Rebelimi i Zhapokikës dhe fundi i kryengritjeve me armë! Revolta e parë antikomuniste në vend synoi rrëzimin e diktaturës! Postriba, shtypja me pasoja të përgjakshme

Sep 11, 2023 | 12:52
SHPËRNDAJE

Në mbarë Europën, revolta e parë antikomuniste njihet ajo e vitit 1956 në Hungari, e cila bëri jehonë në të gjithë kampin socialist. Por shumë studentë dhe qytetarë nuk janë ende të informuar me lëvizjet antikomuniste të zhvilluara në Shqipëri, të cilat datojnë 10 vjet para protestës hungareze, megjithëse në përmasa jo aq të mëdha.

kryengritjet antikomuniste

Qëndresa e armatosur e Kelmendit dhe Malësisë së Madhe, ndryshe nga revoltat e tjera, zgjati për një kohë mjaft të gjatë për t’u shpërfillur. Prijësit e malësorëve ishin heronjtë Prenk Cali e Llesh Marashi, dy burra të vjetër patriotë që kanë luftuar kundër pushtimeve malazeze. Qëndresa në Malësinë e Madhe zgjati një muaj e gjysmë, prej 3 janarit 1945 dhe deri në 16 shkurt 1945, kur prijësi i kryengritjes, Preng Cali, u rrethua dhe u kap me bashkëluftëtarët e vet të Kelmendit në shpellën e Vuklit. Luftime të përgjakshme u zhvilluan në betejën e Tamarës, janar 1945, në Brojë, Bajzë, Shkrel, Koplik e gjetkë. Fundi logjik i rezistencës së Kryengritjes është rrethi vicioz ku u futën luftëtarët vendas: ata më në fund nuk u thyen ballëpërballë, por pas shpinë, pasi Armata e pushtetit komunist, në akord me qeverinë jugosllave shfrytëzoi terrenin malazez për të shtypur bashkëqytetarët e vet.

Rebelimi i Zhapokikës (Fshat në komunën Tërpan të Beratit) më 1948, megjithëse duket më minor e më lokal, krahasuar me Kelmendin dhe Postribën, ka një rëndësi të madhe, sepse ka prodhuar po aq pasoja tragjike pas konfrontimit me armë me forcat e policisë së shtetit, me të vrarë e të pushkatuar, me gjyqe e të dënuar me vdekje. Ky rebelim konsistonte në një çetë të organizuar kryengritësish me një strukturë të brëndshme organizmi, që synonte për t’u shtrirë e për t`u lidhur me pjesë të tjera të Jugut. Rebelimi i Zhapokikës është një tjetër dëshmi, se komunizmi është kundërshtuar me armë, jo vetëm në Veri, por edhe në Jug. Me shtypjen e lëvizjes së Zhapokikës, u mbyll kapitulli i kryengritjeve me armë kundër pushtetit komunist në Shqipëri dhe nisi periudha e gjatë e nënshtrimit, persekutimit, varfërimit dhe izolimit të tejskajshëm të popullit e të vendit tonë.

LËVIZJA

Lëvizja e armatosur e Zhapokikës, në jug të vendit, u organizua në shtator-tetor 1948, si një kryengritje antikomuniste e banorëve të zonës, ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe përpjekje e qartë kundër regjimit diktatorial. Ishte ndër lëvizjet e para të forta antikomuniste në Jug të vendit, me organizim të mirë, ideale të forta, betim para flamurit dhe vendosmëri kundër pushtetit komunist. Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, ish-partizan, me arsim fillor, i martuar me dy fëmijë, i ri 30-vjeçar. Burrat që morën armët dhe iu bashkuan atij, ishin të moshës mesatare 40 vjeç, burra të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës, me barrën e dy luftërave botërore mbi shpinë. Frymëzimin nuk e kishin nga elementë të veçantë, por të gjithë anëtarët e çetës rreth 25 persona ishin bujq, me arsim të ulët, e madje të paarsimuar fare. Dolën kundër sistemit komunist, kur e kuptuan se do u tjetërsohej prona, do u nëpërkëmbnin zakonet dhe do u godisnin besimin. Në vjeshtën e vitit 1948, nisi organizimi dhe sulmi ndaj pushtetit komunist. Pakënaqësitë ishin shtuar disa muaj më parë, kur nga kjo zonë, ishin vrarë personalitete të respektuar të krahinës së Zhapokikës. Sistemi komunist kishte pushkatuar Zenel Shehun, ish-komisar batalioni, Syrja Vasjarin, intelektual që kishte studiuar në Francë, Babain bektashi Shevqet Mahmutajn, atë Gjergj Sulin, prifti i fshatit Lekël dhe Baba Ali Tomorrin. Katër prej tyre u pushkatuan në Gjirokastër, më 14 janar 1948. Të nxitur edhe nga këto krime të hapura, pas disa mbledhjesh në fshehtësi, shtabi e komanda zgjidhen me votim më 28 shtator 1948: komisar politik Xhemal Brahimi, komandant Bajram Kamberi, nënkomandant Mehmet Yzeiri, Salo Kaso anëtar shtabi, Sefer Yzeiri caktohet kryetar i skuadrës së atentatorëve me emrin “Dora e zezë”.

Detyra e çetës ishte: “Të luftojë me armë qeverinë, të vihet në lidhje me çeta të tjera derisa në Shqipëri të krijohet një qeveri nacionaliste, demokratike”. Mes luftëtarësh ishin njerëz të njohur me personalitet në zonë, nga familje të shquara. Sikurse pranohet edhe më vonë nga sistemi komunist, kjo çetë antikomuniste nuk kishte frymëzim apo organizim nga jashtë. Ishte një rebelim i brendshëm, kundër pushtetit komunist. Gjithashtu, kjo krahinë kishte jetuar gati në “pavarësi” edhe nga qeveritë e mëparshme dhe si “pushtet” kishte organizimin e brendshëm. Të 25 kryengritësit e identifikuar ishin: 13 nga fshati Zhapokikë, 7 nga fshati Luftinjë, 3 nga fshati Kamçisht dhe 2 nga Salaria. Çeta kryengritëse erdhi duke u rritur, ndërkohë që krijoi një shqetësim të madh në qeveri. Raportet e Sigurimit të Shtetit për Tepelenën, si edhe të dhënat për kryengritësit, e tregojnë këtë shqetësim, por edhe angazhimin e plotë të pushtetit për ta shtypur, në mënyrë të veçantë forcat policore dhe ushtarake të Tepelenës dhe Beratit. Në datën 2 tetor 1948, çeta ra në luftim në fshatin Kamçisht me forcat e Sigurimit e të policisë, që kishin ndaluar tre nga kryengritësit e këtij fshati. Çeta i liroi të ndaluarit, pasi sprapsi forcat qeveritare, duke qëlluar në ajër. Ndërkohë, çeta kapi dy fshatarët spiunë, që kishin kallëzuar bashkëfshatarët e tyre dhe i kërcënoi me vrasje, por gjithsesi i lanë të lirë, pavarësisht tradhtisë ndaj bashkëfshatarëve. Çeta ishte gjithnjë në survejimin dhe ndjekjen e Sigurimit dhe të ushtrisë së Tepelenës dhe asaj që kishte ardhur nga rrethi i Beratit. Për t’i shpëtuar asgjësimit, çeta çau rrethimin në Plashnik e Molisht dhe mori drejtimin e Beratit, po në Gllavë u rrethua sërish.

Në përpjekjen me armë të datës 8 tetor 1948, u vranë dy policë të forcave qeveritare, nga ana tjetër nënkomandanti i çetës kryengritëse Mehmet Yzeiri, si dhe anëtari i shtabit të saj, Salo Kaso. Në këtë luftim, forcat kryengritëse u shpërbënë. Disa kryengritës u dorëzuan vullnetarisht, disa u arrestuan dhe të tjerë morën arratinë, por u kapën dhe u asgjësuan. Shaqo Limja dhe Sefer Yzeiri rezistuan më gjatë. I fundit, Bajram Kamberi, u arrestua pas disa rrethimeve në muajin janar 1949. U vra edhe vëllai i tij, Safer Kamberi, njëri ndër organizatorët e kryengritjes. Kryengritësit dhe mbështetësit e tyre u burgosën dhe u gjykuan nga gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës. Prokurori ushtarak Mustafa Beqo i akuzoi në grup (akuzë kolektive) për faje kundër shtetit dhe popullit. Kanë marrë pjesë në bandën kriminale terroriste të Tepelenës. Kanë bërë propagandë kundër pushtetit popullor dhe kanë paraqitur gjendjen e brendshme kritike dhe rrëzimin e shpejtë të saj. Kanë propaganduar ngritjen e një qeverie nacionale me ndihmën e imperializmit anglo-amerikan. “Dënimet mbështeteshin sipas prokurorit në ligjin famëkeq nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kontra popullit dhe shtetit”.

Ky vendim përgjithësisht (për dënimet me heqje lirie) u la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë prej Bilbil Klosit, Sotir Spiros dhe Nonda Papulit, duke pasur pranë prokurorin Bexhet Mema, me vendimin nr.77, datë 6.7.1949. Por menjëherë pas vendimit, kryetari Bilbil Klosi i shkruan më 8.7.1949 Presidiumit të Kuvendit Popullor për çështjen e faljes ose jo të 7 të dënuarve me vdekje. Në këtë letër, Klosi shprehej se të dënuarit të dytë të procesit të Zhapokikës, mund t’i falje jeta. Kështu duhet të ketë ndodhur, pasi nuk rezulton që i dënuari i dytë të jetë pushkatuar”. Më 21.7.1949 është kryer ekzekutimi i dënimit me vdekje të të dënuarit Bajram Kamber Ahmetaj. Ai thotë: “Për toger Xhezo Makashin, dëgjova rojet e burgut të thoshin e vrau kush e vrau, u mbeti këtyre”. Bajrami kërkonte që pushteti të mos hakmerrej mbi fëmijët e tyre, që kufomën e tij mund t’ia çonin familjes etj. Në fund ai e mbyll jetën me fjalët kuptimplotë “Rroftë Shqipëria”. “Drejtuesi kryesor i lëvizjes, Xhemal Brahimi mundi të arratisej nga Shqipëria, fillimisht në Greqi e më pas në SHBA. Ai ishte shumë herë pranë kufijve të Shqipërisë pa mundur të realizojë ëndrrën, rrëzimin e regjimit komunist. Ndërsa shefi i sigurimit të Tepelenës, Xhezo Makashi (1920-1948) me vendimin nr.65, datë 2.10.1971, u shpall dëshmor”.

Kryengritja e Postribës, nxitja e revoltës dhe shtypja me pasoja të përgjakshme

Më 9 shtator 1946, pikërisht 77 vite më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend. Kanë kaluar 77 vite nga Kryengritja Antikomuniste e Postribës dhe ajo vazhdon të përkujtohet si një nga ngjarjet e rëndësishme e qëndresës antikomuniste të shqiptarëve.

Zona e Shkodrës kishte filluar organizimin për një rezistencë antikomuniste me shpresën se do të kthehej në një kryengritje të madhe popullore. Në pjesën më veriore të vendit, komunizmi ende nuk kishte lëshuar rrënjë dhe qëndronte dobët.

Në Postribë filloi të organizohej një lëvizje e nxitur kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Kryengritja e Postribës, e ideua nga Jup Kazazi dhe me në krye prijësin Osman Haxhia. Ndryshe nga kryengritja e Kelmendit kjo ishte më strategjike dhe më vizionare sepse kishte premisat strategjike për t`u shtrirë si kryengritje e përgjithshme nga Veriu në Jug dhe gjithnjë me shpresë në pritje të ndërhyrjes anglo-amerikane. Pra një kryengritje moderne e mirëstudiuar e cila do të sillte rrëzimin e diktaturës. Kryengritësit sulmuan Shkodrën, për të liruar të burgosurit politikë, për të marrë armë në kazermat e ushtrisë dhe për të ngritur Shkodrën dhe krejt veriun e Shqipërisë në kryengritje të përgjithshme kundër regjimit komunist. dhe kjo revoltë u shtyp nga makina ushtarake dhe pasojat ishin të përgjakshme. Me qindra qytetarë të Shkodrës e të Postribës u pushkatuan pa gjyq, shtëpitë e tyre u dogjën, me mijëra të tjerë u mbyllën në 26 burgjet e Shkodrës (edhe kishat ishin kthyer ne burgje), çdo ditë zhvilloheshin dy-tri gjyqe ushtarake, çdo ditë internoheshin familjet e tyre në kampet e internimeve.

NXITJA

Lëvizja qendrestare ishte e nxitur kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe të banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, u mbajt një mbledhje në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër dhe në fshatrat rreth saj. Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm dhe do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë.

Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta. Osman Haxhia, u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar dokumente për këtë ngjarje historike, ku paraqitet një raport i Komitetit Qendror të Partisë mbi kryengritjen e Postribës. Në foto shfaqen anëtarë të çetave të Ballit Kombëtar, ndër ta edhe Jup Kazazi, një nga drejtuesit kryesorë të kësaj lëvizjeje.

KUJTESA

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” kujton se që nga ajo periudhë nisën reprezaljet më çnjerëzore. Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, për Kryengritjen e Postribës njihen disa procese të shkëputura nga njëra-tjetra. Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës. Për 9 të pandehurit: Dulo Kali, Mons.Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta u dha dënimi me vdekje. Për të pandehurit: Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani u dha burgim i përjetshëm. Për të pandehurit: Syrja Anamali e Nuh Duli denimi me 20 vjet privim lirie. Për të pandehurit: Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa u dha dënimi me 15 vjet privim lirie. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave një vit më parë ofroi foto të një raporti të Komitetit Qendror të Partisë mbi kryengritjen e Postribës si dhe një foto ku shfaqen anëtarë të çetave të Ballit Kombëtar, ndër ta edhe Jup Kazazi, një nga drejtuesit kryesorë të kësaj lëvizjeje.

Kryengritja e Postribës e shtatorit të vitit 1946 nuk ja arriti qëllimit dhe u shtyp me dhunë nga diktatura e sapovendosur në Shqipëri. Megjithatë, ajo mbetet një simbol i qëndresës kundër komunizmit. Për këtë, Postriba është nderuar me urdhrin e lartë “Nderi Kombit”. Më 9 shtator të vitit 1946, banorët e Postribës dhe rrethinave, të pakënaqur me vendosjen e regjimit komunist, sulmuan kazermat e ushtrisë dhe burgun e Shkodrës, me qëllim lirimin e të burgosurve politikë. Revolta e tyre u shtyp me dhunë dhe 9 prej kryengritësve u dënuan me vdekje, 4 të tjerë me burgim të përjetshëm, ndërsa 6 kryengritës u dënuan me nga 15-20 vite burgim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura