“Serbia Dilematike-Tektonikë, Gjeopolitike Ballkanike”, libri i Lisen Bashkurtit! Shtrati ku mbështetet nacionalizmi radikal serb

Mar 24, 2024 | 14:41
SHPËRNDAJE

JURGEN HAXHIU/ Këto ditë lexuesi shqiptar, por jo vetëm, po merr në duar librin e 27 të autorit të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, prof. assoc. dr. Lisen Bashkurti, “Serbia Dilematike-Tektonikë Gjeopolitike Ballkanike”.

Lisen bashkurti libri

Është një nga monografitë shkencore më të rëndësishme të autorit, duke pasur parasyshë që ka në qëndër Serbinë, dilemat e saj të gjithanshme si dhe impaktin tektonik gjeopolitik që ato shkaktojnë në Ballkan.

Lisen Bashkurti është autor shumë kompleks, por gjithnjë brenda fushës së shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Në të gjitha këto fusha ai ka eksploruar thuajse aspektet themelore, bazuar në kërkime dhe analiza të gjëra dhe të thella, duke krijuar kështu një korpus botimesh, që kanë formuar tanimë një bibliotekë të tërë që është shpërndarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e gjetkë. Ky është një kontribut i shquar i Bashkurtit në një fushë ku ka pasur një vakum të madh të së kaluarës. Në këtë aspekt mund të thuhet pa hezitim se Lisen Bashkurti, që shumë e thërrasin “profesor” dhe shumë të tjerë “ambasador” është një personalitet pionier në historinë e mendimit shkencor të shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë shqiptare.

Libri që sapo ka dalë nga botimi, “Serbia Dilematike-Tektonikë Gjepolitike Ballkanike”, është i organizuar me një hyrje, shtatë kapituj dhe konkluzione. Në hyrje autori na jep një vështrim shumë të gjërë mbi historinë e formimit të mendimit politik të Serbisë, duke filluar nga parashtrimi i doktrinës së “Nacertanies” i Ilia Garashaninit dhe duke vazhduar me doktrinën e Serbisë etno-gjuhësore të Vuk Karaxhic bazuar në formimin etno-gjuhësor serb dhe degë të tjera doktrinare si doktrina e ekspansionit ekonomik serb e Jovan Cvijic, doktrina operacionale e doktrina kriminale e “Cerna Rukas”, Traktati i Nishit dhe koncepti pansllav i Nikola Pashicit, doktrina radikale e Vasa Cubrilovicit, “Përzënia e Shqiptarëve”, e Ivo Andricit, doktrina militariste e Stefan Moljevicit “Serbia homogjene”, memorandum SANU, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë udhëhequr nga Dobrica Cosic, si dhe platforma e Sllobodan Millosheviçit – të gjitha me karakter të thekshëm nacionalist dhe frymë ekspansioniste. Hyrja është thuasje një studim më vehte për nga gjërësia dhe thellësia që përmban dhe që përbën shtratin mbi të cilin mbështetet nacionalizmi radikal dhe ekspansiv s,erb në Ballkan.

Në kapitullin e parë, “Dilemat Serbe gjatë dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë”, Bashkurti nisë analizën e thellë diakronike dhe dioptrike të dilemave të Millosheviçit midis nacionalizmit dhe federalizmit në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë mbas rënies së Murit të Berlinit. Ky proces nisi me fjalimin doktrinar serb në Fushë Kosovë në vitin 1989, ku ai paralajmëroi fushatën e tij etno-centriste serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, por edhe paralajmërimin ndaj gjithë republikave të tjera të Jugosllavisë. Nisi kështu dilema gërryese e Jugosllavisë midis etno-centrizmit Serb dhe federalizmit kroato-slloven, një dilemë e vjetër dhe e re, por që kurrë nuk u zgjidh. Ngritja e kultit të Milloshevicit përkoi në të këtë periudhë me fillimin e involvimit në procesin e shpërbërjes se Jugosllavisë të gjeopolitikës së fuqive Lindore, siç ishin Rusia dhe Kina që nisën të mbanin anën e Millosheviçit dhe synimeve të tij politike. Mbas vdekjes së Millosheviçit,

dilemat politike dhe gjeopolitike të Serbisë thellohen dhe komplikohen akoma më tej. Presidentët e njëpasnjëshëm, Koshtunica, Tadic, Nikolic deri tek Aleksandër Vuçiç më gjithë nuancimet që kanë në qasjet ndaj zhvillimeve politike të brendshme dhe sidomos në qasjet gjeopolitike ndaj fuqive të mëdha, të ndara midis Lindjes së Perëndimit, sërish lundrojnë në të njëtat ujra nacionaliste dhe shtrihen në të të njëjtin shtrat milloshevician. Të gjithë vërtiten në qerthullin politik, me nuance narrative politike pa e prekur fare kushtetutën e Serbisë që është doktrina themeltare e nacionalizmit serb aktual. Aktualisht, presidenti Vuçiç është bartësi tipik i gjithë dilemave politike të nacionalizmit Serb, pa qënë i aftë t’i japë zgjidhje asnjërës prej tyre. Si pasojë, Millosheviçi mbetet e ardhmja që rron në jetën politike Serbe. Trashëgimia e tij mbetet një hije e rëndë që nuk shkelet as sot e kësaj dite në Serbi, një nostalgji e përjetësuar. Në një sens të përgjithshëm politik, thekson Bashkurti, Vuçiç ka zëvëndësuar më së shumti Millosheviçin në doktrinë, në narrativë, në strategjinë dhe taktikat politike të brendshme dhe në orvajtjet gjeopolitike ndërkombëtare. Në mënyrë të koncentruar zëvëndësimi i Millosheviçit nga Vuçiç duket në faktin se Serbia nuk po përballet me dilemat e të kaluarën genocidiale dhe kriminale në Kosovë. Vuçiç vazhdon kështu një qëndrim ambig ndaj trashëgimisë millosheviciane, si pinjoll i rritur në shkollën e tij politike dhe propogandistike dhe si lider që qëndron midis nostalgjisë për Millosheviçin dhe ideologjisë mikse pragmatike bashkëkohore.

Kapitulli i dytë i kushtohet një analize të thellë të vendit dhe rolit të armatës Jugosllave/Serbe në përmbushjen e nacionalizmit Serb. “Armata Jugosllave-Zgjatim i politikave nacionaliste, dilemat e saj” përbën një kapitull shumë interesant dhe më pak i analizuar nga studiuesit. Armata Jugosllave, e brymosur, por edhe e dominuar nga faktori etnik serb, për një kohë të gjatë vuajti midis ministrit Kadijec dhe liderit Millosheviç. Ndërsa i pari u përpoq që të ruante në një farë mënyre statusin e armatës Jugosllave si neutrale ndaj politikave republikane dhe vijimit të traditës federale të saj, i dyti bëri të gjitha demarshet formale dje jo formale që armatën Jugosllave ta nënshtronte dhe më tej ta përdorte për qëllimet etnocentriste dhe ekspansive të Serbisë. Me shumë fakte, të dhëna dhe dokumente, Bashkurti e analizon me vërtetësi procesin e rreshqitjes graduale të Armatës Jugosllave në instrument te politikave serbe të Miloshevicit. Pozicioni relativisht konfuz i Bashkimit Sovjetik të asaj kohe i krijoi hapsirë Milloshevicit në këtë proces. Paralelisht me rrëshqitjen e Armatës Jugosllave në duart e Milloshevicit, Bashkurti vëren në fokus të analizës së tij edhe mpleksjen e ushtrisë, politikës, kishës për armatosjen e paramilitarëve Serbë nëpër pakicat përreth. Pra jo vetëm që nuk ruhet më tutje statusi federal i armatës Jugosllave, por nisin përpjekjet e ethshme për militarizimin e pakicave serbe në të gjithë Jugosllavinë, përfshirë Kroacinë, Bosnie-Herzegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi. Një ushtri paralele nisi të krijohej në vigjilje të procesit shpërbërës të Jugollavisë. Bashkurti vijon analizën edhe mbas luftrave në ish Jugosllavi, ku vëren se në Serbi nuk ka pasur asnjëherë proces demilitarizimi dhe se popullsia Serbe kudo vijon të jetë e armatosur dhe kësisoj edhe kërcënim për gjithë shtetet rreth Serbisë dhe për mbarë rajonin. Madje, sic arrin në konkluzion Bashkurti, në kohën e Vuçiçit, në vend të demilitarizimit po shkohet drejt ri-militarizimit të mëtejshëm të Serbisë, madje një lloj militarizimi rusifikues të saj. Këtë ri-militarizim Serbia po e bën për synime strategjike në Ballkan, si dhe për imponim në procesin e negociatave me Kosovën.

Edhe kapitulli i tretë, “Dilema-Armatosje ose rikthimi te vetevetja”, i kushtohet dilemave të politikave militare të Serbisë. Në ekonomi thuhet “ndiq paranë” për të kuptuar më thellë proceset ekonomike, në strategji thuhet “ndiq politikat militare” për të kuptuar synimet strategjike të një vendi. Ndjekja e procesit të ri-armatrimit të Serbisë gjithnjë e më shumë, jashtë cdo nevoje për interesa thjeshtë mbrojtëse, importimi i arsenaleve sulmuese nga Rusia dhe Kina, kualifikimet e trajnimet e stafeve ushtarake me kapacitetet e larta ushtarake Ruse po e shndërrojnë Serbinë një kthim te vetvetja. Filozofia militariste është një nga më dominueset ne jetën dhe funksionimin e shtetit Serb qysh në fillesat e para të tij. Vendi dhe roli i ushtrisë kanë qënë dhe mbetet kruzial në jetën politike serbe. Krahas armatës zyrtare, në Serbi vijojnë edhe strukturat militare paralele si dhe popullsia e armatosur përgjithësisht. Shërbimet inteligjente ngelen dhe funksionojnë si enë kapilare brenda këtyre strukturave ushtarake. Prandaj filozofia e demilitarizimit të vëndit dhe të popullsisë as që ekziston në politikën shtetërore Serbe. Kjo mbetet një nga sfidat e mëdha të Serbisë edhe në procesin e integrimit Evropian.

Nga kapitulli i katërt, “Midis Rusisë e Ukrainës-Dilema” “neutralitet’ apo “angazhim”, autori e fokuson studimin e tij në tektonikat gjeopolitike që Serbia po shkakton mbi Ballkan. Është pyetja e dytë kërkimore shkencore e Bashkurtit, që merr një pjesë të konsiderueshme të librit dhe na jep një analiza mjaft shterruese të saj. Revizionizmi gjeopolitik i Rusisë dhe reagimi i Perëndimit ndaj tij përbëjnë nën-kapitujt e mëtejshëm të librit. Më tej, autori ndalet te koncepti ndërkombëtar për neutralitetin, shembujt e Finlandës, Suedisë e Zvicrës deri te luhatjet e paprincipta të Serbisë lidhur me neutralitetin e saj dhe angazhimin faktit përmes instrumentave politik, diplomatik, juridik dhe strategjiko-ushtarak me Rusinë e Putinit. Është pikërisht të thyerja e heshtur e neutralitetit të Serbisë që ka krijuar akses në rritje të pranisë dhe ndikimit gjeopolitik rus në Ballkan, duke provokuar tektonika gjeopolitike përreth Serbisë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe duke kërcënuar paqen e stabilitetin në Ballkan dhe mbarë Evropën. Lufta në Ukrainë ka qartësuar mjaft situatat e dinamikat gjeopolitike në Evropë. Ky qartësim, ndërsa ka bërë që shtete vërtetë historikisht neutrale si Finlanda, e Suedia të angazhohen haptazi, duke u integruar në NATO, Serbia përkundrazi, nga këto situata të reja gjopolitike po rrëshqet gjithnjë e më shumë në angazhim pro rus të padeklaruar. Madje edhe lufta e hapur midis Rusisë dhe Ukrainës nuk e ka ndihmuar aspak Serbinë që të qartësojë definitivisht neutralitetin e saj ndaj angazhimit. Përkundrazi, Serbia i ka thelluar dilemat e orientimit të saj gjeopolitik, duke mbështetur Ukrainën në “mbrojtje të sovranitetit e integritetit të saj”, por njëkohësisht duke mos e dënuar Rusinë dhe duke mos pranuar të aplikojë asnjë lloj sanksioni ndaj saj. Impaktet e kësaj luhatje në thelb pro ruse duken në veprimet e Serbisë ndaj Bosnnje Hercegovinës, ndaj Kosovës dhe Malit të Zi. Këto shtete përreth Serbisë kanë pakica serbe, të cilat po përdoren, shpërdoren dhe abuzohen nga Serbia për shtrirje të pranisë dhe ndikimi gjeopolitik të saj dhe rrjedhimisht edhe të Rusisë në këtë pjesë të Evropës.

Kapitulli i pestë është fokusuar në marrëdhëniet Serbi-Kosovë. Këto marrëdhënie vijojnë te jenë të komplikuara edhe mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga fuqitë e mëdha Perëndimore dhe nga mbi 117 shtete antare të OKB. Në lidhje me Kosovën Serbia vijon të udhëhiqet nga shkolla e vjetër politiko-diplomatike. Për këtë arsye konfrontimi midis Serbisë dhe Kosovës është njëherazi edhe konfrontim identitetesh, ku Serbia mbështetet te mitet identitare, ndërsa Kosova në realitete identitare, si dhe në konfrontime të ashpra gjeopolitike, mbas të cilave nuk është vështirë të identifikohet roli specifik i Rusisë, e pak më zbehtë edhe i Kinës.

Në kapitullin e gjashtë, me një zhdërvjelltësi të rallë Bashkurti analizon dilemat doktrinare serbe të përthyera nga historia dhe të përdorura në kohët tona për manipulim të opinionit politik serb, për mbajtjen peng të tij nga interesa politike e pushteti të Vucic dhe klanit të tij, që aq shumë mbështetet nga Putini për interesa gjeopolitike Ruse. Ndonëse këto doktrina të vjetra duken si arrne ne rrobat e reja të Serbisë, sërish të mbështetura nga politika, kisha, akademizmi dhe shkolla serbe ato kanë depërtuar shumë thellë në qenien dhe mentalitetin serb, saqë janë më komode për pushtetin serb dhe lidhjen me Rusinë sesa çdo revizionimi apo ndryshimi të tyre.

Në kapitullin e shtatë, autori Lisen Bashkurti fokusohet te modeli gjeopolitik rus në Ballkan. Ky model është vazhdim i strategjisë gjeopolitike të Stalinit, por që revizionohet në kushtet e rendit të sotëm ndërkombëtar. Në këtë kontekst konflikti Serbi-Kosovë është shfaqje direkte e kryqëzimit të gjeopolitikës, ruso-serbe mbi Ballkan, si tektonikë gjeopolitike e rrezikshme. Specifikisht në kohët tona, ashtu sikundër Putini lançon doktrinën e “Botës Ruse” në hapësirat Euro-Aziatike dhe Nordike-Mesdhetare, po ashtu edhe Serbia lançon doktrinën e saj “Bota Serbe” si aplikim i “Botën Ruse” në mjedisin gjeopolitik ballkanik. Kjo tektonikë gjeopolitike serbo-ruse mbi Ballkan e ka vënë BosnjeHercegovinën në dilemën “make or break”; Malin e Zi në dilemën “back or forth”; dhe Kosovën në dilemën “precedent” or “sui generis”. Këto goditje gjeopolitike në forma tektonike mbi mbarë Ballkanin, e kanë shndërruar Serbinë në një “Kalë Troje” rus të kohës sonë.

Libri “Serbia Dilematike-Tektonikë Gjeopolitike Ballkanike” i autorit prof. assoc. dr. Lisen Bashkurti, ambasador, është një nga kontributet shkencore bashkëkohore më të rëndësishme shqiptare me vlera për mbarë shqiptarët, Ballkanin, Evropën dhe më gjerë. Aparati shkencor i librit bazohet në rreth 500 referime shkencore, historike, politike, juridike, diplomatike, strategjike, gjeopolitike dhe mediatike të ardhura nga shumë burime, shumë hapësira dhe shumë gjuhë të huaja, që autori i ka analizuar me përpikmëri rigoroze shkencore. Stili i të shkruarit është shkencor, por njëkohësisht mjaft i rrjedhshëm çka e bën librin mjaft atraktiv për lexuesin e çdo kategorie.

Shtëpia Botuese FASTPRINT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura