“Si po ndikojnë shkencëtarët shqiptarë kundër kancerit”

Jul 22, 2014 | 12:08
SHPËRNDAJE

Konferenca Ndërkombëtare “Kufijtë e rinj në teknologjinë e nano-materialeve
për aplikime në biologji dhe mjekësi” në Tiranë
Flet Dr. Dritan Siliqi, shkencëtar në Kristalografinë e Barit

Siliqi: Me nanomateriale magnetike realizohet Drug Delivery “inteligjent” për terapitë e trajtimit.

Kërkimi shkencor konsiderohet botërisht si një nga veprimtaritë njerëzore më të besueshme. Mbështetja financiare vjen si nga fonde qeveritare, ashtu edhe nga fondacione, maniatë a sovranë të fuqishëm ekonomikisht, por sidoqoftë për pjesën më të madhe nga paratë publike.
Në vende të vogla e jo të pasura, sigurimi i këtyre fondeve është sfidë më vete, por duket se vullneti i mirë nuk mungon e shembuj për t’u ndjekur ka herë-herë edhe në vendin tonë. E tillë ka qenë edhe Konferenca Ndërkombëtare me titull “Kufijtë e rinj në teknologjinë e nano-materialeve për aplikime në biologji dhe mjekësi” në Tiranë. Konferenca kishte për nismëtarë kërkuesit shkencorë shqiptarë, Dr. Dritan Siliqin dhe Prof. Arben Merkoçin. Se çfarë ndodhi në këtë konferencë, na e tregon për gazetën “Panorama” vetë dr. Siliqi…
Sa punime shkencore u paraqitën në këtë aktivitet?
Në konferencë morën pjesë si lektorë 13 kërkues shkencorë (përfshirë edhe 2 nismëtarët) nga Italia, Spanja, Arabia Saudite, si dhe gjashtë kërkues shkencorë shqiptarë që punojnë në këtë fushë. Gjithashtu gjatë dy ditëve të punimeve të konferencës, në ambientet e konferencës u ekspozuan rreth 20 postera, ku përshkruheshin rezultate shkencore të arritura nga institucionet kërkimore shkencore në Itali, Spanjë dhe Shqipëri.
Po përtej botës akademike, a pati të ftuar të tjerë që nderuan me pjesëmarrjen e tyre? Cili ishte niveli i interesit që treguan ata?
Në seksionin e parë të konferencës, atë të përshëndetjeve, patëm nderin të kemi mes nesh përfaqësues të autoriteteve shtetërore dhe shkencore, si ministrin e Shëndetësisë z. Ilir Beqja, z. Arbjan Mazniku, zv.ministër i Arsimit dhe Sportit, rektorin Prof. Dr. Dhori Kule, dekanin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Dr. Mynyr Koni. Në këtë seksion përshëndeti punimet, në emër të Presidentit të CNR-së, Prof. Luigi Nicolais dhe Prof. Luigi Ambrosio, drejtor i Departamentit të Shkencave Kimike dhe Teknologjisë së Materialeve, që përmbledh 14 institute shpërndarë në të gjithë territorin italian. Bëhet fjalë për dy personalitete të mirënjohura e shumë të respektuara dhe në botën shkencore ndërkombëtare.
Cilët ishin shkencëtaret e huaj që paraqitën arritjet e tyre në këtë konferencë?
Në këtë konferencë patëm fatin të kishim drejtorin e Institutit të Kristalografisë (IC-CNR), Bari, Itali, Dr. Michele Saviano. Nga i njëjti institut merrte pjesë edhe drejtuesja e laboratorit të “X-ray imaging”, Dr. Cinzia Giannini. Po nga Bari vinte edhe Dr. Lucia Curri, nga Instituti i Proceseve Kimike dhe Fizike (IPCF-CNR) si dhe Prof. Gianluca M. Farinola, nga Departamenti i Kimisë pranë Universitetit të Studimeve të Barit. Ishte kënaqësi e veçantë të kishim të pranishëm edhe Dr. Roberto Zamboni, drejtor i Institutit të Sintezave Organike dhe fotoreaktivitetit (ISOF-CNR) në Bolonjë, Itali. Ndërsa nga Instituti Italian i Teknologjisë (IIT, Genova) morën pjesë drejtori i Departamentit të nanomaterialeve Prof. Liberato Manna dhe Dr. Teresa Pellegrino. Nga Universitetit King Abdullah në Arabinë Saudite na nderoi me praninë e tij Prof. Enzo Di Fabrizio, që aktualisht drejton sektorin e nanomaterialeve. Nga Barcelona na nderuan gjithashtu me pjesëmarrjen e tyre, përveç Prof. Arben Merkoçit, edhe Prof. Victor Puntes nga i njëjti Institut si dhe një figurë e njohur në nivel ndërkombëtar, në fushën e Biosensoreve, Prof. Salvador Alegret nga Universiteti Autonom i Barcelonës.
Cilat ishin disa nga të rejat shkencore që paraqitën në këtë Konferencë?
Të rejat ishin të shumta, por unë do të përmendja veçanërisht ato që kanë të bëjnë me zbulimin dhe zhvillimin e nanomaterialeve magnetike, që synojnë të realizojnë një Drug Delivery “inteligjent” në terapitë e trajtimit të kancerit dhe në përgjithësi të ilaçeve “inteligjente” në kontekstin e bio-mjekësisë. Po ashtu polimerët e nanostrukturuara që përdoren në inxhinierinë e indeve në trupin e njeriut (kockat, lëkura etj). Të rejat me një interes të jashtëzakonshëm në mjekësi janë edhe zhvillimet në fushën e biosensorëve të aplikuar në shëndetësi e në përgjithësi të ambientit rrethues. Krahas këtyre studimeve, për të krijuar nanomateriale sa më të sofistikuara dhe efikase, me rëndësi janë edhe të rejat shkencore që u paraqiten si teknikat e lindura për të karakterizuar këto materiale.
Në posterin e kësaj konference vihet re edhe akronimi IYCr2014. Për se bëhet fjalë?
Kjo konferencë, që për disa aspekte të saj lidhet me kristalografinë (shkenca e bazuar mbi vetinë e kristaleve për të vepruar me rrezet X, për të karakterizuar molekulat dhe materiale të ndryshme) mbahet në këtë vit, që është shpallur nga UNESCO (rezoluta 66/284) si Viti Ndërkombëtar i Kristalografisë. Ky vit përkon me 100-vjetorin e marrjes së çmimit “Nobel” nga Max von Laue, në fushën e Fizikës, për eksperimentin e parë kristalografik (difraksioni i rrezeve X nga kristalet). Kështu që ky është evenimenti i parë që mbahet në Shqipëri në kuadrin e aktiviteteve që janë parashikuar për këtë vit të veçantë. Kështu i detyrohem një falënderim edhe Dr. Michele Zema (Chester, Britania e Madhe) që është koordinatori i të gjitha evenimenteve për vitin 2014. Gjithashtu ky ishte edhe aktiviteti i parë i organizuar nga OPAL, Organizata Shqiptare e themeluar në nëntor të vitit të kaluar, me qëllim përhapjen e Kristalografisë në universitetet shqiptare.

Siliqi dhe Merkoçi, dy shkencëtarët shqiptarë
Konferenca ndërkombëtare me titull “Kufijtë e rinj në teknologjinë e nano-materialeve për aplikime në biologji dhe mjekësi” u mbajt në datat 10 dhe 11 korrik, në sallën e Senatit pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Konferenca kishte për nismëtarë kërkuesit shkencorë shqiptarë, Dr. Dritan Siliqin dhe Prof. Arben Merkoçin. Doktor Siliqi vjen nga Instituti i Kristalografisë në Bari, ku drejton Laboratorin e Bio-kristalizimit. Kjo strukturë është pjesë e entit të quajtur Këshilli Kombëtar i Kërkimeve Shkencore (CNR, autoriteti më i lartë kombëtar në fushën e kërkimeve shkencore në Itali), ndërsa Profesor Merkoçi është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Profesor ICREA dhe drejtor i grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve, pjesë e Qendrës Kërkimore ICN2 – ndërkombëtarisht një nga më të rëndësishmet e sektorit – në Barcelonë, Spanjë. “Të dy jemi diplomuar në degën e Kimisë Industriale, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pak a shumë në të njëjtën kohë, unë në vitin 1985, ndërsa Arbeni një vit pas meje”, thotë Dr. Siliqi.


ANDI QINAMI

© Panorama.al

Te lidhura