S’ka gol në Prilep, Shqipëria barazon 0-0 miqësoren me Maqedoninë

Nov 15, 2011 | 15:10
SHPËRNDAJE

Thuajse një vit më pas, kuqezinjtë tanë i kanë kthyer vizitën kombëtares maqedonase, në një miqësore. Nëse më 17 nëntor 2010, luhej në qytetin e Korcës, ku të dyja kombëtaret ndaheshin në paqe, në barazimin e bardhë 0-0, këtë herë është luajtur në Prilep, në një fushë shumë të keqe, ku lojtarët e të dyja skuadrave e kanë pasur të vështirë të shpalosin arsenalin e vet më të mirë. Edhe nga ky factor, goli nuk ka dalë në dritë, duke u “fotokpojuar” barazimi 0-0, në miqësoren e kthimit.
Trajneri provizor për dy miqësoret e nëntorit, Xhemal Mustedanagic, ish-ndihmësi i Josip Kuzhes në krye të kuqezinjve, e ka nisur sfidën me Maqedoninë me një ndryshim në formacion, në krahasim me miqësoren paraardhëse në “Qemal Stafa”, të humbur 1-0 ndaj Azerbajxhanit. Duke qenë se shtatlarti rekordmen i golave me fanellën kuqezi, Erion Bogdani, nuk udhëtoi fare me kombëtaren në shtetin fqinj, Mustedanagic ka preferuar të hedhë në fushë Emiliano Vilën. Kësisoji, reparti ofensiv i kombëtares sonë, në fillim të kësaj miqësoreje të luajtur në Prilep, i është besuar Hamdi Salihit të vetëm. Një zgjidhje kjo, për të përforcuar mesfushën dhe për të mos pësuar gol. E cila ka rezultuar e suksesshme, pasi bardhësia e shifrave të fillimit të lojës ka mbetur e pandryshuar. Kuptohet, me njëfarë epërsie territoriale të maqedonasve, në pjesën e parë, por pa ndonjë gjë evidente konkrete, me përjashtim të një goli të anuluar me të drejtë nga gjyqtari slloven i ndeshjes, për një faull ndaj një mbrojtësi tonë. Sa i takon kronikës së pjesës së parë, vlen të theksohet dëmtimi i Elis Bakajt, në minutën e 35-të, i cili u zëvendësua nga kosovari i Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi. I pashpjegueshëm zëvendësimi sërish i këtij lojtari nga Mustedanagic, në dhjetë minutëshin e fundit të ndeshjes. Pjesa e dytë ka qenë nën komandën e kuqezinjve tanë, që e kanë spostuar lojën më së shumti në gjysmëfushën e vendësve, aty ku kanë ushtruar presion, por pa qenë të qartë në konkludim. Kjo, sa për meritë të prapavijës maqedonase, aq edhe për mefshtësi të sulmuesve tanë. Në këtë fraksion të lojës trajnerët respektivë bëjnë zëvendësime, ku për tanët nis gjithcka me minutën e 46-të, ku Muzaka i zë vendin Roshit, për të vijuar më tej me rrokadën e Salihit me Kapllanin, të Januzit me G.Likën, të Hykës me Sabien Lilajn dhe në ekstremin e miqësores, sa për të vonuar lojën, të Vilës me Veliun. Në pjesën e dytë mund të nënvizohet minuta e 70-të, kur kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ka ekzekutuar bukur një goditje dënimi, e cila e ka vënë në vështirësi portierin maqedonas, që s’e zotëron dot topin, por rreziku largohet me ndihmën e mbrojtjësve vendës. Sidoqoftë, nuk ishte e thënë që të shënohej një gol edhe në këtë miqësore, e cila është mbyllur në barazim 0-0, si para një viti në Korcë. Ndryshe nga miqësorja me Azerbajxhanin, para katër ditësh, kombëtarja jonë është shfaqur më e plotë, ka pasur me tepër lëvizshmëri dhe grintë, më shumë siguri në mbrojtje, ndërsa të ashtuquajturit kandidatë për fanellën kuqezi, kanë pasur “një marsh” më tepër, si për të thënë se nga ndeshja në ndeshje ata do të kompensojnë të larguarit, veteranët kuqezinj.

Shqipëria luajti me këtë formacion:
Hidi, A.Lila, Dallku, Teli, Agolli, Roshi (Muzaka 46’), Cana, Hyka (S.Lilaj 84’), Bakaj (Januzi 35’) (G.Lika 84’), Vila (Veliu 90’), Salihi (Kapllani 55’).
Trajner. Xh.Musetdanagic

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura