“Pse nuk zbehet shkëlqimi i kulturës greke”/ Origjina 6000-vjeçare e gjuhës shqipe dhe kyçi i enigmës! Astrit Gjunkshi flet me “Hirushja Pellazge”

Aug 23, 2023 | 10:39
SHPËRNDAJE

“Hirushja Pellazge”HALIL RAMA
MJESHTËR I MADH

Ky roman merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se subjekti i tij dhe zhvillimi i ngjarjeve në të, janë në unison me zhvillimet e fundit të shkencës ndërkombëtare, e cila njohu zyrtarisht origjinën 6000-vjeçare të gjuhës shqipe, si një ndër tri gjuhët më të vjetra indo-evropiane.

Autori ka meritën se në ligjërimin e tij estetikoshkencor arrin në përfundimin se sqarimi i enigmës pellazge nuk ka të bëjë me zbehjen e shkëlqimit të kulturës greke.

“Gjuha shqipe është fosile e gjallë e gjuhës pellazge”. Ky përcaktim i gjuhëtarit të shquar Mathieu Aref, si dhe referencat nga libra kushtuar studimeve iliro-pellazge të autorëve të njohur si: Aristidh Kola, Petro Zheji, Zahari Majani, Giuseppe Catapano, Nermin bej Vlora Falaski, Sulejman Mato, Elena Kocaqi, Louis Benloeë, Patrick Colquhoum & Pashko Vasa etj, shërbyen si indicje për poetin, prozatorin dhe studiuesin Astrit Gjunkshi, për të shkruar dhe botuar romanin “Hirushja pellazge”. Është ky një roman, subjekti i të cilit nis me aktin genocidial të pushkatimit nga nazistët gjermanë me 1944 të prindërve të një prej personazheve kryesorë, Lidias kur ajo dhe vëllai i saj binjak Lision ishin vetëm katër vjeç, ndërsa motra më e vogël e tyre Ulisa tri vjeçe. Në shpirtin e Lidias,- shkruan autori në fillim të romanit (fq.13), përziheshin gëzimi i familjes që kishte krijuar me të shoqin (Panajotis Zingas) dhe vajzën e tyre Melisa, që tashmë ishte në klasën e pestë, me kujtimet e hidhura dhe enigmat e fëmijërisë dhe të familjes ku ajo kishte lindur. Por, do të ishte pikërisht Melisa, ajo që do të zbardhte këto enigma, falë zgjurasisë, bukurisë fizike e shpirtërore (që autori i përshkruan aq bukur me një gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante) dhe këmbëngulja e saj për ta bashkuar domosdoshmërisht atë familje të shpërbërë që para gjashtë dekadash. Asaj i ishin ngulitur në memorie kujtimet e hidhura të së jëmës kur gjermanët ua pushkatuan para syve prindërit, vetëm e vetëm se ata kishin strehuar një familje hebreje. Nga këtu nis dhe fati i hidhur i tre fëmijëve të mbetur jetimë, të cilët në këto kushte do të birësoheshin nga të tjerë për t’u ritakuar pas 64 vitesh. Ribashkimin e Lidias me vëlla Lisionin e motrën Ulisa autori e sjell aq këndshëm e bindshëm në roman, duke përshkruar angazhimin e Melisës në organizimin e Konferencës Shkencore për trashëgiminë e qytetërimit pellazg dhe për sensibilizimin e njerëzve me mendje të hapur, që të njohin e pranojnë të vërtetat që po fshihen qëllimisht prej kohësh, konferencë kjo që do të mbahej në Athinë.

SUBJEKT I NDËRTUAR MBI RASTËSITË

Autori ka meritën që nëpërmjet fantazisë dhe ndërtimit të trillit artistik sjell raste të rastësisë për zbulimin e enigmave, ribashkimin e familjes Lisi pas 64 vitesh dhe angazhimin për të arritur suksesin në organizimin e Konferencës Shkencore, ku do të evidentohej gjuha shqipe si kyçi i zgjidhjes së enigmës pellazge. Fillimisht do të ishte Besiani, i cili pas studimeve të doktoraturës në Universitetin e Harvardit, duke njohur nga afër padrejtësinë që i është bërë qytetërimit dhe gjuhës pellazge, nga ata që i quajnë të zhdukura, kishte përcaktuar si temë studimore: “Përfitime të Zgjidhjes së Enigmmës Pellazgjike për Çështje të Sigurisë”. Këtu, është sërish meritë e autorit që sjell si rastësi Profesor Ethanin si udhëheqës të temës së Besianit. Është po rastësia që e bën romanin tërheqës dhe interesant kur në të zbulohet fakti që pikërisht profesor Ethani – biri i familjes hebreje të strehuar nga Bardi, siç e thërrisnin babanë e tyre, paskësh qenë miku i Lidias, Lisionit e Ulisës, kur para 64 vitesh, kishin mbetur para portës së shtëpisë të braktisur, të nxirë nga tymi e bloza që përzihej me lotët e tyre….Ata qenë të vegjël 3-4 vjeçarë kur u ndanë si zogjtë nga foleja e tyre dhe s’kishin si të mbanin mend as vendndodhjen e shtëpisë së prindërve dhe as emrin e mbiemrin e saktë të tyre. Por sërish autori përdor rastësinë për të zbuluar edhe këtë enigmë. Është Besiani, i takuar rastësisht me Melisën, që pas një vizite në shtëpinë e saj, nga një jelek me copë të kuqe dhe disa gjethe pemësh, që nëna e saj ja kishte qëndisur që kur ishte fëmijë, do të zbulonte se ato ishin gjethe lisi, gjethet që fëshfërinin te Dodona pellazge, në malin e Tomorrit në Shqipëri. “Besiani filloj të zbulojë aq sa mundej ato që i dukeshin si pjesë shkronjash të gjelbra dhe filloi t’i lexojë me vështirësi, një nga një: ‘Z…e…l…d…a Li…s..i – Zelda Lisi, ky duhet të jetë emri i nënës suaj. Dhe mbiemri i familjes është Lisi, nënë Lidia, ashtu si emri që kanë edhe këto gjethe…”. (fq.88). U zbulua kështu një nga enigmat që i brente prej kohësh dy nga personazhet më ndërveprues të këtij romani, Lidias dhe vajzës së saj Melisa, që pas studimesh do të ishte një nga arkitektet më famoze të Athinës. Më pas vjen rastësia tjetër, dy fëmijët e Besianit dhe Melisës, Dritori dhe Andra, miq të ngushtë, në të njëjtën klasë të së njëjtës shkollë…, vrojtimi i milingonave (një gjetje interesante kjo e autorit, me të cilat Lidia, Lisioni, Ulisa e Ethani kishin lozuar që kur ishin fëmijë te shtëpia që pasi ishin rritur s’ e gjenin dot), që gjatë vizitës te Akropoli i famshëm i Athinës, do t’i kushtonin frakturë Andrës…

GJUHA GREKE MUND TË ZBULOJË FJALË TË SHQIPES NË ETIMOLOGJINË E SAJ

Gjithsesi, pjesa dërmuese e subjektit të këtij romani është ndërveprimi i personazheve për organizimin e Konferencës Shkencore për gjetjen e të vërtetës për gjithë familjen pellazge. Kjo sipas autorit Dr.Gjunkshi edhe për faktin se “…në shekujt 5-të deri 3-të të lulëzimit të kulturës helene, nuk munguan edhe ndërhyrjet politike për të tejkaluar çdo pengesë dhe kontradiktë që dilte, midis asaj që ishte trashëguar në Greqi dhe asaj që pretendohej se ishte parahelene”. Këto kontradikta, – shkruan autori (fq.105) shfaqen, duke filluar me “Iliadën” e Homerit në të cilën, përshkrimi i Luftës së Trojës së shekullit të 12-të para erës sonë paraqet, në fakt, ngjarje që lidhen me pushtimet fenikase për të përzënë pellazgët nga këto troje…. Në këtë kontekst, autori vë në gojën e Dr.Besianit argumente të tezës së tij se: “…duke qenë me rrënjë pellazge, gjuha greke mund të zbulojë shpejt fjalë të shqipes në etimologjinë e saj, të cilat konservojnë shumë besnikërisht pellazgjishten, sepse janë fosilja më e qëndrueshme e saj”.

Po në këtë kontekst jepet në këtë roman edhe angazhimi i Melisës në projektin e Besianit për nxjerrjen në dritë të thesarit të gjuhës pellazge si dhe trashëgimtares se saj më të drejtpërdrejtë, gjuhës shqipe. Madje, kundërshtitë e bashkëshortit Janis për angazhimin e saj në këtë projekt (për të cilin Melisa shprehet se “nuk do të isha lidhur kurrë me të po ta dija se ishte kaq narcizist”), autori i shpreh mjaftë bukur artistikisht, deri në divorcin e tyre. Këtu autori shtjellon mjaftë bukur edhe konceptin për familjen, duke e vënë atë në gojën e Melisës që e konsideronte shumë të shenjtë. Dhe duke vijuar në këtë linjë (fq.128) romancieri Gjunkshi shpjegon nëpërmjet fjalës artistike edhe filozofinë e dashurisë. “Në veçanti, tani që e kishte ndjerë dashurinë për Besianin, ajo e kuptoi se ç’do të thotë dashuri. Kishte kuptuar se ajo nuk kishte ndjerë ndonjëherë dashuri për Janis. Ajo që kishte kujtuar se kishte qenë dashuri, në fakt kishte qenë një amalgamë e vlerësimit nga ajo e shenjtërisë së familjes dhe e respektit që kishte për babain e vajzës së saj – ardhur në jetë nga dashuria e tyre fizike në shtrat”,-shkruan autori, i cili më vonë zbulon edhe veprimet mafioze të ish-bashkëshortit të Melisës, Janis, i cili në themel të urrejtjes ndaj shqiptarëve kishte veprimet mafioze që Melisa të mos merrte dot pronësinë e shtëpisë së babait dhe gllabërimin po me metoda korruptive të pronës së xhaxhait të saj në Janinë. Nga këtu autori përcjell edhe mesazhin se “nuk mund të ndërtohet një jetë mbi mashtrime dhe gënjeshtra”.

Në këtë roman, A.Gjunkshi sjell rastësi të tjera, si ardhjen e Lisionit nga Gjermania për të referuar në konferencën për zbulimin e të vërtetave për pellazgjishten, apo edhe të Ulisës, mjeke në një spital të Athinës, nga bashkimi i të cilëve me Lidian pas 64 vitesh do të mundësohej marrja e pronësisë së shtëpisë së prindërve (të cilën do ta kthenin në qendër të pellazgjishtes) dhe të pronave të xhaxhait në Janinë (ku edhe atje u ngrit qendra për studimin e pellazgjishtes). Në këto përpjekje të mundimshme autori evidenton mbështetjen e Besianit ndaj familjes së Melisës, i cili do të sqaronte se “Çështja e pronave çame të përzënë (si në rastin e xhaxhait të Lidias) është edhe shkaku kryesor se përse mbahet ende në fuqi, nga pala greke, ligji i luftës me Shqipërinë”.

SQARIMI I ENIGMËS PELLAZGE NUK KA TË BËJË ME ZBEHJEN E SHKËLQIMIT TË KULTURËS GREKE

Me gjuhë të pasur prozaike autori na sjell afër fundit të romanit, kur nga Konferenca shkencore me pjesëmarrjen e 150 studiuesve gjermanë, lituanezë, polakë, turq, italianë, kroatë, shqiptarë, maqedonas, serbë, rumunë, francezë, austriakë, zviceranë, bullgarë, britanikë, spanjollë, irlandeze, belgë e holandezë, madje dhe nga vendet nordike, Izraeli e vendet e Kaukazit (ndërsa grekët ishin përfaqësuar nga dhjetë pjesëmarrës), pas rrahjes së mendimeve e debateve të shumta, fiton konkluzioni i përfaqësuesve shqiptarë se: “ndarjet e sotme i kanë rrënjët në ato ndarje që ka krijuar koha, si rezultat i vështrimit tepër të ngushtë të problemeve, sikur jemi të ardhur nga planete të ndryshme. Zbulimi i qartë i rrënjëve të përbashkëta pellazge do të na qartësojë se shumë nga popujt tanë kanë dalë nga e njëjta vatër, nga i njëjti popull, i cili pësoi katastrofë që filloi nga pushtimet, nga shkatërrimi i shtëpive dhe i pronave dhe u pasua me përzierje të mëdha, me tjetërsimin e paskrupullt të kulturës dhe të gjuhës, për të përfunduar në katastrofën gjuhësore”.

Me këtë roman që është një kontribut i vyer në shërbim të studiuesve vendas e botërorë që kanë arritur në konkluzion se shqipja është gjuha më e lashtë në botë, autori A.Gjunkshi, referuar Homerit, babait të letërsisë moderne që i quante pellazgët “hyjnorë”, si dhe D’angelit që thekson se gjuha e lashtë greke filloj të formohej nga rrënjë pellazge, argumenton bindshëm se “gjuha pellazge nuk është zhdukur, pasi shumë fjalë të saj janë përshtatur, janë ripërtërirë, apo përkthyer në gjuhë të tjera, duke ruajtur sidomos morfemat fjalëformuese”. Parë nga ky këndvështrim autori ka meritën se në ligjërimin e tij estetiko-shkencor arrin në përfundimin se sqarimi i enigmës pellazge nuk ka të bëjë me zbehjen e shkëlqimit të kulturës greke. Dhe pikërisht për kontributin në këtë konferencë ai e quan Melisën “Hirushja pellazge” (nga ka marrë edhe titullin romani) sepse nga martesa e dytë me Besianin ajo krijon një familje të denjë shqiptare në mes të Athinës. Në kuadrin e projektit për zbulimin e kulturës pellazge autori e konsideron historinë e kësaj familje një ilustrim autentik. Kjo sipas tij për faktin se: “Ashtu si familja pellazge, që pësoi katastrofë por mbijetoi me gjuhën shqipe si dhe në rrënjët e gjuhëve të tjera, edhe familja Lisi, pësoi katastrofë, por u trashëgua dhe po lulëzon”. Dhe pikërisht këtë lulëzim e ringjallje autori shprehet se do të donte edhe për kulturën e gjuhën pellazge.

Ky roman merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se subjekti i tij dhe zhvillimi i ngjarjeve në të, janë në unison me zhvillimet e fundit të shkencës ndërkombëtare e cila njohu zyrtarisht origjinën 6000 vjeçare të gjuhës shqipe, si një ndër tri gjuhët më të vjetra indo-evropiane.

Si përfundim mund të themi se vlerat e këtij romani konsistojnë në kontributin e Dr.Astrit Gjunkshit, një autor mjaft produktiv e cilësor në fushën e letrave, për mbrojtjen e pellazgjishtes shkencërisht dhe artistikisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura