Shqipëria në Bienalen e Venecias me tri dëshmi nga Lufta e Ftohtë (FOTO)

SHPËRNDAJE

Edhe pse në fund të korridorit të gjatë të Arsenales, që artisti nga Gana, Ibrahim Mahama, e kishte veshur me thasë, duke i dhënë një pamje të jashtëzakonshme, pavijoni shqiptar nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e vizitorëve.

SKELETI I BALENES, NJE NGA ELEMENTET KRYESORE TE PAVIJONIT SHQIPTAR

Nuk ndodh shpesh që të shohësh një skelet balene prej vërteti. Kureshtja e vizitorëve ishte e dukshme. “Hej, qenka gjigande!”, nuk e fshihte dot habinë dikush. “Po pse, ka balena në Shqipëri?!”, i drejtohej një i ri shoqes që kishte në krah…

E vendosur në mes të pavijonit, në gjysmerrësirë, bashkë me habinë që ndodhej pikërisht aty, ai skelet të grishte të mësoje më shumë për historinë e saj. Nën titullin “Albanian Trilogy: A Series of Devious Stratagems”, pavijoni shqiptar, pjesë e ekspozitës së madhe ndërkombëtare “All the World’s Futures”, u hap zyrtarisht më datë 6 maj, në orën 16:30.

E pranishme në ceremoninë e hapjes ishte ministrja e Kulturës, Mirela Kulbaro, njëkohësisht komisare e pavijonit, e cila është kujdesur personalisht për përfaqësimin e Shqipërisë këtë vit për ngritjen e një pavijoni aspak të lehtë, po të kemi parasysh që të transportosh një skelet të vërtetë balene, duhet të kalosh përmes procedurash të gjata burokratike.

Artisti Armando Lulaj, ministrja Mirela Kumbaro dhe kuratori Marco Scotini, në ceremoninë e hapjes së pavijonit shqiptar në Venecia

Një pavijon, që duhet thënë ka kushtuar më shumë se të gjitha pjesëmarrjet e Shqipërisë në Bienalen e Venecias, plot 170 mijë euro, prej të cilave 100 mijë euro për qiranë e hapësirave në zonën e Arsenales dhe 70 mijë të tjera për realizimin e pavijonit. E rrethuar nga artistë, kuratorë e publik i huaj, Kumbaro bëri hapjen e pavijonit:

“Mirëserdhët në hapësirën shqiptare të Lagunës! Jetojmë në dy brigje. Komunikojmë shpesh përmes klisheve e titujve të gazetave. Bienalja ndërkombëtare e Venecias është rasti më i mirë për t’u njohur, falë urave të artit, kulturës dhe komunikimit bashkëkohor. Sot Shqipëria flet me punën e kuratorit të njohur Marco Scotini dhe artistit shqiptar Armando Lulaj, me ‘Trilogjinë shqiptare’, që vjen me mesazhe politike dhe estetike, me metafora të fuqishme dhe imazhe të mirëfillta të një vendi me potenciale të mëdha. Artistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi. Për fat, por jo rastësisht, Shqipëria ka shumë prej tyre”, tha ndër të tjera ministrja Kumbaro.

“Për Shqipërinë komunikimi me të gjitha mjetet shprehëse, hapja e kufijve të mendjes dhe të shpirtit, zgjerimi i skenës përtej caqeve të Republikës, krijimi i hapësirave të realizimit artistik për artistët shqiptarë, është përparësi e politikës sonë kulturore. Investimi që bëjmë sot në art dhe kulturë është investimi më i sigurt për të ardhmen për zhvillim dhe qytetërimin e Shqipërisë së brezit tjetër”, tha ajo.

TRILOGJIA SHQIPTARE

Me një trilogji gabimesh, siç do ta quante kuratori Marco Scotini, Shqipëria u paraqit në edicionin e 56-të të Bienales së Venecias. Një nga ngjarjet më të mëdha në botë, sa u përket arteve pamore. Një përballje kulturash, përvojash, idesh, fantazish, refleksionesh prej 89 vendesh nga e gjithë bota. Pjesë e këtij mozaiku kulturor ishte edhe Shqipëria me “Albanian Trilogy: A Series of Devious Stratagems”.

Pavijoni shqiptar ishte një reflektim mbi Luftën e Ftohtë, përmes një prerjeje specifike. Lufta e Ftohtë pati një karakter tërësisht të veçantë në Shqipëri dhe, si e tillë, ajo vjen në Bienalen e Venecias. Elementi qendror i pavijonit ishte pa dyshim skeleti i balenës mes dhetare, një dëshmi e paranojës që kishte mbërthyer Shqipërinë e diktaturës. Ushtarët e marinës militare shqiptare në vitin 1963 ndeshën në gjirin e Vlorës diçka që ngjante me një nëndetëse, me shumë gjasë “imperialiste amerikane”, dhe qëlluan. Por nuk ishte gjë tjetër, veçse një balenë. Që asokohe skeleti i saj është ekspozuar në Muzeun e Shkencave të natyrës. Në tri faqe të murit projektoheshin tri video të realizuara nga artisti që përfaqësonte Shqipërinë, Armando Lulaj. Puna e parë e kësaj serie titullohet “It wears as it grows” (2011), e cila luante po me fabulën e balenës. E dyta titullohet “Never” (2012), një vepër e njohur tashmë në nivel ndërkombëtar, dhe luan me një nga parullat e famshme të gdhendura në faqen e malit Shpirag, ndërsa e treta “Recapitulation”, është një vepër e re, e realizuar në Gjirokastër për Bienalen e Venecias; Historia e kapjes së një avioni ushtarak amerikan që hyri në hapësirën ajrore shqiptare në vitin 1957. Një tjetër dëshmi e Luftës së Ftohtë në Shqipëri.

Bashkë me videot e trilogjisë dhe balenën, në një nga faqet e pavijonit, mbi të cilën lexonte “Albania”, ishte vendosur një riprodhim i tablosë së Spiro Kristos, si dhe një vitrinë me 71 vepra të Enver Hoxhës, në faqen e parë të të cilave është zëvendësuar fotografia e ish-diktatorit me ato të 71 elementeve të skeletit të balenës, nën titullin “Les 71 oeuvres de Armando Lulaj”.

Kuratori Marco Scotini: Lufta e Ftohtë, një histori bashkëkohore

Kuratori Marco Scotini është i bindur se pavijoni shqiptar do të kujtohet gjatë. Sigurisht, sjellja jo me pak mundime e skeletit të një balene, nga Tirana në Venecia, nuk ishte e paqëllimshme. Pak pompoze, e pazakontë, por që me sa duket funksionon. Duke iu referuar filmave të realizuar nga Armando Lulaj, Scotini thotë se “Albanian Trilogy” tenton të tregojë një histori përmes tri gabimesh. Sipas Scotinit, është karakteristikë e veprës së Lulajt që të tregojë histori të mëdha përmes atyre më të vogla, në këtë rast të tri anomalive, të një balene, një aeroplani dhe një mali, të cilat ai i quan trofe të harruar dhe që artisti përpiqet t’i kthejë në funksionin e tyre fillestar.

“Por këto objekte mbeten brenda një bote dhe një fuqie shumë më të madhe dhe është një përpjekje titanike e artistit për të rikuperuar historinë, kujtesën, të kërkojë ta fillojë nga e para”. Teksa shpjegon çdo element të pavijonit, ai thotë se ajo çka synohet është “të hysh në historinë e Shqipërisë, së socializmit të liderit Enver Hoxha, përmes gjërave të vogla, përmes gabimeve dhe të zbulosh që kjo histori është absolutisht kontemporane. Duhet patjetër një kërcënim nga jashtë, edhe pse nuk ekziston, që të kesh pushtetin e brendshëm. Kjo është një strategji tërësisht bashkëkohore, një realitet i ditëve tona, në të cilat ndihemi tërësisht të kontrolluar”.

Fituesit e edicionit të 56-të të Bienales së Venecias

Të tria videot flasin për paranojën dhe propagandën, për luftën kundrejt një armiku hipotetik. Sipas Scotinit, kjo bienale do të ketë një sukses shumë të madh.

“Kur kemi paraqitur në shtator projektin, askush nuk e dinte se cila do të ishte tema e përgjithshme e bienales dhe pas një muaji e gjysmë doli problematika e historisë, memories dhe besoj se ky pavijon është një kështjellë e bienales. Për këtë kam marrë kritika shumë pozitive dhe besoj se njerëzit do ta kujtojnë gjatë këtë pavijon, për shkak të lidhjes së fortë me temën gjenerale, por edhe për shkak të balenës. Që kur e kam parë vite më parë në muze, nën kërcënimin e shkatërrimit, kam mbetur i mahnitur dhe, duke e pasur këtu si përfaqësim i Leviatanit, është me të vërtetë emocionuese. Ka qenë e vështirë për ta transportuar, por të gjithë do të kujtohen që në edicionin e 56-të Bienales ishte edhe Shqipëria”, thotë ai.
 

Shqipëria në pesë më të mirat

E përditshmja britanike “The Guardian” e rendit pavijonin shqiptar në 5 më të mirët e edicionit të 56-të të Bienales së Venecias. Rusia, Japonia, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australia janë 5 të përzgjedhurit e “The Guardian”, që ka vlerësuar tragjikomedinë e Luftës së Ftohtë në Shqipëri.

NGA VENECIA/ ALMA MILE

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakVeliaj takim me banorët e Dajtit: Në Tiranë s’do qeverisim me rrugaçë, nuk përçahemi më për hatër të Saliut
Artikulli tjetërNis Festivali Folklorik, në garë 1500 artistë, aktiviteti deri më datë 16 maj në Gjirokastër

3 KOMENTET

Comments are closed.