrën, Marashi më ka thënë që ka qenë në Përmet kur u botua ky.

Shoku Pirro Kondi: Ashtu është, nuk ka qenë këtu. Shoku Ramiz Alia: Gjithashtu dhe për njoftimin që u dha në shtypin tonë për shkarkimin e Mlladenovit (Presidenti bullgar, red.) më 7 korrik 1990, unë nuk kam qenë në Tiranë, më tha ai, sepse i kishte vdekur i ati në Tropojë. Drejtori i ATSH-së ka marrë në telefon në orën 10 e gjysmë të natës “Zërin e Popullit” dhe u ka thënë shokëve të gazetës të lënë vend se ka një lajm shumë të rëndësishëm për botim që ka ardhur nga jashtë. Pra këtë njoftim e ka dërguar ATSH-ja. Në gazetë është një rregull që kur ka ndonjë lajm nga ATSH-ja, e botojnë, pasi e konsiderojnë që është marrë miratimi nga Komiteti Qendror.

Shoku Pirro Kondi: Unë i di këto shoku Ramiz, se i kemi biseduar me të, megjithatë për Marashin ka pasur kritika. Shiku Ramiz Alia: Më 10 korrik në “Zërin e Popullit” nuk kishte kryeartikull për festën e ushtrisë. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, 5 qershor 1990, unë mbajta një fjalim dhe në shtyp nuk u bë asnjë koment. Po pse unë duhet t’u them që pas një muaji të bëhet komenti?

Ose artikullit të Ylli Popës që u kritikua në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, Marashi mund t’i thoshte ndonjë mendim lidhur me çka ngriti ai në artikullin e vet, sidomos lidhur me kohën e humbur. Pra ç’kuptonte ai me kohë të humbur. Të përcaktonte kush e kishte humbur këtë kohë, që të ishte e qartë. Në artikull Ylli përmendte një sërë filozofësh, po Enver Hoxhën nuk e përmendi as edhe një herë. Pra, Marashi si kryeredaktor këto gjëra duhet t’ia vinte në dukje që artikulli të mos linte keqkuptime. Këto i thashë sa për sqarim.

Capture
Faksimile e mbledhjes së Byrosë Politike

Shoku Pirro Kondi: Unë jam dakord që të shkarkohet Marashi. Kandidaturë e goditur për të vajtur në “Zërin e popullit” si kryeredaktor është Spiro Dede…

Shoku Pirro Kondi: Jam plotësisht dakord për shkarkimin e zëvendësministrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana e tyre është treguar miopi, në një kohë që të dhëna, sinjale duhet të kishte me siguri. Për Mehmet Elezin shpreh propozimin në qoftë se mund të caktohej sekretar për propagandën në Tiranë.

Shoku Ramiz Alia: A e kryen dot këtë detyrë? Inteligjenca e Tiranës do një njeri tjetër.

Shoku Xhelil Gjoni: Mund të vejë në Shkodër.

Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk duhet as në Shkodër. Në Vlorë do të ishte më mirë të shkonte.

Shoku Pirro Kondi: Unë u nisa ngaqë është shok që ka fituar një farë autoriteti, ka qenë dhe sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë.

Shoku Ramiz Alia: Ka pak paragjykime. Shoku Pirro Kondi: Tërhiqem, jam dakord me propozimin.

Shoku Ramiz Alia: Për në Tiranë të shikojmë ndonjë shok tjetër. Mirë, tjetër kush do të flasë?

Shoku Adil Çarçani: Kryesore, mendoj, janë kuptimi i situatës dhe i qëllimeve të armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Mobilizimi dhe aktivizimi i kuadrove dhe i komunistëve në Tiranë dhe Kavajë nuk ka qenë në nivelin që duhej. Sot në Kavajë gjendja është qetësuar tha shoku Muho, po a i dëgjojnë komunistët? Po, dhe në Tiranë nuk duhet të mjaftohemi me këtë qetësi. Unë jam dakord me masat që propozoni ju dhe të tjera po të jetë nevoja, se çdo gjë e justifikohet karshi këtij qëllimi të egër, që kërkon të rrëzojë pushtetin. Borgjezia kërkon të vendosi sa më shpejt kapitalizmin këtu. Dhe ato lajka për qëllimet e tyre i kanë.

Shoku Ramiz Alia: Kërkojnë pushtetin. Shoku Adil Çarçani: Po. Kur dëgjojnë për socializmin, pale për komunizmin, kanë urrejtje. Shoku Ramiz Alia: Gazeta gjermane thoshte që duhet bërë presion politik dhe ekonomik. Tregu i Përbashkët Europian e ka theksuar që duhet pluralizëm politik.

Shoku Adil Çarçani: Po, ndryshe nuk mund të marrim pjesë në asnjë organizatë europiane.

Shoku Ramiz Alia: Është e qartë ajo çfarë kërkohet. Shoku Adil Çarçani: Prandaj është e justifikuar çdo masë organizative ndaj kujtdo qoftë. Shoku Ramiz Alia: Duhet t’u vëmë gjoksin punëve.

Shoku Adil Çarçani: Muhoja shprehu mendimin e tij këtu, por ty Muho, të ka ikur nga duart Partia atje në Kavajë, po dhe për në Durrës nuk duhet fjetur mendja. Në vend që ta krijojnë komunistët dhe kuadrot opinionin në popull, janë të tjerët që e bëjnë këtë punë. Unë jam dakord me masat që propozohen, po kjo duhet kuptuar nga të tërë njerëzit.

Shoku Pali Miska: Dhe unë jam plotësisht dakord me konkluzionin tuaj, që shokëve të komiteteve të Partisë të rretheve Tiranë dhe Durrës u ka ikur situata nga dora. Unë kam mendimin që me këta shokë zor se normalizohet situata si më parë. Ta kemi të qartë këtë punë. Dëmi që iu shkaktua Partisë, vendit, socializmit nuk është i vogël, qoftë me të 5000 vetat që ikën nëpërmjet ambasadave, qoftë me veprimet e tjera që u bënë në Tiranë, Durrës, sidomos në Kavajë. Këtë të vërtetë duhet ta shikojmë në sy. Populli është shumë, shumë i shqetësuar për këtë çështje.
Qyteti i Tiranës vërtet është i madh, po ka dhe shumë kuadro, komunistë, ka shumë organizma, pra ka shumë mundësi të jetë situata në dorë. Kjo tregon ashtu siç e përcaktuat dhe ju, shoku Ramiz, që puna e Partisë me njerëzit, në ndërmarrje, në institucione e kudo nuk ka qenë në nivelin e duhur, është bërë një punë e dobët. Shembuj kemi plot. Shkodra është më e predispozuar për ngjarje të tilla, për këtë u përhapën dhe shumë fjalë, po gjendja është dominuar.

Shoku Ramiz Alia: Rreth 300-400 veta vijnë çdo ditë nga Shkodra në Tiranë.

Shoku Pali Miska: Përpjekjet për të rregulluar gjendjen duhet të jenë shumë të mëdha, dua të them që situata në Kavajë nuk zotërohet nga Partia dhe po e lamë kështu, situata mund të keqësohet. Le të shkojnë në Kavajë kuadro e njerëz nga Tirana, por po nuk e morën në dorë çështjen komunistët e Kavajës, nuk do të ketë rezultat…

Shoku Ramiz Alia: Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.

Shoku Pali Miska: Po të rritet e të forcohet puna e Partisë gjendja stabilizohet. Sigurisht në këtë situatë që është armiku kërkon të përmbysë pushtetin, të shkatërrojë Partinë. Shoku Ramiz Alia: Ky është problemi.

Shoku Pali Miska: Interesat e vendit duan që të jemi të gjithë në këmbë. Dakord jam me propozimet lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Shoku Simon Stefani: Unë jam dakord me mendimet që shprehët ju, shoku Ramiz, si dhe me masat që u propozuan. Kam një mendim e dua ta them. Meqë Kavaja është një pikë tepër e nxehtë dhe problemet atje nuk do të zgjidhen shpejt, kam mendimin që nga shokët e Byrosë Politike, këtë si ta gjykojë Byroja Politike, të shkojë të qëndrojë atje, duke kryer dhe punët e tjera që ka, pa e shkarkuar nga detyrat e tjera. Ai të vejë atje tamam si në një situatë lufte, në front, të mobilizojë njerëzit për një kohë sa më të arsyeshme. Këtë mendim kam.

Shoku Ramiz Alia: Po nuk kemi asnjë shok që mund ta dëgjojë Kavaja.
Shoku Hekuran Isai: Ai përfaqësues i Partisë mund të shkonte.

Shoku Ramiz Alia: Po mirë, ja propozoni njërin nga shokët. Cili nga shokët e Byrosë merr përsipër të shkojë në Kavajë? Nuk është puna vetëm të shkosh, se nuk është puna te posti a funksioni që kryen. Mos ta harrojmë këtë. Ka ardhur koha, mendoj unë, dhe për këtë të jemi të tërë të ndërgjegjshëm, se tani më fort se kurrë duhet aftësia. Shuku Hekuran Isai: Të shkojë njëri që mund të ndihmojë të qetësohet situata.

Shoku Ramiz Alia: Po mirë, thuaj t’i, cili të vejë? Unë dhe Adili përjashtohemi, se nuk mund të shkojmë ne. Shoku Hekuran Isai: Unë vetë atë punë nuk mund ta bëj dot.

Shoku Ramiz Alia: Nuk e bën dot, se je ministër i Punëve të Brendshme, Simoni gjithashtu s’mund të vejë se është ministër i Punëve të Brendshme, Lenka ka rrethin e vet me shumë probleme, kështu që edhe ajo përjashtohet, shokët e tjerë gjithashtu janë të zënë me punë dhe kanë nga një arsye që nuk mund të shkojnë. T’i themi shokut Foto të vazhdojë që qëndrojë atje? Shoku Foto është marrë kryesisht me probleme ideologjike, ndërsa në Kavajë ka shumë probleme që duhet t’u bëjë ballë. Mirë do të ishte, fundja, të dërgonim ndonjë anëtar të Komitetit Qendror. Në qoftë se kemi propozim konkret, thojeni.

Shoku Adil Çarçani: Po të jetë puna për një javë, shkoj unë.

Shoku Hekuran Isai: Atje puna është sa të hiqet “varri” ku vënë lulet dhe të kalojnë të nëntat e të vrarit dhe besoj, gjendja do të qetësohet. Në fillim kishte shumë njerëz të grumbulluar po kur filluan të hidheshin parulla kundër Partisë, të gjithë njerëzit filluan të largoheshin, mbetën vetëm rreth 2 mijë veta. Me një fjalë kemi të bëjmë me një mori njerëzish që tërhiqen nga të tjerët.

Shoku Ramiz Alia: Ti mendon të shkojë shoku Adil?

Shoku Adil Çarçani: Unë vete. (Nga salla thonë jo). Atje ka një numër njerëzish që janë ultrareaksionarë.

Shoku Hekuran Isai: Po, fashistë janë.

Shoku Ramiz Alia: Ata që janë fashistë duhen goditur rëndë. Nuk duhet hezituar. Për këtë duhet të jemi përgatitur.

Shoku Xhemal Dymylja: Çështja është a dihet cilët janë?

Shoku Ramiz Alia: Aty është puna, të mos shkojmë kot, se thotë Muhoja që është një Bukurie që mbajtka çarçafin me gjakun e të vrarit dhe ajo është tërë rreziku.

Shoku Adil Çarçani: Ajo është mashë e armikut.

Shoku Hekuran Isai: Po, mashë është.

Shoku Ramiz Alia: Në radhë të parë duhen evidentuar elementët armiq, të identifikohen organizatorët dhe të goditen ata në bazë të ligjit. Pra duhet përdorur diktatura, madje fort dhe të mos i trembemi. Po, ama, të dimë ku të godasim. Mund të dërgojmë një grup shokësh. Nga Komiteti Qendror në qoftë se ka njeri që mund të shkojë, për shembull, në qoftë se ia dëgjojnë fjalën Palush Selimit (zv/kryetar i Komisionit të Kontroll-Revizionit të KQ të PPSH-së, red.)

Shoku Hekuran Isai: Palushi nuk është nga Kavaja.

Shoku Ramiz Alia: Duhet që të jenë nga Kavaja e t’u dëgjohet fjala.

Shoku Muho Asllani: Mund të shkojë shoku Hajredin me shokun Rita Marko.
Shoku Ramiz Alia: Po të vejë shoku Rita në Kavajë ata do të thonë “ky nuk ka gjë në dorë të plotësojë kërkesat tona, se ka dalë në pension”. Shoku Llambi Gegprifti: Shoku Ramiz, mendoj që shoku Pali mund të vejë dhe të bëjë punë, ai është masovik.

Shoku Ramiz Alia: Po, mirë, të shkojë shoku Pali dhe me pretekstin se është vetë për punë e kontroll. Mos t’ju vijë keq, po Hajredimi, për shembull, është i nxituar, nuk është tip agjitatori, është pak impulsiv. Në Kavajë puna nuk do impulse, do qetësi shpirtërore, në kuptimin që të hysh në dialog, të diskutosh me njerëzit. Pali mund të shkojë.

Shoku Hekyura Isai: Dhe për punën e Partisë.

Shoku Pali Miska: Unë e gjej shkakun përse do të shkoj në Kavajë.

Shoku Ramiz Alia: Duhet pasur parasysh se po t’i ngrenë probleme Palit ai duhet t’i zgjidhë ato, ne do t’i japim kompetenca. Duhet të veprojmë kështu, se ky është një moment me rëndësi të madhe. Shoku Kiço Mustaqi: Po pati kompetenca do të shkojë, se ndryshe nuk zgjidh dot gjë dhe nuk i ecën fjala.

Shoku Ramiz Alia: Vërtet Pali do të shkojë në Kavajë, por duhet mbështetur që t’i zgjidhë problemet, se po u tha që “çështjet që ngrini i mbajta shënim”, ata do t’i thonë se shumë janë mbajtur shënim, por s’na kanë mbaruar punë. Mirë, si thoni, të veprojmë kështu? (të gjithë janë dakord). Përsa i përket asaj që tha Pirrua për veten e vet, ne dhe atë e kemi menduar, Pirro, e kemi biseduar, por kam mendimin që në Komitetin e Partisë të Rrethit të Tiranës të caktohet shoku Xhelil si sekretar i parë i rrethit, duke qenë njëkohësisht dhe sekretar i komitetit Qendror të Partisë. Ti Pirro tani mund të mbulosh në rreth sektorin e propagandës ose mund edhe të vije në aparatin e Komitetit Qendror për të drejtuar grupin e instruktorëve, se Xhelili, duke qenë sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, do të drejtojë dhe çështjet organizative në aparat. Mendova që këtë lëvizje të mos e bënim tani, mund ta marrim si vendim, po mund ta lëmë si veprim nga java tjetër, megjithëse mund ta bëjmë dhe tani, nuk ka ndonjë problem. (Shokët janë dakord që të bëhet menjëherë).

Shoku Pali Miska: Po qe për ta bërë ne ta bëjmë menjëherë këtë lëvizje.

Shoku Kiço Mustaqi: Dhe unë i këtij mendimi jam.

Shoku Besnik Bekteshi: Në komitetin e Partisë së rrethit të Tiranës duhet parë dhe për lëvizjen e sekretarëve të tjerë.

Shoku Ramiz Alia: Bashkë le t’i shikojmë të gjithë. Po Pirrua a do të rrijë në rreth për të drejtuar propagandën? Mendimi im është që të qëndrojë atje.

Shoku Pali Miska: Më mirë të vijë këtu.

Shoku Ramiz Alia: Këtu, në aparat të Komitetit qendror është fjala për të drejtuar instruktorët e terrenit, ose siç po punoni tani le të rrijë Pirrua në Tiranë. Mirë, e vendosim kështu? (Të gjithë shprehen dakord). Për sekretar të parë të rrethit të Durrësit mendoj të caktojmë Nazim Skuqin.

Shoku Llambi Gegprifti: Është njeri shumë i zoti, shumë i mirë, shumë i aftë.

Shoku Ramiz Alia: Unë nuk e njoh shumë nga afër, po është kandidat i Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë.

Shoku Adil Çarçani: Nazimi është nga Kavaja. Shoku Ramiz Alia: Po mirë dhe kjo është një anë pozitive për situatën e tanishme.

Shoku Muho Asllani: Nazimi Durrësin e njeh, se ka qenë për një kohë sekretar i komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit, mbulonte problemet e propagandës.

Shoku Hekuran Isai: Ndoshta e kanë zgjedhur Nazimin si sekretar të parë të rajonit të Kavajës.

Shoku Ramiz Alia: Dhe po ta kenë zgjedhur në Kavajë dakord do të jenë ata për Durrësin.
Shoku Llambi Gegprifti: Po sikur të ndahej më vete Kavaja?

Shoku Ramiz Alia: Si? Nuk bëhet ajo, se dhe Peqini, Laçi, Qyteti Stalin gati janë të ndahen në rajone më vete.

Shoku Hekuran Isai: Kërkojnë që të ndahen në rrethe autonome. Tërë shqetësimin e kanë se nga fondet që jep Qeveria përfiton vetëm qendra e rrethit.

Shoqja Lenka Çuko: Po këtë e bëjnë të tërë rrethet që kanë qytete të tjera.

Shoku Ramiz Alia: Po Muhon ku ta caktojmë? Ç’mendim keni ju? Çfarë propozoni?

Shoku Adil Çarçani: Në ndonjë ndërmarrje të rrethit të Durrësit.

Shoku Llambi Gegprifti: Unë mendoj që po të shkarkohet si sekretar i parë i Durrësit nuk ka se si të qëndrojë në rrethin e Durrësit. (Jo. Le të qëndrojë në atë rreth, thonë nga salla).

Shoku Ramiz Alia: Atëherë le të vejë drejtor i fermës së Sukthit, se profesionin e agronomit e ka. Sukthi është një nga ndërmarrjet më të mëdha që kemi në atë rreth. Unë këtë mendim kam, në qoftë se doni të rrijë në Durrës.

Shoku Muho Asllani: Nuk kam kundërshtim, shoku Ramiz, kudo që të jetë.

Shoku Ramiz Alia: Mirë, dakord, (të gjithë shprehen dakord). Për Marashin dhe të tjerët do të vendosim ne si Sekretariat. Mirë, mbaruam. Shefi i Sektorit të Përgjithshëm, Fatmir Zaloshnja
(firma, vula)

© Panorama.al

Te lidhura