EDMOND TUPJA
Vërtet që në politikën shqiptare të këtyre muajve të fundit gjithçka po zhvillohet si një arenë gladiatorësh. Po, veçse gladiatorët tani janë dy ish-aleatë, zotërinjtë Meta dhe Rama, të cilët që nga viti i tyre i mjaltit, pra, që nga 2013-a, për katër vjet qeverisën së bashku duke ndarë në njëfarë mënyre tepsinë e lakmueshme të pushtetit të mbushur deri në buzë me mjaltë; fatkeqësisht, fill pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-s, divorci midis tyre qe tronditës: tepsinë po aq të lakmueshme (në mos më shumë) të pushtetit, e rrëmbeu ethshëm zoti Rama, e kam fjalën për tepsinë e konsideruar gjithashtu si timon të shtetit.
Nga aleatë të dikurshëm, ata ja tek janë kthyer tashmë në kundërshtarë: në marrëdhëniet e tyre dashurisë ia ka zënë tashmë vendin urrejtja dhe, befas, ja tek përleshen që të dy si gladiatorë të pamëshirshëm. Kjo përleshje (oh, ç’fjalë e frikshme, sepse me shumë gjasë njëri prej tyre do të shkojë “për lesh”, siç thotë populli ynë me humorin që e karakterizon herë pas here), kjo përleshje, pra, po bëhet shumë intriguese në një moment kur zoti Kryeministër është thuajse në mes të mandatit të tij të dytë dhe ndoshta ëndërron një të tretë, ndërsa zoti President i Republikës është në mandatin e tij të parë dhe ndoshta ëndërron një të dytë, ku i dihet? Megjithatë, tani për tani, ashtu si edhe opozita jashtëkuvendore nën drejtimin e zotit Basha, ai, pra, zoti Meta, po i bën një qëndresë kokëfortë zotit Kryeministër, i cili, de facto, e ka transformuar Shqipërinë nga republikë parlamentare në republikë kryeministrore (si e titullonte editorialin e saj para disa ditësh gazeta “Koha jonë”).
Ky transformim ndoshta përbën një risi të paparë në historinë politike të shteteve të Bashkimit Europian, por sot nuk do të merrem me këtë çështje. Sidoqoftë, njërin prej dy gladiatorëve tanë, e kam fjalën për Kryeministrin Rama, sindroma e Hubrisit, e quajtur ndryshe sëmundja e pushtetit, e ka prekur më rëndë sesa kundërshtarin e tij Meta. Përse kështu, mund të pyesë dikush prej lexueseve apo lexuesve të mi të respektuar.
Sepse këtë e shpjegon edhe psikologjia kur përkufizon, ndër të tjera se ç’është voluntarizmi. Po, po, Kryeministri Rama është një voluntarist i paepur, sepse ai po priret përherë e më haptas, sidomos gjatë këtij mandati të tij të dytë, ta qeverisë vendin duke pretenduar se falë vullnetit të tij ai mund të kryejë ato funksione që zakonisht kanë nevojë për më shumë inteligjencë për t’u përmbushur me sukses; e thënë ndryshe, ai sillet si një njeri që pandeh se mund t’ua nënshtrojë realitetin dëshirave të veta.
Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se Kryeministri Rama po shquhet përherë e më shumë edhe për pragmatizmin e tij, çka dëshmohet nga fakti që ai përdor si kriter të së vërtetës vetëm vlerën praktike të ideve të tij, zbatimi i të cilave po e çon ndërkohë drejt greminës shtetin e shkalafendur shqiptar.
Gjithsesi, kjo përleshje gladiatorësh po zhvillohet në një periudhë kur plagët socialekonomike të popullit tonë të rraskapitur sa vijnë e thellohen, sa vijnë e bëhen më të dhimbshme, më dramatike: Dukshëm po lulëzon korrupsioni teksa Kryeministri Rama vazhdon të jetë i pari i vendit; dukshëm po hedh rrënjë thellë e më thellë varfëria teksa Kryeministri Rama vazhdon të jetë i pari i vendit; dukshëm jetesa po shtrenjtohet pareshtur për shtresat në nevojë teksa Kryeministri Rama vazhdon të jetë i pari i vendit; dukshëm shqiptarët po humbasin shijen e jetës teksa Kryeministri Rama vazhdon të jetë i pari i vendit; dukshëm fuqia punëtore dhe ajo intelektuale po braktisin tokën shqiptare teksa kryeministri Rama vazhdon të jetë i pari i vendit; dukshëm kriminaliteti galopant nuk po kursen gati asnjë qytet teksa Kryeministri Rama vazhdon të jetë i pari i vendit; dukshëm liria e shtypit po kufizohet padrejtësisht teksa Kryeministri Rama vazhdon të jetë i pari i vendit; dukshëm shteti i së drejtës po shpërbëhet pikëllueshëm teksa Kryeministri Rama vazhdon të jetë i pari i vendit, a thua se ai është vetë Zeusi në majë të një Olimpi qeveritar tragjikomik që do të hyjë në analet e politikës shqiptare për përgjegjësinë e vet të pakufishme lidhur me dëshpërimin e thellë që u ka mbërthyer shpirtin shqiptarëve.
Si përfundim, po ju drejtoj një pyetje, o lexuese e lexues të nderuar që më keni ndjekur deri në këtë çast: A do të ndryshojë vërtet ndonjë gjë në të tashmen e në të ardhmen tonë përleshja e dy gladiatorëve tanë të paepur armiq deri në vdekje të njëritjetrit?
Megjithatë, në këtë përleshje gladiatorësh, njëri, pra, Kryeministri Rama, mbron haptas kauzën katrahurësisht të frikshme të qëndrimit të tij sa më gjatë, gjerë e thellë në pushtet, ndërsa tjetri, pra, Presidenti Meta, duket se po mbron, sipas njëfarë gjase, kauzën e drejtë të luftës për një shtet ligjor shumë më të denjë në Shqipëri, prandaj jam i mendimit që njeriu i ndershëm mund të renditet në krah të tij, pavarësisht rezervave apo kritikave që mund të ketë për atë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al