Shoqëria e fragmentuar dhe “vallja e jetës” individuale

Jul 10, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA GËZIM TUSHI GËZIM TUSHI

Nëse pa paragjykime, me mendje të hapur vlerësojmë fenomenet sociale kaotike, dukuritë neurotike që karakterizojnë shoqërinë, besoj se duhet të bindemi që jeta shoqërore dhe personale ka marrë substrat të tronditur, që shfaqet përditë me intensitet të lartë social, në larmi të gjëra të fenomenologjisë së formave të reja të jetës urbane e rurale. Janë dukuri në thelb, përmbajtje e formë shqetësuese. Sidomos shqetësimet rriten dhe bëhen pengesa artificial për jetën tonë, nëse këto dukuri sociale i interpretojmë dhe vlerësojmë me gjykime e paragjykime të ngushta apo akoma më keq, tentojmë që dukuritë e reja të jetës postmoderne t’i inkuadrojmë në formatin e kornizave teorike e morale të ngurta e dogmatike të tradicionalizmit moral apo limitet e kapërcyera të optikës filozofike e sociologjike së jetës së dikurshme. Është e vërtetë që në kohë tranzicioni, në kufijtë e kapërcyellit social të shfaqen forma të larmishme të krizave në mënyrën e të jetuarit në shoqëri, inkoherenca në stilin e përshtatjes së njeriut me fenomenet e reja sociale, që nuk janë periferike por thelbësore, ontologjike e substanciale. Prandaj dhe janë të vështira për t’u kuptuar, përtypur dhe interpretuar saktë.

Tendenca e dobësimit të shoqërisë, hollimi lidhjeve sociale dhe nënvlerësimi dhe refuzimi i vlerave të jetës sociale, është patologjia që ushqen zgjerimin e mënyrave izoluese, agresive dhe shmangëse të njeriut, që në një farë mënyre po e ulin vlerën shoqërisht të dobishme të jetës dhe komportimit social. Nuk duhet ndonjë diagnostikim i thellë për të kuptuar ca të vërteta të jetës sonë. Ka rënë shumë besimi i njerëzve në vlerat e shoqërisë, besimi reciprok se duke bashkëpunuar, mund të realizojnë më shumë arritje në fushën e jetës shoqërore dhe personale. Është një nga shqetësimet e mëdha të kohës, që duhet vlerësuar me seriozitet si komponent më rëndësi, fakti që gjithnjë e më shumë po shtohen grupet sociale, njerëzit tek të cilët ka një ambiguitet të dukshëm për relacionet që njeriu duhet detyrimisht të ndërtojë me “veten”, “tjetrin” apo shoqërinë e tij. Koha moderne në Shqipëri është eruptive, në ndryshim të shpejtë. Ritmi i jetës, intensiteti i ndryshimeve të raporteve të njeriut me veten dhe shoqërinë, është në përmasa të tilla, që duhet vlerësuar më shumë se një dukuri e thjeshtë e jetës së përditshme. Ndryshimi është i thellë, radikal, me pasoja sociale që duhen llogaritur për vlerën dhe koston që kanë. Për një gjë duhet të jemi të sigurt, pa tentuar që të bëhemi utopikë dhe të ëndërrojmë ndërtimin e marrëdhënieve sui generis të njeriut me shoqërinë. Përtej standardeve dhe imperativave të modernitetit, nuk ka rrugë tjetër përveçse të mendojmë dhe përgatitemi për përballuar këtë proces që nuk ka më të ndalur.

Padyshim, momentalisht si shoqëri dhe individualisht si qytetarë jemi të shqetësuar. Sepse jetojmë në një shoqëri ku ka një masë të gjerë kontradiktash, kuptimesh të cekëta, moskuptimesh thelbësore e keqkuptimesh sociale dhe individuale, që burojnë nga mungesa e koncepteve dhe kuptimeve adekuate të parametrave të kohës. Kjo do të thotë që duhet të bindemi, të pranojmë pa rezistencë subjektive, madje me shpejtësi të përshtatemi dhe të mësohemi të jetojmë me vërtetat e reja të kohës moderne. Kjo është koha dhe vendi ku secili duhet të hedhë “vallen e jetës”. Sepse është pikërisht koha dhe “tingulli” i saj, zhvillimet turbulente, kaotike të epokës së postmodernitetit i japin të drejtë tezës sociologjike, se “Qeniet njerëzore dhe shoqëritë e tyre janë më shumë komplekse nga ç’mund t’i përshkruajë çdo teori e thjeshtë”. (Charles Taylor, “Etika e autencitetit”, f 98).

Në jetën tonë sociale ka shumë tregues sasiorë e cilësorë, sintetikë e sinkretikë të mjaftueshëm, për të vërtetuar ekziskujdes ndryshimet e thella që kanë ndodhur, me siguri që do të vëmë re, pasojat evidente të ndikimeve të postmodernitetit në shoqërinë shqiptare. Dikur tradicionale, me substrat të fortë supersocial, me lidhje të gjata e të qëndrueshme që tashmë në mënyrë të akseleruar kanë pësuar ndryshime të thella, të determinuara nën presionin dhe ndikimin e liberalizimit të jetës, theksimit të individualizmit si tipar thelbësor i mënyrës së jetesës, shfaqjes së thelluar të tendencës së dekonstruktivizimit të lidhjeve sociale e tkurrjes së marrëdhënieve njerëzore. Shoqëria shqiptare ka pamje të re sociale, për pasojë edhe raporte të ndryshuara interpersonale, ndryshime në përmbajtje e formë të strukturave të vjetra të trashëguara të socialitetit, lidhjeve humane e kohezionit social, të cilat sot janë realitete krejt të ndryshuara, pothuaj të pangjashme me ato të “kohës që kaloi”. Duke dashur ta shpjegoj këtë realitet në mënyrë sintetike, mund të them se kjo pasojë të postmodernitetit, të cilin sociologët e vlerësojnë si proces të shfaqjeve të “fragmentimit social” të interesave sociale të publikut, është kuintesencë e tendencës së thellë, determinuese e shfaqjes së njeriut liberal, individualist si komponent përbërës, strukturalisht i shfaqur si përbërës i “publikut të fragmentarizuar”.

Problemi nuk është vetëm me natyrë strukturore, por është i lidhur edhe me ndryshimin e mënyrave të sjelljes sociale, komportimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve individuale në shoqëri. Të mësuar me parimet e jetës së dikurshme kolektiviste, me dëshirën recidiviste të rikthimit në jetën e sotme të disa prej vlerave të saj (disa prej të cilave nuk mund të mohohen), njerëzit janë të mërzitur e të tronditur nga kjo situatë anomike e shfaqjes intensive të dukurive të zgjeruara të kaotizmit social. Padyshim, është e vërtetë që duhet pranuar, se tendencat individuale asociale të bashkuara me prirjen e zgjeruar të fragmentarizimit janë arsye madhore pse në jetën e sotme, në mënyrë evidente shfaqet procesi social, kur vendin e arsyes racionale po e zë veprimi i njerëzve, frymëzuar dhe bazuar në pragmatizmin personal, utilitarizmin individual, që kanë në bazë të tyre veprimin intensiv e prioritar, jo aq shumë të arsyes humane e ndjenjave solidare, por kryesisht atë të “arsyes instrumentale”, si mjet individualisht i nevojshëm, i përshtatshëm për t’u orientuar në mënyrë të personalizuar drejt suksesit, famës, parasë, lumturisë dhe gjithë formave moderne, kërkesave materiale, morale e spirituale të “shoqërisë së qejfit” .

Nuk ka pse çuditemi, as pse ngremë “gjylet” e topave të ndryshkur kundër prirjeve të natyrshme, tendencave sociale të pakthyeshme, realiteteve që ecin në rrugën e tyre, pavarësisht nga dëshirat individuale apo optikat e turbullta të pritmërive të grupeve sociale të caktuara. Përkundrazi, ajo që kërkohet është të kuptojmë, të bindemi se rruga pragmatiste, individualiste, është modeli social i të jetuarit në shoqërinë liberale demokratike. Ato janë parime thelbësore e kërkesa ultimative, që i duhen njeriut për të “notuar” në dallgët e forta të kohës postmoderne, duke besuar më shumë tek vetja, dëshirat, mundësitë, aftësitë dhe përpjekjet e tij. Kjo është arsyeja pse duam apo nuk duam, personalisht apo si grup social kësaj situate i shkon më shumë për shtat, i përshtatet më mirë procesi i “fragmentarizimit të shoqërisë” në vorbullat e ndërlikuara të jetës publike.

Në fakt, vendin e “shoqërisë së madhe” dhe publikut ideologjikisht kompakt, strukturës totale të “shoqërisë unike” e ka kapur, pushtuar, dominuar procesi i individualizimit të jetës, dehumanizimit, personalizimit si mekanizma që ushqejnë dhe nxitin procesin e madh social të fragmentarizmit të marrëdhënieve, dikur grandomane, sunduese, determinuese me “mas-shtabe” të mëdha, duke u orientuar drejt interesave të grupeve më të vogla lokale, fetare, komunitare e profesionale. Kjo duket qartë në shumë aspekte. Sot edhe kur strukturohen në protesta për të mbrojtur interesat e tyre, qytetarët janë të fragmentuar si “strukturë publike”, të ndarë në interesat e tyre. Një fshat proteston për rrugën e munguar, një tjetër për dritat, ish të persekutuarit për dëmshpërblimet, ish-pronarët për pronat e ligjshme, studentët për pagesat, mjekët për testimin, të përmbyturit për dëmshpërblimet etj..

Të gjitha këto realitete konkrete të ditës, janë të mjaftueshme për të kuptuar arsyet pse po përballemi me ndryshime progresive duke, qenë në të njëjtën kohë të shqetësuar për “copëzimet” sociale të fregmentuara, të rikonturuara mbi bazë interesash lokale, kulturore, fetare e profesionale. Kjo është e reja e kohës, që strukturalisht secili prej këtyre grupacioneve dhe komuniteteve nuk është gjë tjetër, veçse “fragment i vogël” i publikut të gjerë social, që është dhe shfaqet më shumë i interesuar për problemet e veta të veçanta, të partikularizuara. Kjo është njëra anë e problemit. Por nuk duhet me qenë të njëanshëm, duke vlerësuar apo mbivlerësuar zhvillimet në këto raporte të interesave parciale, komunitare, qëllimeve personale apo grupeve të vogla të publikut. Njerëzit janë të shqetësuar dhe pyesin: Deri ku mund të shkojë procesi i fragmentarizimit të interesave publike në emër të synimeve partikulariste, të veçanta, grupore dhe individuale? Analistët dhe sociologët e kohës nuk e konsiderojnë vlerë të dobishme të postmodernitetit këtë tendencë fragmentarizmi. Sepse sipas tyre, tendenca e superimit të interesave të fragmentuara mbi ato të përgjithshme të shoqërisë dhe publikut të gjerë do të jetë një kauzë e humbur. Kjo, sepse “mullinjtë e politikës” demokratike i grinë pashmangërisht këta ishuj të vegjël të qëndresës (publikun e fragmentarizuar). Madje, shpesh me shumë ashpërsi, duke i bërë pluhur interesat e publikut të fragmentuar.

Kjo është arsyeja pse tani ka filluar të bëhen krahasime me ndikimet kontroversale sociale, midis diktaturës së dikurshme dhe postmodernitetit aktual. Një gjë është e sigurt. Në etapën postmoderne në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera ish-komuniste, nuk është rrezik despotizmi apo rikthimi i diktaturave, por është intensive, e shpejtë, e përshpejtuar thellimi i procesit kaotik të fragmentarizimit. Kjo dukuri ka pasoja, sepse mund të krijohet (dhe në fakt po ndodh) një situatë e tillë, në të cilën si qytetarë të përfshirë nga fragmentizmi social dhe personalizmi individualist apo komunitarizmi i izoluar, mund të bëhen indiferentë, gjithnjë e më pak të aftë për të pasur qëllime të përbashkëta.

Sipas filozofit kanadez Charles Taylor, “Fragmentimi rritet atëherë kur njerëzit e shohin veten në mënyrë gjithnjë e më shumë atomistike, thënë ndryshe gjithnjë e më pak të lidhur me bashkëqytetarët e tyre në projekte të përbashkëta dhe në ndjenjën e besnikërisë ndaj sho-shoqit”. Charles Taylor, “Etika e autencitetit”, f 110-111. Në vazhdim të analizës së tij për tendencat e forta të fragmentarizimit dhe thellimit të “neutralitetit social”, ai mendon se “Shoqëri e fragmentuar është ajo, anëtarët e së cilës e gjejnë përherë e më të vështirë të identifikohen me shoqërinë e tyre politike si komunitet. Kjo mungesë identifikimi mund të reflektojë një botëkuptim atomistik, si rrjedhojë e të cilit njerëzit e shohin shoqërinë thjesht instrumentalisht”. (Po aty f 115)

Sidoqoftë, duam apo nuk duam zhvillimet sociale janë të tilla, që të detyrojnë të pranosh krijimin e një “shoqërie të re”, që ka të mirat dhe “mëkatet” e veta, që duke qenë në koherencë me kohën nuk ka si të jetë ndryshe. Le t’i lëmë mënjanë dëshirat subjektive, utopitë e kota. Kjo është shoqëria që ka ardhur, në të cilën jetojmë dhe të hedhim “vallen e jetës”, e cila pavarësisht nga dëshirat për “unitet, solidaritet, socialiste, sociabilitet”, ajo shfaqet e fragmentuar. Shpesh pa koherencë e kaotike, në shumë raste me mungesa evidente të aftësisë qytetare për aksion social efektiv. Bashkë me të dhe në ndihmë të kësaj situate është zgjerimi i realitetit të mbylljes së njerëzve në vetvete. Unë jam partizan i pranimit të ndryshimeve që po ndodhin, shpresëplotë se ne duhet të ecim, duke besuar në aftësinë e ndërlikuar e kontroversale të postmodernitetit, kapacitetet organike për të zhvilluar instrumente procedurale të lidhjeve të reja sociale përtej tendencës dominante të “fragmentarizimit”, që jo vetëm të mos jenë konceptuar me logjikën totalitare të grandomanisë supersociale, por duke qenë gjithnjë koherent, kompatibil me kërkesat e kohës.

Në të vërtetë nuk e di sa kam të drejtë në konstatimin sociologjik, por nga analiza më duket se në shoqërinë tonë ka ndodhur një evolucion i thellë. Më saktë, një metamorfozë e dukshme e kalimit nga shoqëria unike totale, e totalizuar në shoqërinë postmoderne, kryesisht liberale, e individualizuar, në të cilën kemi kaluar nga dimensionet e “njeriut masë” i shoqërisë tradicionale tek “individi i izoluar” i shoqërisë moderne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura