“Shifrat janë dramatike!”- Tabaku: Nevoja për një reformë pensionesh është emergjente, kjo shtresë duhet të trajtohet me dinjitet

May 16, 2024 | 11:58
SHPËRNDAJE

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ka shprehur mbështetjen e saj për projektligjin për njohjen e pensioneve me Italinë, por ngriti shqetësim për reformën e pensioneve në vendin tonë.

TABAKU

Ajo u shpreh se të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT tregojnë se reforma ka dështuar, teksa shtoi se është emergjente një reformë e re.

Të nderuar qytetarë shqiptarë që jetoni në Itali, mbas negociatave shumë të gjata, sot kemi mundësinë të diskutojmë në lidhje me marrëveshjen e pensioneve që janë larguar hershëm nga Shqipëria, por që sot mund t’i njihet puna dhe kontributin.

Kjo është diçka që e bashkon politikën, marrëveshje që palët do ta votojnë sepse nuk lidhet me askënd këtu, lidhet me ata që janë jashtë kësaj salle dhe fatkeqësisht janë larguar nga Shqipëria.

Së pari, besoj se tek të gjithë lind natyrshëm pyetje, kush janë vendet e radhës me të cilat do të fillojë qeveria shqiptare për të negociuar dhe ku ndodhemi me diskutimet me Greqinë, që është vendi që ka nr më të lartë të pensionistëve. A kanë avancuar diskutimet politike?

Së dyti, çfarë ka ndodhur me reformën e pensioneve që u miratua në vitin 2014?  Ka një pikëpyetje të madhe e cila kalon përtej shifrave, që lidhet dhe me politika të majta që kjo qeveri i braktisi rrugëve dhe me politika që lidhen me jetesën dinjitoze të pensionisteve. Janë 650 mijë pensionistë që presin mëshirën e qeverisë për rritjen e pensioneve.

Të dhënat janë kokëforte. INSTAT thotë se rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur me 2%  për moshën mbi 65 vjeç, ndërkohë në vitin 2022,  pensionistët me pension të pjesshëm janë 48% e totalit të pensionistëve. Që do të thotë se një në dy e pensionistëve ka pension e pjesshëm.

Të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT, theksojnë se 85% e pensionistëve, kryesisht atyre që jetojnë në fshat, i kanë të ardhurat e pensioneve të tyre më të ulëta se niveli i minimum jetik që është përcaktuar nga EUROSTAT sepse ne nuk e kemi një nivel zyrtar të përcaktuar.

Shpenzimet në sektorin që lidhen me pagesat e drejtpërdrejta në fushën e pensioneve kanë zbritur në nivelin 7.3% të produktit të brendshëm bruto në vitin 2023, krahasuar me 7.85 që ishte ky tregues para pandemisë.

Janë të gjitha politika që tregojnë se sistemi i pensioneve dështoi. Janë politika të qeveria dështoi si një masë për të nxjerrë një shtresë të popullsisë nga niveli i varfërisë.

Unë besoj se politikat që janë përtej një mandati qeverisës duhet të jenë politika të përbashkëta sepse prekin në thelb sistemin, por janë dhe të qëndrueshme në kohë.

Shifrat sot janë dramatike dhe e bëjnë nevojën për një reformë pensionesh, emergjente. Jo vetëm për siguruar të ardhura dinjitoze, por për t’iu drejtuar një sektori që është i pazhvilluar, shtyllën e tretë”, tha Tabaku.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura