
Negociatat e Bumçit e Fishtës: Jo copëtimit të Shqipërisë
Memorandumet e delegacionit shqiptar: Njohja e pavarësisë dhe bashkimi me Kosovën e Çamërinë.
Halil Pashë Alizoti dhe dërgata e Stambollit në Konferencën e Paqes.
Në fillim të vitit 1919 dhe gjatë tij, deri në fillim të vitit 1920, në Paris, zhvilloi dhe përfundoi punimet Konferenca e Paqes, e organizuar nga pesë Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore, Anglia, Franca, ShBA, Italia dhe Japonia. Në këtë luftë, Shqipëria nuk kishte qenë palë në asnjërin krah, as me fituesit dhe as me të mundurit. Megjithatë, ajo ndodhej e pushtuar nga forcat ushtarake të disa fuqive fituese, të cilat synonin të dhunonin pavarësinë dhe të cenonin tërësinë e saj tokësore. Shqipëria duhej dhe do të dërgonte në Paris delegacionin e saj dhe me përfaqësuesit e saj do t’i kërkonin Konferencës rishikimin e padrejtësive të së kaluarës, me shpresë se mund të respektohej parimi i vetëvendosjes.
Në mbledhjen e përbashkët të delegacioneve u vendos që të gjitha delegacionet do të mbështesnin qëndrimin e delegacionit qeveritar të kryesuar nga imzot Luigj Bumçi, mbi tërësinë territoriale, të pavarësisë dhe të sovranitetit të shtetit shqiptar. Roli i Imzot Bumçit në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në atë Konferencë, si kryetar i delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, rritet së tepërmi. Që në fillim të detyrës së re, Luigj Bumçi, me cilësinë e kryetarit të delegacionit shqiptar në Paris, protestoi te presidenti Willson për krimet e kryera nga serbët mbi popullsinë e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë. Ai i dërgoi atij listën e viktimave në zonën e Rugovës dhe kërkonte që trupat amerikanë të futeshin në këtë zonë. Për ato krime ai vetë kishte qenë dëshmitar qysh nga viti 1911.
Po cili ishte imzot Luigj Bumçi, të cilit, aktualisht, shumë pak ia njohin biografinë? 
L. Bumçi, për të diskutuar këtë problem, u takua personalisht me ministrin e Jashtëm italian në Paris, më 26 tetor 1919. Diplomati italian përgjigjet se marrëveshja “Tittoni-Venizelos” nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe dhe se zbatimi i saj varej dhe nga shumë rrethana të tjera. Kjo përgjigje nuk e qetësoi kryedelegatin shqiptar.
Gjithashtu, imzot Bumçi u takua në tetor të 1919-s edhe me ministrin e Jashtëm të Francës, S. Pichon, me kryetarin e përkohshëm të delegacionit amerikan, White (Uait), si dhe me përfaqësues të delegacionit anglez, të cilëve iu kërkua të përdornin autoritetin e tyre në të mirë të çështjes shqiptare.
Rreziku i madh i copëtimit të vendit e detyroi delegacionin e qeverisë së Durrësit që të dërgonte kryetarin e vet, L. Bumçi, në Vatikan, për të takuar personalisht Papa Benediktin XV, të cilit, në emër të shqiptarëve, t’i kërkonte të përdorte autoritetin e vet në mbrojtje të krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës nga aneksimi grek, me qëllim që krahinat në fjalë t’i mbeteshin Shqipërisë. Në këto kushte, më 26 dhjetor 1919, Luigj Bumçi niset për në Vatikan, ku arriti më 29 dhjetor 1919. Në ditët e para të janarit, kryedelegati shqiptar u takua me Papën, Papa Benedikti XV, pasi e sqaroi ipeshkvin shqiptar se nuk mund të ndërhynte pranë qeverisë së Italisë dhe Francës, sepse marrëdhëniet e Vatikanit me këto qeveri nuk ishin të mira, i premtoi atij se do të takohej urgjentisht me ambasadorët, anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve do t’u kërkonte të qëndronin në krah të popullit shqiptar. Grupi katolik në Parlamentin italian i kërkonte kryeministrit Francesco Nitti që Italia të përpiqej me të gjitha mënyrat për të mos shkaktuar copëtimin e Shqipërisë.
Gjithashtu, më 5 shkurt 1920, imzot Bumçi shkoi në Belgjikë për të takuar kardinalin e atjeshëm, Mercier, për të biseduar me të për problemet e shqiptarëve.
Duke parë se në të gjitha memorandumet që Fuqitë e Mëdha kishin përgatitur dhe diskutuar në Konferencën e Paqes, ato mbështesnin mandatin italian mbi shtetin shqiptar, delegacioni i qeverisë së Durrësit, nën udhëheqjen e imzot Bumçit, në mbledhjen e vet të datës 9 dhjetor 1919, ku në cilësinë e sekretarit të delegacionit asistonte edhe at Gjergj Fishta, vendosi t’u dërgonte një memorandum Fuqive të Mëdha, për t’u kërkuar atyre vendosjen në krye të shtetit shqiptar të një princi italian nga familja mbretërore e Savojës, për të mënjanuar kështu mandatin real italian mbi Shqipërinë. Ndërsa në mars të vitit 1920, imzot Bumçi dhe Mihal Turtulli, me cilësinë tani edhe të anëtarëve të Këshillit të Lartë të zgjedhur në Kongresin e Lushnjës, shkuan në Londër për të tërhequr përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për çështjen shqiptare.
Në kryeqytetin britanik, përveç kolonel Aubrey Herbert-it dhe miss Durham-it, delegacioni shqiptar u takua edhe me Filip Kerr (sekretar i Ministrit të Jashtëm anglez) dhe Leeper (ekspert për çështjet ballkanike pranë delegacionit anglez në Paris) etj.
Nga takimet e shumta të kryera prej tij në Londër, kishte mësuar në radhë të parë opinionet e politikanëve britanikë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Midis të tjerash, ai i shkruante Tiranës “puna që na ka sjellë dëm më të madh është mendimi se shqiptarët nuk janë në një mendim dhe se nuk mirren vesht në mes të tyne. Si këtu, në Paris, po më tepër në Londër, morëm vesh se shumë prej shqiptarëve kanë kërkue nga Konferenca proteksionin me Greqinë, Italinë a me Jugosllavinë.” Në këto rrethana, shkruan imzot Bumçi, jam ballafaquar me një mendim të kristalizuar mirë, fatkeqësisht, në radhët e vendimmarrësve evropianë se shqiptarët nuk kishin aftësi të vetëqeveriseshin. Por, duke qenë se ishte e domosdoshme të sigurohej mbështetja e kancelarive evropiane për të realizuar synimet në drejtim të zgjidhjes së çështjes kombëtare, imzot Bumçi i porosiste: “Pikë së pari duhet pra të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njeni-tjetrin. Duhet të shuajmë hidhënimet e mëritë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokëve tanë e të mos ftohim e të mos ashpërsojmë marrëdhëniet ndërmjet Shqipëtarëve të çdo krahine apo të çdo besimi që të jemi………….”
Puna dhe përpjekjet e imzot Bumçit në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, për të mbrojtur çështjen kombëtare në Konferencën e Paqes së Parisit, veprimtaria e tij diplomatike plot maturi e vendosmëri, përbëjnë një kontribut të çmuar në njërin prej çasteve më delikate të historisë së popullit shqiptar. Një ndihmë dhe mbështetje të fortë e të fuqishme veprimtarisë së imzot Luigj Bumçit i dha delegacioni i Stambollit, me në krye Halil Pashë Alizotin, me këshilltarin e tij ideologjik-politik, atdhetarin e njohur at (imzot) Julius Bonatin. Po cili ishte ky klerik katolik i panjohur dhe i papërmendur në studimet historike shqiptare? Në Stamboll ishte stabilizuar prej shumë vitesh familja katolike shkodrane, Bonatti. Ajo familje i kishte dhënë Lëvizjes Atdhetare Shqiptare tri personalitete të rëndësishme. Ata ishin Aleksandër bej Bonatti; Nikollë Bonatti dhe Gjon Bonatti. Këta dy të fundit ishin edhe anëtarë efektivë të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Në katër katolikët shqiptarë, 28 anëtarët e shoqërisë ishin edhe Pasko Vasa e Nosh (Ndoc) Xhuxha. Sipas dokumenteve të hetuesisë së Vlorës, rezulton se imzot Jul (Julius) Bonati kishte lindur në Shkodër, më 4 maj 1874, në familjen e atdhetarit Aleksander Bonati dhe të Rozës; Për Jul Bonattin nuk dihet ku ka kryer arsimimin fillor, ne Shkodër apo në Stamboll. Seminarin dhe studimet universitare për Teologji dhe Filozofi i kreu pranë Universitetit të Vjenës. Më pas dërgohet pranë Universitetit të Padovës për të studiuar dhe përfunduar studimet në Letërsi, duke marrë edhe doktoratën. Mbas mbarimit të studimeve shkoi në Stamboll, si famullitar i Kishës katolike të Shën Ospit, në lagjen “Taksim” të kryeqytetit osman. Në vitin 1909, at Jul Bonati ishte në Stamboll dhe i afirmuar si një atdhetar me vlera. Pikërisht në këtë kohë shkoi në Stamboll Hil Mosi, pasi kishte mbaruar studimet pedagogjike në Klagenfurt të Austrisë; Me rekomandimin dhe interesimin e at Jul Bonatit, Hil Mosi filloi punën pranë redaksisë së gazetës “Shqiptari” të Dervish Himës, si gazetar dhe sekretar. Në Stamboll, at Jul Bonatti ka marrë pjesë aktive në Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptarë të Stambollit, duke vazhduar dhe ndjekur traditën atdhetare të të atit të tij, Aleksandrit. Njëkohësisht duke qenë një njohës i mirë i gjuhës osmane dhe latinishtes, përveç gjuhëve të tjera europiane, at Jul Bonatti gjatë 16 viteve shërbim ne Stamboll ka kryer studime të thelluara në çështjet e historisë së trevave shqiptare. Mbas Konferencës së Paqes, at Julius Bonatti u kthye në Stamboll. Më pas, në vitin 1928 kthehet në Shqipëri dhe menjëherë u caktua në dioqezën e Durrësit si ndihmës i imzot Vinçens Prendushi. Në vitin 1938, ai shugurohet ipeshëk i dioqezës së re, në atë të Vlorës. Me kushte të vështira pune dhe jetese, imzot dr.Jul Bonatti jetoi dhe punoi në Vlorë deri në vitin 1942. Në atë vit ai transferohet pranë Selisë së Shenjtë dhe për arsye të sëmundjes dërgohet në spitalet e Montekatinit. Atje ai u mor me hulumtime dhe kërkime në fushën e letërsisë shqiptare dhe të huaj, duke lënë vepra të vyera. Ka përkthyer në gjuhën italiane pjesë nga «Lahuta e Malcis’» e at Gjergj Fishtës. Gjithë krijimtaria e tij ka humbur, është eliminuar, ose ka mbetur në Itali. Në prag të mbarimit të Luftës II Botërore, në vitin 1944, imzot Jul Bonatti pati një mbledhje shumë të rëndësishme, së bashku me klerikë të tjerë të vendeve të Europës Lindore me papa Piun XII. Për t’u përgatitur për kushtet e regjimit komunist, imzot Jul Bonatti, në verën e vitit 1946 kthehet në Tiranë dhe dërgohet sërish në Vlorë, por aty nuk mundi të shërbente me shumë se dy muaj. Në Vlorë, më 6 nëntor 1946, arrestohet dhe burgoset. Mbas pothuaj një vit hetuesie, imzot Jul Bonatti, më 1 tetor 1947 dënohet me 7 vite burg. Ky dënim u kthye në 5 vite nga Gjykata e Lartë. Ndërkohë, imzot Jul Bonatti, nga gjendja e dëshpërimit të thellë sëmuret nga sistemi nervor. Drejtoria e burgut në Vlorë e dërgoi në Spitalin Psikiatrik të Durrësit, ku vdiq i sakatuar në moshën 75-vjeçare. Shembulli i këtyre prelatëve katolikë tregoi qartazi se kleri katolik, duke filluar nga shekulli XVII, vijoi t’i shërbente me devocion kombit të vet. Edhe pse aspirata e tyre për një Shqipëri tërësore dhe të bashkuar brenda kufijve të saj etnikë nuk u përmbush, Konferenca e Paqes e Parisit, të paktën, nuk lejoi zhdukjen nga harta politike e Ballkanit të shtetit shqiptar.
Prof.dr. URAN ASLLANI
© Panorama.al











