Rasti Tom Doshi dhe sindromi Pjerin Kçira

Mar 4, 2015 | 11:49
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

   Deklaratat e bujshme të Tom Doshit, përjashtimi i tij nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe mbi të gjitha akuza që ai ngriti për një atentat ndaj tij, rrëfimi për një video dëshmi që lidhet me këtë ndodhi, janë ngjarje që kanë marrë vëmendje maksimale nga opinioni publik. Tensionimi dhe pështjellimi i madh që kanë shkaktuar të gjitha bashkë në gjuhën e politikes dhe panelet televizive, na shtyn te mendojmë se jemi përballë një situate mjaft delikate dhe me pasoja afatgjata.
Në këtë histori ka shumë për të komentuar dhe hamendësuar, por personalisht përshtypje të madhe më ka bërë menaxhimi mediatik nga  ana e Kryeministrit qysh kur deputeti Doshi bëri deklaratën, në të cilën shpalli se nuk ka paqe mes tij dhe Edi Ramës. Në luftën politike parimi makiavelik se “qëllimi justifikon mjetin” është themelor në strategjinë e shefit dhe shefave të qeverive.
Së pari, ai menjëherë aktivizoi të njëjtët për të “demitizuar” Doshin, pikërisht ata që e kanë mbrojtur me dell patetik ndaj të gjitha sulmeve të ish-maxhorancës dhe opozitës së sotme. Pak a shumë si njerëz që janë ulur mbi vezë, ata filluan të driblojnë duke transformuar në ves atë që deri dje ia njihnin për virtyt. Të ngjan se agjitpropi i viteve ’70, kohë e mbushur me grupe “armiqësore” ku bashkëpunëtoret e diktatorit me gjokset plot dekorata, të lëvduar e të respektuar papritmas shndërrohen në armiq, në djaj, të zinj si dreqër, brez pas brezi të tillë.
Gjithashtu janë shfaqur edhe disa nuanca gegofobe, duke ditur se Partia Socialiste habitatin e saj ideologjik dhe social e ka në jug të vendit, duke përfituar edhe nga akuzat e Doshit “për financime vetëm në jug” nga ana e qeverisë. Po ashtu, pas dhjetë vitesh në këtë parti, këtij deputeti po i kujtohet origjina e djathtë, të pushkatuarit dhe të persekutuarit nga regjimi komunist si kujtim që trazon bashkëjetesën me të majtët në funksion të ndarjes me këtë familje politike.
Nuanca tejet të shëmtuara janë ato të cilat në kafenetë e Tiranës artikulohen si “teza qytetërimore” të nxitura nga rasti Doshi kundër “malokëve” si veshje emocionale për të frymëzuar dhe siguruar militantet dhe bazën “qytetare” të maxhorancës.
Një frymë e tillë me pasoja tragjike për vendin, si mekanizëm ndasish dhe paragjykimesh, është futur nga Enver Hoxha në ditën kur e shpalli veriun reaksionar dhe dërgoi atje divizionet e luftës civile për ta përgjakur. Ky leksion makabër i rikthehet politikes shqiptare herë pas here, por sa herë ndodh, bëjmë një prapakthehu me pasoja të rënda në histori.
Pikërisht është historia ajo që na jep mundësinë të ndërtojmë analogji, për të nxënë prej saj apo thjesht për ta përsëritur në segmentet e saj më të errëta. Ndoshta nuk janë të shumtë sot ata që e dinë se kush ishte Pjerin Kçira! Mbase ca më tepër ata që e dinë episodin e “armëve në Kishë” në vitin 1945 për të goditur klerin katolik si organizator të kryengritjes antikomuniste. Sigurisht kleri prokomunist nuk ka qenë kurrë, por ato armë i futi aty Sigurimi i Shtetit dhe njëri nga dorasët ose kallauzët ishte oficeri i këtij organi, Pjerin Kçira, një shkodran i lidhur herët me lëvizjen komuniste.
Por duhej zhdukur si dëshmitar dhe një ditë të bukur shpallet për ironi të fatit edhe ai tradhtar e bashkëpunëtor i klerit dhe në momentin e gjyqit ai para të gjithë qytetarëve shkodranë dëshmon të vërtetën si akt rrëfimi kur thotë “armët në kishë i ka futur Sigurimi i Shtetit për të justifikuar terrorin ndaj Kishës Katolike. Unë isha njëri prej tyre”.
“Sindromi” Pjerin Kçira në prolog ka pushtuar gjithë këto ditë disa deputetë socialistë kundër Tom Doshit, pra të gjithë nga pak “po fusin armë në Kishë” sikur i ka futur Toma, me shpresën se do të zënë vendin e tij pranë kryetarit të lënduar, me shpresën se do të rizgjidhen, me shpresën se në Shkodër do të dalin prej hijes dhe namit të tij, duke lënë mënjanë thelbin e problemeve që ka ngritur deputeti me origjinë nga Kelmendi i Malësisë së Madhe, duke i mëshuar “etikës politike” si kampionë të saj. Në epilog, druaj se historia do përsëritet si komedi.
Tom Doshi nuk më rezulton një individ as shoqëror, as politik rastësor, meqenëse kam qëlluar i apasionuar pas historisë. Personazhet e “Lahutës së Malcis’”, luftëtarë të pavarësisë kombëtare si Turk Shabi e Uc Turku, janë të familjes së tij. Di gjithashtu që Prek Cali, Dedë Shabani, Kir Dul Doshi, Dom Mark Hasi, heronj pa ndoshta e sikur të rezistencës antikomuniste, janë po të rrethit të tij familjar. Këtu mbase duhet kërkuar edhe mbështetja që ka pasur Tom Doshi gjatë këtyre viteve, te simbolika e familjes, të cilën ia ka dhënë në pjatë Edi Ramës e, me sa duket, është boll i penduar (E di këtë kontekst, sepse edhe vetë origjinën e kam nga Malësia e Madhe, një zonë që nuk njihet për kompromise amorale, qëndresa është karakteristike e saj. Bëmat e atyre emrave na rrëfeheshin netëve të dimrit. Për këtë zonë duhen pyetur gjithë ata që gjyshërit i kanë pasur osmanlinj e terroristë komunistë se kanë kujtime të pashlyeshme prej atyre maleve).
Në Tiranë sot, këta emra mund të shkaktojnë buzëqeshje kulisash, grimasa skuthash e asgjë tjetër si shumë vlera të tjera kombëtare, por një shprehje thotë që gjaku nuk bëhet ujë. U nxita ta shkruaja këtë  përshtypje personale nga shkrimi i djeshëm i mikut dhe kolegut Mark Marku, të cilit i bashkohem se në këtë vend dënohen vetëm “armiqtë” sipas mentalitetit hoxhist që nuk i ikim dot, sado që duam, ndaj edhe Toma “gjykohet” pa votim me një fjalim për fajin e vetëm se “ka futur armët në kishën” e Partisë Socialiste, kështu po thonë edhe kolegët e tij me një të shkelur syri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura