Ministrat e Bashkimit Evropian janë duke diskutuar të martën në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, për paketën e zgjerimit të bllokut evropian.
Pritet që më vonë gjatë ditës në këtë takim të miratohen edhe konkluzionet, ndonëse ka pasur paralajmërime se ato nuk do të kalojnë, pasi Hungaria ka paralajmëruar se do t’i bllokojë me veto.
Por, në versionet e fundit të draftit të konkluzioneve janë hequr rekomandimet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe i është lënë Këshillit Evropian, i cili takohet të enjten dhe të premten, që të vendosë për një hap të tillë.
Hungaria ka kërkuar që ky vendim për Ukrainën të hiqet tërësisht nga rendi i ditës, pasi nuk ka konsensus mes vendeve anëtare, ndonëse të 26 vendet tjera anëtare janë të gatshme të marrin një vendim të tillë.
Në konkluzionet e përgatitura për takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, BE-ja do të përsërisë përkushtimin për zgjerim, si një proces gjeostrategjik të rëndësishëm për forcimin e paqes në Evropë.
Ajo do t’iu bëjë ftesë të gjitha vendeve të përfshira në këtë proces që të vazhdojnë procesin e reformave të nevojshme për të përparuar në këtë proces, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit.
Pjesa për Kosovën
Në pjesën e konkluzioneve, ku flitet për Kosovën, Këshilli i BE-së do të ftojë Kosovën që të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që mirëpret hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që do të nisë më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Pjesa më e madhe e konkluzioneve, që i kushtohet Kosovës, ka të bëjë me situatën e sigurisë në veri dhe me dialogun me Serbinë.
Këto porosi janë edhe në pjesën e konkluzioneve për Serbinë.
“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në tekst.
Këshilli do të dënojë ashpër “sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023. Zgjedhjet e reja në veri të Kosovës duhet të zhvillohen sa më parë që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në to pa asnjë parakusht. Serbët e Kosovës, po ashtu, duhet të kthehen në institucionet nga të cilat janë larguar. Kjo duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia”, thuhet në këtë draft.
Sa u përket masave, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës, të cilat janë arsyetuar me “mungesën e hapave të vendosur për të shtensionuar situatën në veri”, shprehet gatishmëria që ato masa të hiqen, në rast se do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave.
“Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që të heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet në tekst.
Këshilli, edhe përmes këtyre përfundimeve, do të përsërisë se nuk ka justifikim për dhunën, dhe do të dënojë sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator.
“Këshilli nënvizon përmirësimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it lidhur me këtë sulm. Këshilli mirëpret forcimin e pranisë së KFOR-it, posaçërisht në vijën kufitare/administrative mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në tekst dhe i bëhet thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që të përmbahen nga retorika nxitëse.
Rikujtohet se BE-ja mund të ndërmarrë masa edhe ndaj Kosovës edhe ndaj Serbisë, në rast se nuk përmbahen nga nxitja e tensioneve.
“Këshilli pret nga Kosova dhe Serbia që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila do të garantonte siguri dhe demokraci përfaqësuese për të gjithë qytetarët”, thuhet në tekst.
“Këshilli kërkon nga Kosova që të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, “me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën, për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa tjera. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kyçe të hapura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin e rajonit“, thuhet në këtë dokument, dhe rikujtohet se të dyja palët do të rrezikojnë rrugëtimin e tyre evropian, në rast se nuk e shfrytëzojnë këtë rast.
Këshilli do të shprehë keqardhje për mungesën e implementimit nga të dyja palët të Marrëveshjes dhe aneksit për zbatimin e saj, sikur edhe çështjeve tjera të arritura në dialog.
“Kërkojmë nga Kosova që në tërësi dhe pa vonesa tjera t’i implementojë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draftin e paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, që nënkupton se puna e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”, thuhet në tekst.
Këshilli do ta ftojë Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, që të plotësojë agjendën për takimin e radhës të Grupit Special për Normalizim, për të marrë parasysh obligimet e Kosovës që dalin nga Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit.
Kosova do të ftohet urgjentisht, dhe në mënyrë konstruktive, të angazhohet në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal dhe të respektojë obligimet nga Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, përfshirë edhe duke hequr vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.
Këshilli i BE-së do të përshëndesë orientimin e qartë gjeostrategjik të Kosovës, që është dëshmuar edhe përmes dënimit të ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe përshtatjen vullnetare të qëndrimeve të saj në politiken e jashtme me ato të Bashkimit Evropian.
Drafti i konkluzioneve përmban edhe thirrjen që Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë që, sa më parë, më së voni deri në janar të vitit 2024, të bëjë propozimin për ndryshimin e kritereve të kornizës negociuese të Serbisë, për të përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si kusht.
Pikërisht përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën, në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të BE-së si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel, më 27 shkurt, dhe aneksi i implementimit në Ohër, të bëhen, siç thonë në BE, “ligjërisht obliguese“.
Por, deri më tani, korniza e negociatave nuk është ndryshuar formalisht./REL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al