Shkëlqimi dhe fundi i kombinatit ushtarak! Rrëfehet ish-kryeinxhineri: U montua nga specialistët e “Nobel”-it, alarmi të huajve për instalime bërthamore

Sep 4, 2023 | 21:22
SHPËRNDAJE

NGA AFRIM IMAJ

Ka qënë fillimi i viteve ‘80 kur zbulimet e huaja të angazhuara me zhvillimet e vendit tonë dhanë alarmin për prodhimin e lëndëve të dëmtimit në masë. Të parat në këtë maratonë ishin ato të rajonit.

uzina elbasan granit leka

“Në Shqipëri po montohen teknologji bërthamore”. “Në afërsi të Elbasanit ndërtohet një kombinat për prodhimin e lëndëve vdekjeprurëse”. “Ka të dhëna se po instalohen reaktorë radioaktiv”. Njëherazi me sinjalet tronditëse, shërbimet e fshehta do të vinin në lëvizje arsenalet e tyre për të saktësuar vërtetësinë e lajmeve nga Shqipëria për shkallën e rrezikshmërisë të teknologjisë ushtarake që po montohej aty. Fillimi i punimeve për ndërtimin e kombinatit të eksploziveve në zonën e Mjekësit, ishte futur kështu në objektivin e dedektivëve të sigurimit dhe dyshimi për një prapësi brëthamore përcillej nga ta me një shqetësim të veçant. Çështjen e bënte edhe më të mistershme prania e specialistëve perëndimorë në këtë sipërmarrje jo të zakonshme.

Ndryshe nga praktika e mëparshme, ku pala shqiptare çështjet e industrisë ushtarake i kishte zgjidhur me partnerë lindorë e kinezë, këtë radhë, ngritjen e gjigandit të lëndëve plasëse dhe eksploziveve të tjera, ua kishte besuar specialistëve suedezë, madje ekspertëve të institutit “Nobel”, të njohur në mbarë botën për teknologjitë moderne të kësaj fushe. Kontakti i parë me këtë lajm të bujshëm për strukturat e zbulimeve ushtarake të rajonit dhe shërbimet e tjera të specializuara për rrezikshmërinë e instalimeve bërthamore, do t’i hapte rrugën operacioneve hulumtuese për të zbardhur të vërtetën e zhvillimeve në kompleksin e Mjekësit të Elbasanit, ku kishin nisur të operonin inxhinierët e diplomuar e të doktoruar në Institutin e “Nobel”-it në Suedi. “Laboratorët” sekret, në të cilët nisi të implementohej teknologjia me autorësinë e tyre, do të jepnin produktet e para vetëm pak muaj pas eksperimentimeve të shumta.

uzina

Sakaq, kombinati i ngritur si përfshirje e dhjetëra uzinave e impianteve të ndryshme, do të mbetej për opinionin qytetar thjesht një zonë ushtarake e ndaluar për t’u futur, por jo vetëm kaq. Për çka prodhohej aty, duhej ta dinin vetëm një rreth i ngushtë njerëzish dhe kuptohet, përfaqësuesit e Sigurimit të Shtetit. Madje, edhe këta jo të gjithë. Mjeksi dhe misteri për produktet e tij, në opinionin e brendshëm ishte pjesë e gjërave të kodifikuara të ndaluara e tepër sekret. Vetëm nën zë kishte njerëz që herë pas here e shqyrtonin bisedën për të sipas ndonjë të dhëne të cunguar që mund të merrnin nga specialistët e shumtë që punonin aty. Po cila ishte e vërteta e Kombinatit të Mjekësit, çfarë përfaqësonte ai dhe si u realizua bashkëpunimi me specialistët suedezë për prodhimin e eksploziveve të cilësive të larta, që do të eksportoheshin deri në SHBA?

Për herë të parë, gazeta “Panorama” hedh dritë mbi historikun dhe profilin e tij, nëpërmjet një interviste ekskluzive me ish-kryeinxhinerin e kombinatit, Granit Leka, i cili ka qenë njëri nga protagonistët e ndërtimit të këtij gjigandi të industrisë ushtarake. “Mjeksi, thotë Leka, ishte kombinati më i madh i lëndëve plasëse në rajon, por edhe një nga më të mëdhenjtë në Evropë”. Ai nuk e fsheh krenarinë si pjesëtar i këtij projekti me autorësinë e “Nobel”-it që bëri të mundur prodhimin e eksploziveve “Made in Albania”, sipas standardeve më të larta të kohës, të kërkuara në të gjitha tregjet e perëndimit. Ndërkaq, për inxhinierin Leka është mjaft domethënës fakti që, ndryshe nga praktika për ngritjen e gjigandëve të tillë në vende të tjera të botës, ku ka pasur katastrofa tragjike për vet rrezikshmërinë e punës në të, në Kombinatin e Mjeksit nuk ka pasur asnjë ngjarje me pasoja në tërë biografinë 40- vjeçare…

Granit Leka1

Zoti Granit! Mjaft nga studiuesit e industrisë ushtarake thonë, se Mjeksi për nga teknologjia ishte ndër veprat më dinjitoze të rajonit. Për çfarë bëhet fjalë në këtë vlerësim?

Duhet thënë që në krye të herës që kompleksi i Mjekësit, në tërësinë e tij, implementoi një teknologji moderne. Pjesa më e madhe e saj i përket teknologjisë së viteve 1980, blerë në Suedi nga kompania “Bofors” (kompleksi 2575). Ishte teknologjia më e mirë e kohës në Evropë për prodhimin e eksploziveve dhe baruteve për përdorim civil dhe ushtarak dhe bazohej kryesisht mbi lëndët e para të vendit. Kompleksi përmbante impiante të veçanta dhe të ndërlidhura për prodhimin e trotilit, hexogenit, nitroglicerines, dinamitit, nitrocelulozes dhe dy impiante të tjera për prodhimin e baruteve të ndryshme, duke filluar nga baruti i çiftes e deri tek ai i raketës.

Si lindi ideja për teknologjinë suedeze, ndërkohë që politika zyrtare e Tiranës e asaj periudhe anatemonte çdo lloj bashkëpunimi me vendet perëndimore?

E vërteta është se në rastin e Mjekësit për herë të parë, implementohej një projekt perëndimor. Kushtet në të cilat shteti shqiptar detyrohej të bënte këtë zgjedhje kishin të bënin me kontekstin historik dhe domosdoshmërinë e zgjerimit të industrisë së prodhimit të eksploziveve. Fundi i viteve ‘70 dhe fillimi i viteve ‘80, koha në të cilën nisi të kristalizohej ideja e teknologjisë suedeze ishte kulmi i Luftës së Ftohtë. Vendi ynë, pas divorcit me Kinën e Mao Ce Dunit përjetonte vetminë e jashtëzakonshme. Asokohe ekzistonte në Mjeks një uzinë e vogël për prodhimin e eksplozivit dhe fitilit për punime tokësore, e ndërtuar në vitet 1960 në bashkëpunim me specialistët kinezë. Teknologjia e saj ishte relativisht e vjetër. Lënda e parë e uzinës (trotili) vinte nga importi (Serbia). Kapacitetet e saj nuk përballonin kërkesat për nevojat e mbrojtjes dhe atyre të minierave të kromit. Kjo situatë impononte krijimin e një uzine të re, me teknologji të kohës që të punojë me lëndë të parë të vendit dhe të përballonte kërkesat në rritje në interes të mbrojtjes dhe ekonomisë.

A nuk kishim mundësi për t’u kontraktuar me një nga vendet e Lindjes, ku vazhdonim tregtinë me klering?

Krijimi i një kombinati ushtarak, nuk është thjesht një procedurë e fushës së tregtisë, por shumë më tepër se kaq. Ishim në periudhën ku Shqipëria ishte jashtë Traktatit të Varshavës dhe atij të NATO-s, madje me marrëdhënie të ngrira edhe me Kinën. Në atë periudhë, kur nuk ishim as “Lindje dhe as Perëndim” dhe i binim gjoksit për parimin e famshëm të mbështetjes në forcat e veta. Me këtë parim provuam t’i përgjigjeshim edhe detyrës për zgjerimin e teknologjisë së prodhimit të eksploziveve. Fillimisht u bënë studime fizibiliteti dhe eksperimentime, me qëllim që kompleksin ta ndërtonim me forcat e specialistëve tanë. U ngritën për këtë tre grupe studimi me specialistët më të mirë të fushës përkatëse. Për muaj me radhë u punua në laborator, u bënë aplikuime e eksperimentime të ndryshme dhe në fund u konkludua me kompetencë shkencore se ky kompleks nuk mund të ndërtohej në kushtet tona e si rrjedhim dilte e nevojshme importimi i teknologjisë dhe i pjesës më të madhe të pajisjeve. Çështja shtrohej se ku do ta importonim. Lindja, me të cilën kishim operuar më parë për këto çështje trashëgonte për vete një teknologji të prapambetur.

E vetmja mundësi mbetej Perëndimi. Për të mbërritur deri aty duheshin kapërcyer fillimisht barrierat politike. Përveç tyre, duhej përzgjedhur vendi që posedonte teknologjinë më të përparuar. Qysh në diskutimet e para, Suedia doli si oferta më e mirë. Kjo jo vetëm për nga profili politik i saj si një vend i paangazhuar, por edhe si një nga mbartëset e teknologjisë më moderne të eksploziveve në botë. Pra, kishim pak alternativa për të blerë këtë tip industrie. Dhe proceduam me guxim për kohën, duke zgjedhur vendin dhe kompaninë që do të na jepte produktin e kërkuar. Grupi “Bofors”, që përfshinte edhe kompanitë “Nobel” dhe “Chematur” në këtë sipërmarrje, njiheshin si pionierët dhe gjigandët e kësaj teknologjie në Evropë e në botë. Ne mundëm të trokasim te ta dhe ja dolëm mbanë. Me sa kam mësuar atë kohë idenë për zgjedhjen e teknologjisë suedeze e kishte dhënë Mehmet Shehu..

mehmet shehu

A pati vështirësi në vendimmarrjen për t’ua besuar këtë specialistëve suedezë?

Të pretendoje atëherë për të ngritur një gjigand të industrisë kimike me karakter ushtarak në bashkëpunim me një vend perëndimor ishte një guxim i marrë. Po ja që ashtu duhej bërë dhe nuk mbetej gjë tjetër. U munduan aparaçikët me predikimet e tyre partiake, për ta sfiduar këtë sipërmarrje, po mesa dukej nevoja ishte më e rëndësishme se parimet e tyre boshe. Mbaj mend se për një vepër të tillë interesohej drejtpërdrejt kryeministri i vendit Mehmet Shehu, i cili argumentoi në majat e vendimmarrjes domosdoshmërinë e kësaj kontrate me “zarar”. Përfundimisht, me këtë zgjidhje u pajtua edhe linja partiake. Po “vigjilenca” e saj do të vazhdonte më tej “me sytë hapur”, gjatë gjithë kohës që po implementohej projekti i teknologjisë së “Nobel”-it. Kjo “syçeltësi” do arrinte deri te paradoksi. Po nejse, ky është një tjetër kapitull…

Të vijmë në planin konkret. Si nisi procedura për të instaluar teknologjinë suedeze?

Pasi u bë zgjedhja në vendimmarrjen shtetërore, nisën edhe procedurat përkatëse. Fillimisht, u nisëm për në Suedi një grup prej 15 inxhinierësh për t’u trajnuar në qendrën “Nobel”. U vendosëm në Karskoga, qyteti ku “Nobeli” ka ngritur uzinën e parë të eksplozivave në Evropë. Bashkë me trajnimin aty bëmë edhe familjarizimin me teknologjinë që do të vinte në Shqipëri. Qëndruam aty për rreth dy muaj. Nga sa më kujtohet periudha e kualifikimit në Suedi, mbaj mend përkujdesjen e jashtëzakonshme të specialistëve vendas për të na rrënjosur domosdoshmërinë e zbatimit të kërkesave të sigurimit teknik, pasi neglizhenca më e vogël gjatë punës me këtë teknologji sillte katastrofa tronditëse. Për ditë me radhë specialistët suedezë na shfaqnin regjistrimet filmime, që kishin siguruar nga shpërthimi i një kombinati të tillë në Spanjë, i cili kishte shkrumbuar tërë personelin dhe kishte sjellë pasoja të jashtëzakonshme për qytetin. Pamje të tilla rrëqethëse nuk kishim parë asnjë herë. Katastrofa me kombinatin e Spanjës ishte një apel më vete, por edhe një frikë e madhe për ne që do të instalonim në Shqipëri një teknologji të tillë. Gjithsesi, rruga kishte nisur dhe nuk duhej të tërhiqeshim.

Kur erdhën për herë të parë specialistët suedezë në Shqipëri?

Për herë të parë specialistët e “Nobel”-it mbërritën në vendin tonë, pasi ishim kthyer ne, inxhinierët që ishim trajnuar prej tyre. Kuptohet procedurat zyrtare vazhdonin normalisht në linjën e tyre. Ata sollën me vete edhe projektet paraprake të teknologjisë që do të instalonin në Mjekës. Ishin projekte komplekse dhe me sa më kujtohet kishin një vlerë rreth 7 milionë dollarë. Me to duhej të njihej korpusi i specialistëve tanë, për të nxjerrë problemet që duhej t’u sugjeronim për përmirësime të ndryshme. Ata e vlerësonin shumë çdo gjë që ngrinim lidhur me përsosjen e projektit, pavarësisht se me të kishin punuar personalitetet më të larta të botës për këtë fushë. Vazhdoi për disa ditë e javë ky ballafaqim ekspertësh, për t’i lënë vendin sjelljes së teknikës e impiante që do të montoheshin në uzinën e Mjekësit.

Sa ishte numri i specialistëve suedezë që punuan për ngritjen e Mjekësit?

Fillimisht erdhën rreth 15-20 inxhinierë e teknologë të linjave të eksploziveve. Ishin mjeshtër të fushës së tyre dhe kishin një përvojë të gjatë me projektet e kësaj teknologjie. Mjaft syresh kishin punuar në vende të tjera si në Iran, Irak e gjetkë, ku kishin zbatuar projekte të ndryshme për prodhimin e eksploziveve të cilësive të larta. Ishin të saktë e shumë kërkues në zbatimin e instruksioneve përkatëse…

Dhe nisi ngritja e kombinatit…

Në një farë mënyre ngritja e kombinatit kishte nisur më herët me përgatitjen e infrastrukturës përkatëse, me ngritjen e objekteve dhe përpunimin e logjistikës së nevojshme. Teknika do të vinte nën përkujdesjen e ekspertëve suedezë, të cilët do ta ndiqnin hap pas hapi instalimin e teknologjisë, deri te prodhimi i parë. Për ditë me radhë do të angazhoheshim në diskutime të shumta, kryesisht për të shmangur rrezikun e jashtëzakonshëm që mbarte montimi i kësaj teknologjie. Pastaj, instalimi i aparaturave e pajisjeve, do të ndiqej rigorozisht, pa bërë as lëshimin më të vogël.

Cila ishte jehona që bëri në atë periudhë ndërtimi i këtij kombinati nga specialistët perëndimorë në kushte sekrete?

Për opinionin e brendshëm, të mësuar me ndërtimin e veprave ushtarake të karakterit sekret, ngritja e Kombinatit të Mjekësit, nuk paraqiste ndonjë interes të veçantë. Kërshëritë për ngjarje të tilla kishin kohë që ishin fashitur. Gjithkush ishte edukuar në mënyrë të tillë që sa shihte tabelën “Zonë ushtarake!”, devijonte rrugën e nuk pyeste për më tej. Po këtë radhë nuk do të ndodhte kështu me opinionin e jashtëm, i cili përtej interesimit të zakonshëm, do të vihej në lëvizje për të hetuar çfarë do të prodhohej konkretisht në të. Madje me një sens alarmues.

A i mbani mend reagimet e të huajve për prodhimet e Kombinatit të Mjekësit?

Ata nuk kishin si ta merrnin vesh çfarë prodhonte Mjekësi, pasi çdo gjë aty ruhej në fshehtësi të plotë. Kjo madje i shtrëngonte më shumë për të hamendësuar rreth produkteve me të cilat mund të kërcënonte kombinati i monitoruar me teknologji suedeze. Në këto kushte shërbimet e specializuara të tyre, sidomos zbulimet ushtarake të vendeve fqinje filluan nga sensibilizimet alarmante: “Në Shqipëri po montohen teknologji bërthamore”. “Në afërsi të Elbasanit ndërtohet një kombinat për prodhimin e lëndëve vdekjeprurëse”. “Ka të dhëna se po instalohen reaktorë radioaktiv”, etj. Vonë shumë vonë do të merrej vesh e vërteta për kombinatin dhe produktet e tij.

Kujtimet e Shane Korbecit, ish-ministër i Tregtisë: Mjekësi u ndërtua nga gjigandi suedez ‘Bofors’

”Për të ngritur kombinatin e eksploziveve, duhet të marrim teknologjinë suedeze”. Kështu e kujton këmbënguljen e kryeministrit komunist në fundin e viteve ‘70, Shane Korbeci, një nga pjesëtarët e kabinetit qeveritar, i cili në atë periudhë bënte detyrën e drejtorit të Makina Importit. Zgjerimi i uzinës së lëndëve plasëse të Mjekësit, ndërtuar në bashkëpunim me specialistët kinezë në vitet ‘60, sipas Korbecit, ka lindur si nevojë e prodhimit të eksploziveve për interesa të vendit, por edhe për eksportin.

“Mehmet Shehu, vë në dukje ai në kujtimet e tij, qysh në bisedimet e para për përmirësimin e teknologjisë së Mjekësit, hodhi idenë për të operuar me specialistët suedezë. Madje, saktësoi edhe emrin e kompanisë ‘Bofors’, pjesë e qendrës ‘Nobel’, me të cilën do të bënim zgjidhjen që na duhej”. Sipas ish-kreut të Dikasterit të Tregtisë, kryeministri Shehu kishte informacion të plotë për këtë kompani dhe argumentonte me fakte pse duhej importuar teknologjia e saj. Korbeci konfirmon se Mehmet Shehu deri në fund e ndoqi vetë tërë procedurën për ndërtimin e Kombinatit të Mjekësit.

uzina elbasan

Mjekësi, kombinati më i madh i lëndëve plasëse në Ballkan

Kombinati i Lëndëve Plasëse të Mjekësit ka përfunduar në fillimin e viteve ’80. Gjithçka u ngrit mbi infrastrukturën e një uzine të hershme, ndërtuar pas viteve ’60, nga specialistët kinezë e destinuar për prodhimin e lëndëve plasëse dhe baruteve. Ndërtimi i kombinatit pas divorcit me ta ishte një kërkesë e kohës që kishte të bënte me përmbushjen e nevojave të ushtrisë, por edhe të ekonomisë me produktet e domosdoshme të tij.

Përzgjedhja e teknologjisë perëndimore, në kushtet e izolimit total ishte alternativa e vetme për ndërtimin e kësaj vepre që për shumë vite do të vlerësohej e shkallës tepër sekret. Kështu, në bashkëpunim me specialistët suedezë të kompanisë prestigjioze “Bofors”, u ndërtua në një periudhë të shkurtër kompleksi i ri i prodhimit të eksploziveve ku përfshihen një sërë uzina, secila me teknologjinë e vet specifike, si ajo e TNT-së (tritolit), e heksogenit, e nitrocelulozës, e barutit me një bazë, e nitroglicerinës, e barutit me dy baza, e dinamitit, si dhe shumë impiante të tjera ndihmëse.

Kombinati u pajis me rrjet të plotë inxhinierik për furnizimin me energji elektrike, ujë, avull, ajër të koprimuar, kanalizime dhe sistemime neutralizimi dhe denitrimi, duke realizuar ciklin e plotë dhe të mbyllur për prodhimin deri dhe ambalazhimin e produktit sipas standardeve bashkëkohore.

Personelit inxhiniero-teknik të uzinës së hershme do t’i bashkëngjitej grupi i ri i inxhinierëve të specializuar rishtazi në Institutin “Nobel-Chematur” dhe në uzinat e kompanisë së mirënjohur “Bofors” në Suedi. Në pak vite kombinati pësoi një hop të madh. Në vitet 1982 deri në vitin 1988 numri i punonjësve arrinte deri në 1 200 vet. Në këtë periudhë kombinati arriti standarde ndërkombëtare të prodhimit dhe kapacitete gati të pabesueshme, duke kapur shifrën deri në 10 mijë ton eksplozive në vit. I shtrirë në një hapësirë prej 125 hektarëve, kombinati prej gati 40 viteve nuk ka njohur asnjë ngjarje të jashtëzakonshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura